Katër persona janë lënduar në një përleshje që rezultoi me të shtëna me armë zjarri në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë, pasditen e sotme, më 23.10.2024.
Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas Ahmetit, bazuar në informacionet e deritanishme, prej katër persona të lënduar, njëri prej tyre dyshohet se është lënduar nga arma e zjarrit, kurse tre të tjerët kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorur armë të forta.
Ahmeti ka konfirmuar se deri më tani Policia e Kosovës ka arrestuar dhe dërguar në mbajtje 13 persona.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Deri tani nga ana e policisë janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në majtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”- ka shtuar Flora Ahmeti.