Pasi i kaloi gjashtë muaj i pezulluar nga puna në Universitetin e Prishtinës, profesori i Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi, i dyshuar se kishte ngacmuar seksualisht 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë në UP, do të jetë i pezulluar deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria.
Kështu ka vendosur të mërkurën më 23.10.2024, rektori i ri i UP-së, Arben Hajrullahu.
Hajrullahu thotë se ia ka vazhduar pezullimin nga puna Krasniqit pa afat të caktuar.
“Është sjellë një vendim i ri sot prej meje, personi në fjalë [Xhevat Krasniqi] qëndron i suspenduar deri në raportin e organeve profesionale. Del fajtor – fluturon prej Universitetit, nuk del fajtor – kthehet në punë edhe njeken akuzueset e rrejshme, ky është qëndrimi im parimor” – ka shtuar Hajrullahu më 23.10.2024.
Sipas rektorit Hajrullahu, Administrata e UP-së është interesuar dhe ka shkuar në organet e hetuesisë se a kanë përfunduar hetimet e tyre për rastin ndaj profesorit Krasniqi.
“Unë nuk e paragjykoj rastin edhe ia kanë konfirmuar hetuesia që ende jemi t’u i intervistu, nuk kemi raport. Derisa nuk ndryshon gjendja faktike, as profesori në fjalë, askush nuk mundet m’u kthy tash me thanë veç kaluan gjashtë muaj edhe eja ti kthehu në mësim. Kur të ndryshon gjendja faktike, te kemi raportin profesional për rastin në fjalë, atëherë na vendosim” – ka thënë rektori Hajrullahu për KALLXO.com, më 23.10.2024.
KALLXO.com e ka kontaktuar profesorin Krasniqi përmes telefonit më 23.10.2024, por ai nuk ka pranuar të deklarohet.
Ndërkaq, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Blerim Saqipi ka pohuar se janë në dijeni rreth afatit të vendimit të pezullimit të Krasniqit.
“Ju informoj se kemi qenë në dijeni që vendimi për suspendimin e prof Xhevat Krasniqi skadon sot dhe me kohë kemi qenë në komunikim me zyrën e rektorit për këtë çështje. Rektori sot ka marrë një vendim të ri që vazhdon suspendimin e profesorit Krasniqi deri në përfundimin e procedurave të ndjekjes penale për rastin” – është përgjigjur Saqipi, më 23.10.2024.
Saqipi ka treguar se Fakulteti i Edukimit i ka kryer obligimet e veta duke siguruar mbulimin e mësimit nga profesorë të tjerë dhe duke organizuar vlerësimin e studentëve nga profesorë e komisione përkatëse, pas vendimit për pezullimin e Krasniqit më 23.04.2024.
“Ndërsa, për semestrin aktual nuk kemi planifikuar ndonjë angazhim për të meqë kemi qenë në pritje të një vendimi të ri të rektorit për rastin” – ka shtuar Saqipi.
Profesori Krasniqi nga muaji qershor i këtij viti është i dyshuar për ngacmim seksual, në bazë të fillimit të hetimeve nga Prokuroria e Prishtinës, kur pranoi kallëzim penal ndaj tij.
Para se të merrej Prokuroria me të, Krasniqi u pezullua nga puna në UP përmes një vendimi të ish-rektorit të UP-së, Qerim Qerimi, më 23.04.2024.
Dekani i Fakultetit të Edukimit në UP, Blerim Saqipi në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 26.04.2024 deklaroi se UP nuk e ndau me ta vendimin për pezullimin e Krasniqit, mirëpo ai ishte i informuar se profesori Krasniqi u pezullua për gjashtë muaj nga UP, me 50% ulje të pagës.
KALLXO.com e ka pyetur më 23.10.2024 edhe Prokurorinë e Prishtinës se ku janë me hetimet ndaj rastit të Krasniqit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Mirëpo, në një përgjigje për KALLXO.com më 04.09.2024, Prokuroria e Prishtinës e kishte konfirmuar se ishte duke marrë veprime hetimore dhe se deri në atë kohë kanë intervistuar palë në cilësi të të dëmtuarave lidhur me rastin e profesorit Krasniqi.
“Prokurori i Shtetit është duke marrë veprime hetimore, deri tani janë intervistuar të dëmtuarat ndërsa së shpejti do të ftohen për intervistohen edhe dëshmitarët në këtë rast” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com të datës 04.09.2024.
Ish-rektorit të UP-së, Qerim Qerimi pezullimin e përkohshëm nga puna të profesorit Krasniqi derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e Prokurorisë së Shtetit, ia kishte rekomanduar Këshilli i Etikës i UP-së.
Këshilli i Etikës së UP-së që vendosi për rastin e Krasniqit përbëhej nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica. Ky Këshill e ka kryer mandantin më 01.10.2024 dhe sipas informacioneve të KALLXO.com ende nuk është formuar Këshilli i ri i Etikës i UP-së.
Kur u pyet nga KALLXO.com se kur do ta formojë Këshillin e ri të Etikës të UP-së, rektori Hajrullahu tha se së shpejti.
“Së shpejti do të kemi mbledhjen e Senatit javën që po vjen edhe jemi t’u punu për m’i identitiku anëtaret edhe anëtarët e Këshillit të Etikës, me pas qenë e mundur e kisha kriju me 01.10.2024” – ka thënë ai më 23.10.2024.
Vendimi për pezullimin e profesorit Krasniqi nuk u publikua nga Universiteti i Prishtinës, por vetëm u publikua një komunikatë që e përfolte vendimin dhe bazën e tij në rekomandimin e Këshillit të Etikës të UP-së. KALLXO.com ka kërkuar qasje nga UP në këtë vendim, më 23.10.2024.
Pas më shumë se një javë që u pezullu nga puna Krasniqi, Këshilli i Etikës i UP-së doli me vendimin e tyre për këtë rast, të marrë në mbledhjen e tyre të datës 02.05.2024.
Përveç rekomandimit për marrjen e masës për pezullimin e përkohshëm nga puna të Krasniqit, Këshilli i Etikës në vendimin ndaj Krasniqit ka njoftuar se do të rifillojë procedurën disiplinore ndaj tij pas veprimeve hetuese nga organet e hetuesisë.
Marrja e vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së që të pezullohet përkohësisht nga puna Krasniqi derisa të përfundojnë hetimet nga Prokuroria, u konsiderua ‘dështim’ nga aktivistë e njohës të fushës së drejtësisë, pasi ia pamundësoi studenteve që e kanë raportuar rastin të ankohen ndaj këtij vendimi.
Më 07.04.2024, “Kallxo Përnime” transmetoi rrëfimet e studenteve dhe studentëve të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në lidhje me ngacmimet seksuale që pretendohet t’i ketë bërë profesori i shkencave matematikore, Xhevat Krasniqi.
Përveç këtyre tri studenteve, në Kallxo Përnime më 07.04.2024 rrëfyen edhe 3 djem që kishin qenë dëshmitarë të këtyre ngacmimeve seksuale që u ishin bërë vajzave nga viti 2022.
Pesë ditë pas transmetimit të emisionit të Kallxo Përnime për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës, Prokuroria kishte autorizuar organet e rendit që të nisin hetimet.
Kryeprokurori Zejnullah Gashi më 12.04.2024 kishte konfirmuar për KALLXO.com se janë intervistuar katër dëshmitarë.
“Prokuroria ka autorizuar policinë për të ndërmarrë hetime pas publikimit. Janë intervistuar katër dëshmitarë dhe intervistat televizive janë vendosur në dosjen e Policisë” – kishte thënë Kryeprokurori Gashi.
Ky vendim i Këshillit të Etikës të UP-së ndaj Krasniqit kishte ardhur pas disa mbledhjeve të mbajtura nga ky Këshill, të cilat u shoqëruan edhe me protesta të aktivistëve të Lëvizjes Feministe Studentore dhe të tjerë, të cilët kërkuan përjashtimin e Krasniqit nga UP.
Denoncimin me shkrim studentet e Fakultetit të Mjekësisë e kishin dorëzuar zyrtarisht më 27.02.2024 në Fakultet.
Pas denoncimit të studenteve, i gjithë menaxhmenti i Mjekësisë, dekan e prodekan, ishin mbledhur më 04.03.2024, me ç’rast e kishin ftuar edhe profesorin Krasniqi për t’ia kumtuar me gojë denoncimin e studenteve ndaj tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me të.
Pas këtij takimi, ish-dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu, denoncimin e studenteve e kishte përcjellë me shkresë zyrtare në Këshillin e Etikës të UP.
Më 23.04.2024, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore kishin bllokuar me ngjitës derën e zyrës së profesorit Krasniqi.
Letra me mbishkrimet “Skenë krimi! Mos kalo!”, “ Xhevat Krasniqi nuk ke vend në UP”, ishin shkruar në derë zyrës së profesorit Krasniqi dhe në hyrje të zyrës.
Ky aksion ishte vazhdim i protestës së aktivistëve që kërkonin me ngulm përjashtimin e Krasniqit nga Universiteti i Prishtinës, që kur u bë publik lajmi për denoncimin e studenteve.
Në mbledhjen e Këshillit të Etikës të UP-së të datës 22.04.2024, Krasniqi kishte dëshmuar para anëtarëve të Këshillit të Etikës, mirëpo ndaj tij nuk ishte marrë ndonjë vendim.
Kjo revoltoi aktivistët që më pas bllokuan hyrjen e Administratës Qendrore të UP-së, duke mos lejuar daljen nga objekti të anëtarëve të Këshillit dhe profesorit Krasniqi.
Pas disa orësh bllokadë nga aktivistët, Policia e Kosovës kishte larguar nga salla e Admnistratës profesorin Xhevat Krasniqi dhe dy anëtarët tjerë të Këshilli të Etikës, Arben Hajdarin edhe Skender Mujin.
Pas disa minutave, ata intervenuan sërish duke i larguar nga salla edhe kryetarin e Këshillit të Etikës, Iset Morina edhe anëtarin tjetër Rrezeart Galica që kishin mbetur brenda sallës e së cilëve studentët u thanë se “i ka harruar Policia brenda sallës”.
Të gjitha raportimet për rastin ndaj profesorit Xhevat Krasniqi mund t’i lexoni në këtë LINK.