Në gjykimin ndaj Bedri Krasniqit, i cili akuzohet për kanosje ndaj Shkumbin Mehmetit, në seancën e datës 24.10.2024 në Gjykatën e Prishtinës janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.
Bedri Krasniqi në fjalën përfundimtare deklaroi se çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata ai nuk do të bëjë ankesë.
“I nderuar gjyqtar, çfarëdo vendimi që jep ti, ai për mua përfundon këtu. Nuk do të bëj ankesë ndaj çfarëdo vendimi që do të marrësh, sepse kjo lëndë edhe dënimi nëse ndodh është e vogël, nuk e përfill, hiç s’e bëj hesap”- deklaroi Bedri Krasniqi.
Prokurorja Ardiana Veseli fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar dhe të njëjtën e elaboroi.
Veseli propozoi që Gjykata të pandehurin Bedri Krasniqi ta shpallë fajtor.
“Ne mbetemi në tërësi pranë aktakuzës, përshkrimit faktik dhe juridik të veprës penale, duke i propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor duke i përcaktuar edhe dënimin për këtë vepër penale”- tha prokurorja Ardiana Veseli në fjalën përfundimtare.
Gjatë fjalës përfundimtare Bedri Krasnqi tha se do të donte të ishte si Blero.
“Në t’vërtetë kam qëllu i ashpër edhe i vrazhdë prej fytyrës, por une nuk i kam fajet qysh dukem, edhe unë kisha pasë qejf me kanë i bukur si Blero nashta, por s’jam, çka me bo…”- shtoi tutje Krasniqi.
Tutje, Bedri Krasniqi deklaroi se në këtë rast nuk ka prova, dhe shtoi se mbi 20 vite është me akuza.
“Unë mendoj se në këtë rast as prova s’ka i nderar, edhe për shkak të sulmeve mbi dy dekada që i kam prej politikës, linçimit politik që m’u ka ba, prokuroria nuk heziton me m’akuzu. Unë nuk kam diçka kundër Prokurorisë pse më kanë akuzu, mbi 20 vjet jam non-stop me aktakuza. Edhe pse jam kanë i dënuar asnjëherë nuk kam qenë pa një aktakuzë rezervë” – tha Bedri Krasniqi.
Tutje, pas përfundimit të fjalëve përfundimtare seanca përfundoi.
“Unë ndihem i shqetësuar dhe i rrezikuar nga mosmbrojtja e shtetit ndaj meje e posaçërisht nga oficerët korrektues… Unë kam pasur disa fjalë prej Bedrisë gjatë rrugës. Prokurorja ka refuzu me m’dhënë mbrojtje”- ishte shprehur ndër të tjera Shkumbin Mehmeti.
Çfarë thotë dosja e prokurorisë?
Sipas aktakuzës së ngritur me 23.10.2019, Bedri Krasniqi nga Prokuroria e Prishtinës akuzohet për veprën penale – kanosje.
Prokuroria pretendon se më 18.04.2019 rreth orës 09:00 në rrugën prej Burgut të Sigurisë së Lartë të Gërdovcit të Podujevës në drejtim të Prishtinës, i pandehuri Bedri Krasniqi me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit e ka kanosur me fjalë të dëmtuarin Shkumbim Mehmeti.
Kjo potencohet të jetë bërë gjatë transportimit të tij për në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali dhe pasi i pandehuri dhe i dëmtuari janë vendosur në të njëjtin automjet transportues përkundër që kishte një ndarje fizike mes tyre.
I pandehuri, thuhet aty, ka komunikuar me të dëmtuarin para hyrjes në automjet dhe gjatë transportit duke e kanosur seriozisht të dëmtuarin me fjalët: “Qysh e ki familjen?… E di se familjen e ke në Francë dhe se djalit yt i ka bërë katër vite… Po ashtu vëllezërit tuaj punojnë me disa kabllo interneti”.
Kjo sipas Prokurorisë, duke i bërë me dije të dëmtuarit për mundësinë e arritjes së qëllimeve ndaj tyre.
Sipas dosjes Krasniqi ka vazhduar duke thënë: “Është më mirë të kujdesesh për familjen tënde, e mos të merresh me punë tjera”, duke aluduar në atë të mos dëshmojë ndaj të pandehurit në çështjen penale të vrasjes së rëndë të dy policëve, ngjarje kjo e cila ka ndodhur në vitin 2004.
Gjithnjë sipas organit ndjekës, me këto fjalë i pandehuri seriozisht e ka shqetësuar të dëmtuarin se do ta privojë nga jeta ose që do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor ndonjë anëtari të familjes.