RRUFE

Paga minimale preku kontratat e institucioneve me kompanitë private – Ministria e Financave rekomandon ndryshimin e tyre

Më 28.08.2024, Qeveria e Kosovës mori vendim që paga minimale në vend të jetë 350 euro duke filluar nga data 01.10.2024.

Pas marrjes së këtij vendimi, ministri i Financave, Hekuran Murati, pati paralajmëruar se nga ky akt do të preken thuajse 150 mijë punonjës.

Por, përveç punonjësve, vendimi për ngritje të pagës minimale ka prekur edhe kompanitë private të cilat kanë kontrata me institucionet publike për kryerjen e shërbimeve të ndryshme.

Këto kompani kanë nënshkruar kontrata me një çmim të caktuar për pagesën e punonjësve dhe me ndryshimin e pagës minimale, kontratat për shërbime bëhen vështirë të aplikueshme për shkak të rritjes së obligimeve të kompanive ndaj punonjësve të tyre.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve më 16.09.2024 për të kuptuar se cili është plani i Qeverisë për këto kontrata të nënshkruara me pagën minimale të vjetër.

Në një përgjigje më 21.10.2024, me më shumë se një muaj vonesë, nga kjo Ministri thonë se kanë rekomanduar Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik për ndryshimin e një rregulloreje.

Kjo, MF-së, është një zgjidhje më e përshtatshme për të adresuar rritjen e pagës minimale. Ndonëse nuk është treguar saktësisht se çka është propozuar të ndryshohet në këtë rregullore, në ministri thonë se do të lejohet ndryshimi i kontratave.

“Në bazë të rekomandimit, KRPP ka themeluar grupin punues për ndryshimin e rregullores dhe tani janë në proces të finalizimit. Ndryshimi i kësaj rregullore do të lejojë ndryshimin e kontratave për të reflektuar rritjen e pagës minimale” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave.

Rrregullorja që është propozuar të ndryshohet është Rregullorja Nr.001/2022.

Kjo rregullore ka si qëllim plotësimin dhe sqarimin e Ligjit të Prokurimit Publik.

Qasja në këtë rregullore mund të bëhet përmes kësaj vegëze.

https://kallxo.com/lajm/qeveria-vendos-qe-paga-minimale-te-jete-350-euro-bruto-ne-muaj/

Qeveria e Kosovës është akuzuar nga opozita se me rritjen e pagës minimale po tenton të blej vota.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në facebook kishte thënë se kjo pagë është poshtëruese.

‘Ata që s’kanë preokupim tjetër përpos si të mbeten në pushtet, gjithmonë në prag të zgjedhjeve, dalin me mashtrimet e radhës për rritje pagash, ulje çmimesh, vende pune e lloj-lloj mrekullirash të tjera. Në kuadër të një fushate për zgjedhje, Qeveria e VV-së, sot paska marrë vendim që të rritet paga minimale në 350 euro. Premtimi për këtë pagë minimale është poshtërim. Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro’ – shkroi mes tjerash Haradinaj.

“Rritja e pagave, pensioneve dhe shpërndarja taksave të qytetarëve në çfarëdo forme, në kohë fushate elektorale, është tentativë me ble vota, është skemë e korrupsionit public” – ka shkruar deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami në facebook.

https://kallxo.com/lajm/bajrami-rritja-e-pensioneve-dhe-pagave-ne-kohe-fushate-tentative-me-ble-vota/

Atdhe Hykolli, i cili është kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, njëherësh anëtar në Këshillin Ekonomiko-Social, pati deklaruar se si palë nuk kanë dhënë propozim për këtë vlerë që është përcaktuar nga Qeveria.

Hykolli pati njoftuar se që nga shkurti i vitit 2023 nuk janë mbajtur takime të Këshillit Ekonomiko-Social.

“Po (kanë propozuar kur Këshilli ka qenë funksional) kishte në kohën kur Këshilli Ekonomiko-Social ishte funksional. Dhe atëherë nuk u përfill propozimi i Këshillit Ekonomiko-Social”- tha Hykolli për KALLXO.com më 28.08.2024.

https://kallxo.com/lajm/keshilli-ekonomiko-social-qe-duhej-te-propozonte-pagen-minimale-nuk-eshte-funksional-thote-njeri-nga-partneret/


Postuar

,

nga