Gjatë fushatës zgjedhore, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë disa premtime për qytetarët e Podujevës.
Gjatë debatit “Jeta në Komunë” ai kishte premtuar renovim të shkollës në fshatin Llugë. Madje, ai kishte thënë që projekti do të përmbyllet në vitin 2022.
Tri vjet pasi dha këtë premtim, gjendja në shkollën “Ilir Kunushevci” në Llugë të Podujevës nuk është përmirësuar. Ndërkohë, një objekt i ri i shkollës ka nis të ndërtohet, projekt i Ministrisë së Arsimit.
“Në fshatin Lluga nuk e kemi bërë rinovimin e objektit të vjetër të Shkollës ‘Ilir Konushefci’, pasi kemi filluar ndërtimin e objektit të ri. Ky projekt financohet nga MASHTI dhe punimet për ndërtimin e shkollës se re janë duke vazhduar” – thuhet në një përgjigje të komunës dërguar KALLXO.com.
Ndërsa, gjatë debatit, Bulliqi ka komentuar pamjet nga shkolla në fshatin Llugë.
“Ajo është një shkollë që është ndërtuar para viteve të 80-ta dhe është një aneks që i është bashkëngjitë pas luftës. Ne kemi prit shumë që objekti i ri do të ndërtohet më shpejt nuk e kemi pa të arsyeshme me investu në një objekt të vjetër” – ka thënë Bulliqi në “Jeta në Komunë.”
Një premtim tjetër gjatë zgjedhjeve lokale ishte pajisja me internet në secilën shkollë të Podujevës.
Ekipi hulumtues i KALLXO.com ka telefonuar drejtorët e 38 shkollave në Podujevë për të konfirmuar nëse kanë internet në objektet e shkollave.
Dhjetë shkolla kanë konfirmuar që nuk kanë fare internet. Madje, në shkollën “Drita” të fshatit Majac, drejtori dhe arsimtarët e kanë paguar vetë internetin.
“Ne kemi qenë të preokupuar me këtë qasje. Telekomi i Kosovës nuk është i shtrirë në tërë territorin e komunës, shumicat e shkollës kanë qasje në internet. Unë nuk kam informatë që ndonjë shkollë e paguan vetë internetin” – ka deklaruar Bulliqi.
Gjatë fushatës zgjedhore, Bulliqi pati premtuar heqje prej 50% të kamatës në kredi për të gjithë bujqit e Podujevës. Tri vjet pas, komuna nuk e ka përmbushur këtë premtim.
Sipas ekzekutivit lokal, 50% e kamatës së kredisë për bujqit do të nis nga viti 2025.
“Gjatë kësaj periudhe është bërë subvencionimi me subvencione direkte si dhe me pajisje për biznese, ndërsa me programin e mbështetjes së kredive do fillojmë në vitin 2025” – thuhet në përgjigje.
Shpejtim Bulliqi kishte premtuar gjatë vitit 2021 se do ta formojë një kompani lokale për grumbullimin e mbeturinave.
Ky premtim i kryetarit Bulliqi ishte mbajtur.
“Gjatë këtij mandati është themeluar Ndërmarrja Publike Lokale ‘Eko Llapi’, e cila këtë vit (2024) ka filluar punën dhe është çdo ditë duke kryer punë në terren” – thuhet në përgjigjen e komunës.