Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka qenë mëngjesin e së shtunës, 26.10.2024, cak i sulmit fizik në Pejë.
Policia e Kosovës në raportin e sotëm thotë se ende nuk dihen motivet. Për këtë sulm ndaj kryetarit dhe një personi tjetër që ishin bashkë, janë arrestuar dy të dyshuar.
“Dy meshkuj kosovarë (njëri prej tyre kryetari i komunës së Pejës) derisa ishin duke ecur në rrugë janë sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë me ç ‘rast viktimat kanë pësuar lëndime trupore. Pas një pune hetimore dy të dyshuarit janë lokalizuar dhe arrestuar nga Policial” – ka njoftuar Policia më 27.10.2024.
Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti si dhe dy të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.
Rasti është nën hetime.
Pak orë pas sulmit, “Jam shëndosh e mirë”- ka shkruar Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Në rrjetin e tij social Facebook, Muhaxheri ka reaguar se është në mes të miqve të tij si dhe është mirë me shëndet.
“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falënderoj të gjithëve për interesimin”- ka shkruar Muhaxheri deri sa në fotografi shihet në shoqëri të disa personave më 26.10.2024
Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar pas këtij sulmi.
“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”- ka shkruar Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook.
Në anën tjetër Policia në Pejë ka thënë të shtunën se kryetari Muhaxheri ka marrë edhe lëndime trupore.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore”, ka thënë Driton Rugova nga Policia në Pejë.
Ndërsa, Shkodran Nikçi nga Prokuroria në Pejë i ka thënë KALLXO.com se tashmë janë duke u ndërmarrë gjitha veprimet për të zbardhur situatën ndërsa prokurori ka marrë vendim qe te dyshuarit të dërgohen në mbajtje.