RRUFE

Gjykata ia vazhdon masën e ndalimit edhe për 48 orë dy të dyshuarve për sulmin ndaj Gazmend Muhaxherit

Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar masën e ndalimit edhe për 48 orë të tjera dy të dyshuarve për rastin e sulmit ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar për KALLXO.com Elzana Kastrati, zëdhënëse e Gjykatës në Pejë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes se seancës dëgjimore, të pandehurve iu ka caktuar masën e ndalimit edhe për 48 orë, deri në marrje të vendimit lidhur me kërkesën për caktim të masës së paraburgimit” – ka thënë Kastrati.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për sulmin fizik ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Prokurorja e rastit, Arlinda Nallbani Gacaferri, ka konfirmuar para mediave se si bazë është përmendur ndikimi te dëshmitarët, mundësia e përsëritjes së rastit dhe rreziku i arratisjes.

“Prokuroria Themelore në Pejë në afatin e saj ligjor ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve. Kërkesa është bazuar në tri fazat që janë paraparë në kodin e procedurës penale si është rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitarë sepse në vendin ku ka ndodhë ka shumë dëshmitarë dhe ende një pjesë nuk janë intervistuar. Dhe pastaj ekziston edhe rreziku se të njëjtit mund ta përsërisin veprën penale për vetë faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk është shumë në largësi të madhe.

“Të dyshuarit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘sulmi ndaj personit zyrtar’ dhe ‘lëndim i lehtë trupor’.. Të dyshuarit mes vetë kanë lidhje familjare” – tha Nallbani Gacaferri më 27.10.2024.
 

Pas seancës së sotme dëgjimore që u mbajtë e mbyllur në Gjykatën e Pejës, Blerim Ademaj, avokati i të dyshuarit Dukagjin Lulaj ka thënë para mediave se kërkesa e prokurorisë nuk është e mbështetur në prova dhe që presin nga Gjykata të refuzohet.

“Lidhur me kërkesën e prokurorisë ne kundërshtuam në tërësi pasi e njëjta nuk e mbështetur në prova, këta iu referuan deklaratës së kryetarit Gazmend Muhaxheri i cili në asnjë moment nuk e inkriminon palën e dëmtuar dhe presim nga Gjykata që e njëjta të refuzohet” – tha avokati Ademaj.

Ndërsaj, Haki Mavraj avokat i të dyshuarit tjetër, Korab Lulaj tha se ende nuk i dinë motivet që kanë çuar deri në këtë sulm.

“Besoj se deri diku është e mbështetur kërkesa. E kemi kundërshtu mungesën e provave në mëngjes, por masdite është kompletu, ende nuk e dimë motivin” – tha avokati Mavraj.

 


Postuar

nga