RRUFE

Përballja e Besim Ilazit me akuzat për favorizime – Subvencione për familjarë e miq të zyrtarëve komunalë

Në Komunën e Kaçanikut, akuzat për keqpërdorim të pushtetit dhe favorizime familjare kanë marrë vëmendje të madhe në debatin “Jeta në Komunë, veçanërisht lidhur me ndarjen e subvencioneve për biznese mikro dhe të vogla. Drejtuesit e kësaj komune u përballën me akuza për dhënien e subvencioneve ndaj familjarëve dhe miqve të afërt të zyrtarëve komunalë.

Vlera e subvencioneve të ndara nga Komuna e Kaçanikut për këto biznese ishte mbi 30 mijë euro. Pjesë e kësaj liste ishte gruaja e drejtorit të Arsimit, Zejnepe Doda; vajza e drejtoreshës së Kulturës, Miranda Sallahi; kunata e sekretares, Jehona Dullovi dhe miku e bashkëpunëtori i drejtorit të Financave, Euron Livoreka.

Shqetësim për ndarjen e këtyre subvencioneve fillimisht u ngrit nga asamblistja e LVV-së, Ernesta Krasniqi, e cila hodhi akuza mbi pushtetin për favore familjare duke shfrytëzuar pozitat zyrtare.

“Pasi e kam ngrit këtë shqetësim në kuvend, drejtorët gjuhën që e kanë përdorur është edhe më shqetësuese, ku njëri prej drejtorëve me kthehet mu duke me thënë ‘mbylle more gojën’, e ma shqetësuese është kur drejtoresha e Kulturës më ka shkru  personalisht duke me kërcënuar që do të vijë së bashku më burrin e saj në shtëpinë time me kërku llogari nga prindërit e mi” – ka deklaruar Krasniqi.

Për një gjë të tillë drejtori i Arsimit, Zahir Doda, tha se ligjërisht është në rregull dhe moralisht ndihet mirë që gruaja e tij përfitoi 1,670 euro subvencione nga komuna. 

“Po, është e vërtetë, Zejnepe Doda është gruaja ime qe 32 vjet, e dua shumë me thanë të vërtetën, ligjërisht jam krejt në rregull sepse prej vitit 2000 është në biznes, nuk e ka asnjë borxh, as taksa, as tatim, kurse moralisht e ndi veten mirë sepse subvencionet që janë paraparë për biznese të vogla, gjysma janë nda nuk ka pasë konkurrent dhe nuk e kanë përjashtuar askënd. Kurse zhurma që e bëjnë këta është zhurmë politike” – tha drejtori Doda.

Edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Kaçanikut, Hafize Sallahi, e pranoi që vajza e saj përfitoi 2,800 euro subvencion nga komuna, por nuk e pranoi se e ka kërcënuar asamblisten e VV-së, Ernesta Krasniqi.

“E vërtetë që vajza ime është përfituese e subvencioneve në Komunën e Kaçanikut dhe mesazhi që i kam dërguar Ernestës ka qenë shumë komunikues, jo kërcenim, veç u dashtë me i’a shkru një mesazh, ndoshta kërkesë që mos të përsëritet më i përdorë fëmijët e mi për fushatë politike dhe i kam thënë burri im do të kërkojë prej prindit tënd mos me m’i përdorë fëmijët”- deklaroi drejtoresha Sallahi.

Një nga subvencionet ishte ndarë edhe për vëllanë e gruas së drejtorit të Dinancave, Bahri Selimi, i cili deklaroi së as nuk ka qenë në dijeni së kur ka apliku miku i tij dhe se nuk ka ndikuar në këtë proces.

“Po, ka marrë, për besë unë nuk e di as kur ka apliku, nuk më ka tregu mua edhe është e drejtë e tij më apliku së është qytetarë i këtij vendi edhe afarist”- ka deklaruar Selimi.

Drejtori i Financave në Komunën e Kaçanikut, Bahri Selimi, i’a përmendi asamblistes së VV-së, Ernesta Krasniqi, se edhe prindi i saj ka qenë përfitues i subvencionit për pajisje në bujqësi.

“Në sektorin e bujqësisë, nuk e di mirë pajisjen që e ka marrë babai i Ernestes, por nuk e akuzojmë që ka marrë se është qytetar i këtij vendi”- tha drejtori Bahri Selimi.

Asamblistja e LVV-së, Ernesta Krasniqi, ka thënë se prindi i saj ka përfituar pajisjen por në rastin e tij nuk ka konflikt interesi.

“Prindi im ka marrë subvencion nga bujqësia, multikultivator, mirëpo prindi im nuk e ka vajzën drejtoreshë edhe nuk është konflikt interesi”- ka thënë Krasniqi.

Në listën e përfituesve të subvencioneve ka qenë edhe vëllai i shefit të asamblistëve të VV-së, Agim Mani, mirëpo sipas tij, vëllai nuk e ka merituar këtë subvencion por Komuna e Kaçanikut ia ka dhënë.

“E vërtetë është që vëllai im ka marrë subvencione, aplikimi ka qenë i lirë, vëllai im nuk e ka meritu me marrë subvencione po këta i kanë dhanë”- thotë asamblisti Mani.

Në lidhje me subvencionin e përfituar nga vëllai i samblistit të LVV-së, Agim Mani, kryetari Ilazi tha se vallai e ka fituar por mjetet përdoren nga vetë asambilisti i VV-së.

“Për transparencë më të kallxu, vëllai i tij i ka fitu, e mjetet janë të ky edhe sera është në oborr të tij edhe multikultivatori”- ka thënë kryetari Ilazi.

Arsyetimi i Manit për këtë akuzë ishte se vëllai i tij është më aftësi të kufizuara dhe ai vetëm e ndihmon atë.

“Vëllau im është më aftësi të kufizuara, në punë e bujqësi i ndihmoj unë, jemi bashkë në një oborr”- është përgjigjur Agim Mani.

Ku e ‘kapi’ Krypometri në rrenë Besim Ilazin e Kaçanikut?

Kryetari i Kaçanikut u përball edhe me premtimet që i kishte bërë më 30.09.2021 në debatin “Jeta në Kosovë”. Pas gati tri vite mandat, ekipi i “Jeta në Komunë” ka gjetur se disa pune janë kryer, disa të tjera kanë mbetur në gjysmë e disa nuk kanë nisur fare.

Ujësjellësi dhe ndriçimi publik në fshatin Glloboçicë ishte një nga zotimet e Besim Ilazit se do t’i realizonte gjatë mandatit të tij. Pas verifikimit nga ekipi i “Jeta në Komunë” doli se kryetari e ka mbajtur fjalën pasi ky premtim është përmbushur. Madje edhe një qytetar i këtij fshati e konfirmoi së problemi më ujin tashmë në këtë zonë është zgjidhur.

“Sa për ketë aspekt çdo gjë është në rregull, bile ka ujë më tepër së që na duhet”- tha banori Muzafer Luma.

Mirëpo premtimin për ndërtimin e fushës së sportit në shkollën e fshatit Glloboçicë nuk e ka përmbushur ende pasi që fusha ende nuk është përfunduar.

“Besoj që janë finesat e fundit teknike për pranimit teknik për shkak së ka qenë një aneks-kontratë që është vazhdu dhe pritet me u përfundu brenda 10 ditëve, dy javëve përfundon edhe ajo pjesë” – ka thënë kryetari Ilazi.

I pari i Kaçanikut e mbajti fjalën edhe për emërimin e tri grave në krye të drejtorive komunale. Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik, janë tri drejtori që u janë besuar grave në Kaçanik.

Ndërsa premtimi që më fillim të mandatit do të aprovohet plani zhvillimor për Komunën e Kaçanikut ende nuk është realizuar. Arsyetimi për mosrealizimin e planit zhvillimor komunal ishte së ka pasur vonesa nga niveli qendror, përveç vonesave nga Kuvendi Komunal.

“Plani zhvillimor komunal është dorëzuar më 10.01.2023, në Ministrinë e Ambientit është dorëzuar edhe vlerësimi strategjik mjedisor, është dorëzuar edhe plani zhvillimor, ata na kanë kthy përderisa nuk pranohet vlerësimi strategjik mjedisor nuk duhet të vjen plani zhvillimor”- ka thënë Besim Ilazi.

Fusha e stadiumit të qytetit në Kaçanik ende nuk i ka tribunat që ishin premtuar se do të ishin gati për 3 mijë qytetarë qysh në fillim të mandatit te ri.

“Këtu mund t’a marrim një përgjegjësi më të madhe si komunë për shkak të neglizhencës, në kohën e punimeve menjëherë filloi pandemia dhe na rroki pjesa e inflacionit, kompania e kontraktuar ka kërkuar kompensim e asaj që ishte në atë kohë 148 mijë euro dhe i kemi ndërprerë punimet në atë kohë, e kemi njoftuar ministrin dhe po presim çka do të reagojnë” – është shprehur Ilazi.

Më 12.11.2021 ishte premtuar nga kryetari Besim Ilazi së Kaçaniku do të bëhet edhe më fabrikën për ripërpunimin e ujit në fshatin Sepetin. Por pasi kanë kaluar tri vjet nga ky premtim kryetari Ilazi thotë së ky premtim ka qenë më fusnotë, duke njoftuar së këto premtime do të realizoheshin me grantin e katërt të qeverisë që ishte paraparë për komunat e që nuk është ndarë.

“Ai grant nuk është bërë funksional, kështu që ju mbes borxh qytetarëve moralisht me ju thanë se nuk kem mundur me e bo së janë mjete mjaft të mëdha për Komunën e Kaçanikut”- është përgjigjur kryetari Ilazi.

“Pas prerjes së shiritit” – Cila është cilësia e projekteve të promovuara nga kryetari? 

Projekti ideor për sheshin e qytetit në Kaçanik i promovuar në vitin 2022 nga kryetari Besim Ilazi në faqen e tij në Facebook, ende nuk është finalizuar. As pas dy viteve nga promovimi i këtij projekti ky shesh nuk ka përfunduar. Ekipi i “Jeta në Komunë” ka evidentuar mungesë të shportave për mbeturina, kubëza të betonit të dëmtuara dhe të nxjerra nga vendi, mungesë të ndriçimit publik e mungesë të hapësirave të gjelbra.

Ankesa për këtë projekt kishin edhe nga shoqëria civile në Kaçanik. Ata thanë se nuk ka pasur dëgjim publik për shesh dhe e shohin si një problem mungesën e hapësirave të gjelbra brenda sheshit.

“Çështja e hapësirave të gjelbra këtu brenda sheshit, mendoj që janë të vogla dhe ky është mendimi edhe i shumicës së qytetarëve, qytetarët nuk janë konsultuar, nuk ka pas dëgjim publik”- ka thënë Valon Raka nga organizata ‘Gjethi’.

I pari i Kaçanikut e pranoi ‘fajin’ për mosmbajtje të dëgjimit publik për çështjen e sheshit.

“E pranoj fajin kësaj radhe, na ka ikë kjo kur është faji im nuk kam çka diskutoj më”- ka thënë kryetari Ilazi.

Pa u promovuar nuk mbetën as sallat sportive në shkollën e mesme profesionale “Feriz Guri dhe Vëllezërit Qaka” dhe salla e edukatës fizike në shkollën fillore në Begracë. Salla e shkollës së mesme profesionale pasi është vizituar nga ekipi i “Jeta në Komunë” është parë së ka lagështi dhe sipas një mësimdhënësi nuk përmbush kriteret siç do të duhej për zhvillimin e aktiviteteve fizike.

“Në fillimin e punimeve ne i kemi dhonë disa vërejtje tona rreth gjendjes profesionale qysh duhet me qenë, vërejtja ka qenë tek shtyllat e murit për shkak se janë shumë afër vijave të lojës së volejbollit apo hendbollit, çka është pak rrezik për nxënësit si dhe pjesa e fushës nuk është bash profesionale, pasi që duhet me qenë parket ose laminat, se kjo është pak më e vrazhdë”- tha mësimdhënësi Enver Kamishi.

Kryetari për ketë gjendje u përgjigj së nuk është projekt që e ka realizuar komuna, por është ndërtuar nga Ministria e Arsimit dhe për këtë projekt nuk kanë pasur as mbikëqyrje.

“Sa i përket sallës së sportit “Feriz Guri” është projekt i financuar nga ministria, as mbikëqyrje nuk kemi pas për shkak të ministrisë”- tha kryetari Ilazi.

Ndërsa në sallën edukatës fizike në fshatin Begracë përveç problemeve teknike ka probleme edhe me ujin, mirëpo sipas drejtorit të kësaj shkolle ky problem është në nivel fshati.

“Kështu na kanë dorëzuar, kështu e kemi pranuar, nashat edhe gjatë garave e sidomos në procesin e edukatës fizike ka mundësi edhe lëndime më pësu. Te uji kemi problem në nivel fshati dhe në nivel fshati është e kyçur edhe shkolla”- tha drejtori i shkollës, Nazmi Gashi.

Ndërkaq kryetari për këtë sallë tha së është projekt i komunës dhe se merr përgjegjësi për këtë.

“Ky është një projekt që është financuar nga komuna dhe këtu marr përgjegjësi nëse ka diçka, të gjitha projektet tash nuk po bëhen me laminat ose me parket, pos me këtë materialin ma të ri, është ai material që po propozohet. Uji ke problemi, në Kaçanik të Vjetër e kemi hapur edhe një pusetë ku ai i furnizon edhe Kaçanikun e Vjetër edhe Begracën”- është përgjigjur kryetari Ilazi.

Përurimin e QMF-së në fshatin Doganaj kryetari Besim Ilazi e liston tek projektet e rëndësishme të përfunduara në Kaçanik. Gjatë verifikimit në terren ekipi i “Jeta në Komunë” ka gjetur se muret janë çarë në këtë objekt, ka lagështi e mungesë të tualetit për personat me aftësi të kufizuar.

Kryetari për këto dëme tha së do të kërkojnë nga kompania që të ndërhyjnë pasi që objekti ka garancion njëvjeçar.

“Me qenë se është pranuar teknikisht para pak muajve e ka garancionin njëvjeçar, ne kompaninë do ta detyrojmë më i bo këto përmirësime”- ka thënë kryetari Ilazi.

Kryetari i Kaçanikut e kishte promovuar edhe asfaltimin e rrugës “Idriz Seferi”. Mirëpo pesë muaj pasi u promovua, ekipi i “Jeta në Komunë” ka gjetur se në pjesë të caktuara nuk ka trotuare dhe janë shfaqur telashe me asfaltimin rreth kapakëve të pusetave.

Lidhur më këtë kryetari njoftoi së ky projekt ka filluar qysh në vitin 2016 dhe është ndërprerë një herë e më pas është përfunduar me investim të komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

“Rruga “Idriz Seferi” ka filluar në vitin 2016, në vitin 2017 është ndërprerë nga menaxheri i kompanisë, mbikëqyrës ka qenë ministria përkatëse e infrastrukturës dhe i është ndërprerë kontrata kësaj kompanie dhe kontestimet gjyqësore kanë zgjatë disa kohë dhe kjo ka filluar në vitin 2023, ku 270 mijë euro janë dhënë nga ministria dhe Komuna e Kaçanikut i ka dhënë 100 mijë euro”- ishte përgjigja e kryetarit Besim Ilazi.

Më 11.09.2024, kryetari Ilazi kishte ndarë foto në profilin e tij në Facebook nga objekti i Muzeut të Qytetit për çka njoftoi së është gati për funksionalizim. Mirëpo ekipi i “Jeta në Komunë” gjeti se gjendja në terren dallon nga ajo në fotot e komunës.

Muzeu i Qytetit që sipas Besim Ilazit ishte gati ka probleme serioze me lagështi, në një pjesë të murit vërehen dëme që janë shkaktuar si shkak i cilësisë së dobët të punimeve në këtë objekt.

Kryetari kishte një arsyetim edhe për këtë gjendje.

“Ne i kemi hapësirat  e brendshme të muzeut, muzeu është në kuadër të Shtëpisë së Kulturës brenda për ata edhe përkundër që kemi intervenuar në një pjesë prej 10 mijë euro tash pjesa tjetër po na rrjedh ujin, gjë që duhet patjetër me e rregullu”- ka deklaruar Ilazi.

Projektet me të cilat krenohet kryetari i Kaçanikut

Kryetari Besim Ilazi shpalosi disa projekte për të cilat krenohet. Ai numëroi disa projekte në shëndetësi, arsim e kulturë.

“Sa i përket shëndetësisë kemi ndërtuar një QMF në fshatin Doganaj, kemi blerë një automjet për dializë, kemi nënshkruar një kontratë për blerjen e një mamografi në vlerë prej 108 mijë euro dhe shpresojmë që deri në fund të vitit do të kemi mamografi në komunën e Kaçanikut”- ka thënë Ilazi.

Tutje foli edhe për projektet në fushën e arsimit dhe kulturës disa nga këto projekte ishin te përfunduar e disa prej tyre thotë së priten të përfundojnë gjatë mandatit të mbetur

“Sa i përket arsimit është rinovimi i objekteve shkollore, pajisja e kabineteve me laboratore, të gjitha shkollat janë pajisur më kamera, kemi filluar me vendosjen e tabelave digjitale nëpër shkolla, fushat e sportit të gjitha janë përfunduar nëpër shkolla është salla e katërt e edukatës fizike që ka përfundu, tri të tjera i kemi përuruar dhe vitin tjetër e fillojmë të pestën ashtu siç kemi premtuar”- ka thënë Besim Ilazi.

Për arritjet që kryetari i përmendi në arsim nuk u pajtua asamblistja, Ernesta Krasniqi nga LVV-ja. Ajo foli për shkollën “Emin Duraku” dhe kushtet e kqija në të cilat nxënësit e kësaj shkolle ndjekin mësimin.

“Kryetar, “Emin Duraku” kur fillon? Shkolla më e madhe në Kaçanik është mjerim ku jena t’u i çu nxënësit me majtë mësim e mjerim ku jena t’u i detyru mësimdhënësit me shku me dhonë mësim, kundërmon erë, objekti është tejet i vjetër, këtë mundeni me e verifiku shumë lehtë”- ka thënë Krasniqi.

Lidhur me këtë kryetari tha së vazhdimisht jemi duke bërë kërkesa në Ministrinë e Arsimit pasi që nuk kanë mjete buxhetore për të ndërtuar një shkollë të tillë.

“Për çdo vit bëjmë kërkesa, për shkak së mundësitë buxhetore të Komunës së Kaçanikut nuk janë me e ndërtu një shkollë të tillë për shkak së kap vlerën mbi 3 milion euro”- ka thënë Ilazi.

Gjithashtu, asamblistja e LVV-së, Kadire Lika-Troni ngriti shqetësimin për mosfunksionimin e ashensorit në gjimnazin “Skenderbeu”, i paraparë për nxënësit me nevoja të veçanta.

“Të lutem kryetar tregom, nëse ti ke investu në ashensor në gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik, pse mësimdhënësit detyrohen nxënësin me aftësi të kufizuara t’a bartin për në kabinetin e informatikës dhe të biologjisë”- tha asamblistja Lika-Troni.

Kryetari Ilazi për këtë ka thënë së nuk është në dijeni nëse ky nxënës po bartet nga mësimdhënësit për tek kabinetet pasi që pas kërkesës së drejtorisë së kësaj shkolle është vendosur ashensori në këtë gjimnaz.

“Me kërkesë të drejtorisë së shkollës ne e kemi vendos ashensorin dhe ka kushtuar diku 17-18 mijë euro dhe kemi renovimin e oborrit, unë du me e pyet këtë (asamblisten) se ku po shkon ai se unë nuk e di, për këtë është mirë me e pyet drejtorin se ashensori u vendos dhe është funksional”- ka thënë kryetari i Kaçanikut.

Lidhur më këtë dha një përgjigje edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Kaçanikut, Zahir Doda.

“Ashensori është vetëm për fëmijët me nevoja të veçanta, është kërku prej gjimnazit që me pasë qasje në klasat mësimore, në bibliotekë, në zyre dhe kjo është pjesa çka kemi mundur me bo, teknikisht nuk mundemi, duhet vlerë tepër e madhe për me u bë më tepër”- tha Doda.

E në debatin “Jeta në Komunë” nuk u la pa u diskutuar edhe çështja e banimit social në Komunën e Kaçanikut, madje opozita për këtë hedhi akuza se po mashtrohen qytetarët për qëllime politike vetëm para zgjedhjeve.

“Ku janë punët e banimit social në fshatin Kaçanik i Vjetër, ka fillu në 2017 dhe ka pasë me përfundu në 2019 e tani veç jemi në 2024, është hera e tretë që bëhet shpallja e çuditërisht këtë herë para zgjedhjeve, është hera e tretë që formon komisione e mashtron qytetarët se ato banesa do të shpërndahen”- tha asamblistja nga LVV, Ernesta Krasniqi.

Kryetari Ilazi tha se e ka ftuar edhe opozitën me qenë pjesë e komisionit që do të bëjnë ndarjen e banesave, por sipas tij asamblistët e LVV-së kanë refuzuar me qenë pjesë e këtij komisioni.

“Për herë të parë komisionin e kemi formu para një muj dite, edhe hala se kam bërë komisionin, thirrjen e kam shpallë dhe unë kam kërku në mënyrë shoqërore me qenë pjesë e këtij komisioni edhe LVV-ja që ka refuzu, kam kërkuar nga AAK-ja dhe LDK-ja dhe kanë pranu”- ka thënë kryetari Besim Ilazi.

Kaçanikasit të zëshëm për mbrojtjen e ambientit

Qytetarët e Kaçanikut janë treguar të vëmendshëm ndaj mundësisë që ofroi KALLXO.com për të raportuar problematikat që i preokupojnë ata para debatit “Jeta në Komunë” në Komunën e Kaçanikut.

Për problemin me ndotjen e ambientit, qytetarët kanë dërguar pamje nga vende të ndryshme të Kaçanikut, të hapësirave të cilat janë të mbuluara më mbeturina.

Qytetarët kanë raportuar për papastërtinë dhe deponitë e mbeturinave afër lumit në fshatin Doganaj, sipas qytetarëve e njëjta gjendje është edhe në fshatin Dubravë. Fshati Vataj i Kaçanikut është quajtur deponi për shumë mbeturina e mbetje të sanitarisë. Pamje të mbeturinave janë evidentuar edhe në afërsi të lumit Nerodime.

Kryetari Besim Ilazi tha se kanë eliminuar 12 deponi të mbeturinave. Ai deklaruar se një pjesë e deponive janë në pronat private duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për t’a mbajtur ambientin e pastër.

“I kemi eliminuar dikur rreth 12 deponi, mirëpo ka prej atyre prapë përkundër eliminimit të këtyre deponive, sepse shumica janë në pronat private, përkundër asaj këtu duhet me na ndihmu edhe qytetari, sepse është e pamundur na me e lujtë rolin e polit me i rujtë se ku po i hedhin mbeturinat”- tha kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi.

Diskutimi i raportit të Auditorit – Kundërshtimi i kryetarit për vlerësimin negativ në Raportin e Perfomancës Komunale

Vlerësimi i Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal në Raportin e Performancës Komunale për Kaçanikun del të jetë negativ sa i përket diskutimit të raportit të Auditorit dhe mungesës së pozitave udhëheqëse nga gratë në institucionet arsimore, shëndetësore, kulturore sportive.

Në këto dy kritere Komuna e Kaçanikut është vlerësuar me zero pikë.

I pari i Kaçanikut e ka kundërshtuar këtë vlerësim duke thënë se raporti i Auditorit për çdo vit diskutohet në Kuvendin Komunal.

“Të raporti i auditorit për çdo vit janë edhe opozita që raporti i auditorit për çdo vit vjen, por asnjëherë nuk kemi pas komentin e dytë për cilat arsye jemi ndëshkuar”- tha kryetari i Kaçanikut.

Kaçaniku në Raportin e Performancës nuk qëndron mirë as sa i përket hapësirave të gjelbra publike për kokë banori. Për këtë kriter kjo komunë është vlerësuar me vetëm 1.09 pikë.