Kryeministri Albin Kurti do të pranojë Raportin e Progresit për Kosovën, të mërkurën më 30.10.2024.
Kështu bëri të ditur vetë ai, në konferencë për media më 29.10.2024.
“Së pari, për çështjen e integrimit evropian dhe raporteve me Bashkimin Europian, nesër do ta pranojmë zyrtarisht Raportin e Progresit për vendin tonë dhe do të mund t’ju drejtohemi lidhur me të gjitha gjërat që shkruhen dhe aludohen aty, sepse është shumë voluminoz”- tha Kurti.
Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.
Komisioni Europian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut, shkruan në draft- Raportin e Progresit.
Kryeministri Kurti gjatë konferencës tha se Kosova nuk ka pasur asnjë faj sa i përket eskalimit në situatës në vitin 2023.
“Ishin bandat kriminale, ato turmat fashiste që lënduan mbi 90 ushtarë të KFOR-it dhe gazetarë. Barrikadat kur u vendosën, sulmi në Banjskë, gjithçka tregon se burimi për destabilizim dhe eskalimin të tensioneve vjen nga fqinji ynë verior”- shtoi Kurti.
Në draft-raport thuhet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.
Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i evitojnë veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin.
Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë kryesit e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.