RRUFE

Skenderaj mes premtimeve dhe realitetit: Sfida e kryetarit Nura për të përmbushur premtimet

Pas një mandati në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka rikthyer drejtimin e komunës së Skenderajt nën udhëheqjen e kryetarit Fadil Nura. Megjithatë, edhe pse u vunë në zbatim projekte të shumta për përmirësimin e jetës së qytetarëve, të tilla si ndërtimi i çerdheve, rinovimi i objekteve dhe zgjerimi i rrugëve, banorët e komunës vazhdojnë të përballen me sfida të përditshme.

Në debatin “Jeta në Komunë”, Nura mbrojti arritjet e mandatit të tij, ndërsa asamblistët e opozitës vunë në dukje mungesat dhe premtimet e papërmbushura. Mes projekteve të realizuara dhe atyre që mbeten në pritje, debati solli në pah tensionet politike, akuzat për keqpërdorime dhe sfidat për t’u përballur me shqetësimet e qytetarëve.

Asamblisët e opozitës kërkuan llogari nga kryetari në lidhje me projektet, duke filluar nga Liqeni Artificial deri te Fabrika e Betonit.

Asamblisti Abdullah Gashi nga Lista e Idealit për premtimin e liqenit artificial në Polac dhe trajtimin e ujërave të zeza nëpër fshatra që po ndotin edhe ujin e pijshëm.

“Shkojmë te premtimi të liqenit artificial në Polac, ku ju ka premtu banorëve që do të ketë liqen artificial dhe shteg të biçikletave, tjetra është te rregullimi i kanalizimit dhe trajtimin e ujërave të zeza që janë duke e ndotur edhe puset më ujë të pijshëm nëpër fshatra. Te ujërat e zeza, përballë Kompleksit Memorial në Morinë është një gjendje shumë e tmerrshme prej ernave” – ka thënë asamblisti Gashi.

Kryetari Nura tha se nuk ka bërë një premtim të tillë por ka qenë vetëm projek ide, ndërsa ujërat e zeza ka thënë së janë duke i trajtuar në çdo fshat.

“Jeni gabim, unë nuk e kam premtu atë liqen, ka qenë projekt ide që e kemi diskutuar, por unë asnjëherë nuk kam premtu liqen artificial sepse e di kapacitetet tona si komunë, ndërsa për kanalizimin kemi punu, çdo fshat e kemi trajtuar edhe ato ku i keni lënë keq ju”- është përgjigjur kryetari Nura.

Asamblistja tjetër e Listës së Idealit, Alketa Mecini, ngriti për diskutim edhe çështjen e ndërtimi të banesave për familjet e dëshmorëve. Për këtë çështje kryetari Nura njoftoi së vitin e ardhshëm do të mund të sistemohen familjet e dëshmoreve në banesa.

“Projekti i banesave prej 128 banesave tani kur po flasim është në procedim të pranimit teknik, kemi investu mbi një milion euro, ndërkohë në buxhet e kam paraparë edhe fillimin e banesës së dytë në mënyrë që ta arrijmë kuotën që gjitha familjet e dëshmoreve vitin e ardhshëm të sistemohen në banesa”- ka deklaruar kryetari Fadil Nura.

Investimi 4-milionësh për ndërtimin e fabrikës së betonit, në të cilën do të punësoheshin 100 persona, është ngritur si çështje nga asamblistja e LVV-së, Floriana Halili.

“Zotëri Nura keni premtuar që do e bëni fabrikën e betonit në të cilën keni premtuar katër milionë euro dhe keni premtu që do jenë 100 të punësuar, ku është kjo nuk është realizu” – ka thënë Halili.

I pari i Skenderajt, Fadil Bura, për ketë tha se ka ofruar kushte për investim dhe nëse vonohet plani siç është kontraktuar do të shfuqizohet ky vendim dhe do t’i merret prona investitorit.

“Unë kam garantu këtu para jush që do t’i ofroj kushte dhe mundësi secilit investitori, qoftë i huaj, qoftë vendor për investime në komunën e Skenderajt dhe këtë e kam bërë, por se a investon ai tash një milion a dy a tre nuk është në përgjegjësinë time dhe prona e komunës mbetet aty, ai ka fillu një fazë, është vonuar pak, i kam shkruar shkresë zyrtare dhe e kam njoftu që nuk je me planin dinamik, po presim, nëse jo kemi me e kthy dhe me e shfuqizu, prona mbetet aty”- ka thënë Nura.

Akuza pati edhe sa i përket shfrytëzimit të pronave komunale. Asamblisti Hysni Mehani deklaroi se kryetari Nura ka dhënë për shfrytëzim një pronë komunale pa asnjë cent.

“Bekim Jashari ka pas fillu procedurën për me bo Skenderajn me stacion të autobusëve edhe zoti Nura e ka pas dhonë një opinion që ka thanë që më dhanë pronën komunale për 400 mijë euro të vlerës së investimit 21% është e papranueshme dhe e kundërligjshme, ndërkohë që tani të njëjtën pronë komunale e ka dhonë pa asnjë cent me 30% të operimit” – ka thënë Hysni Mehani nga VV-ja.

Kryetari Nura dhënien e kësaj prone e arsyetoi mbi bazën e rregullores për taksa.

“Dhënia e pronës se ai (asamblisti) është ka e ngatërron shumë, Autoriteti i Konkurrencës nuk mund të ndërhyjë në autonomin e pushtetit lokal mbaje mend, se nuk jeni i vetëdijshëm çka po flet. Autoriteti i Konkurrencës thotë diçka tjetër, ma kanë bërë një shkresë, kërkun në bazë ligjore nuk janë thirrë, ndërkohë që na e kemi të rregulluar me rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba që buron nga ligji i financave të pushtetit lokal që është autonomi e komunës që ju keni votu për atë rregullore për çmimin e dhënies në shfrytëzim të pronave” – ka thënë Nura.

Ku e kapi në “rrenë” Krypometri kryetarin Fadil Nura?

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura kishte premtuar fasadimin e objekteve të vjetra banesore kolektive në qendrën e Skenderajt. Pas verifikimit nga ekipi i “Jeta në Komunë” doli që ky premtim është përmbushur nga i pari i Skenderajt. 

Mirëpo zotimin për publikimin e listës së uzurpatoreve të pronave komunale kryetari Nura nuk e  ka përmbushur.

“Ku ka pronë të uzurpume kemi me e identifiku edhe listën kemi me e publiku sa ma shpejtë, besoj për një vit” – kishte premtuar Fadil Nura më 29.11.2021.

Ekipi i “Jeta në Komunë” e ka verifikuar këtë premtim dhe ka gjetur se kjo listë nuk është publike në faqen e komunës. Kryetari Nura tregoi arsyen pse nuk e kanë publikuar këtë listë dhe çfarë zgjidhje kanë ofruar në këtë drejtim lidhur me kthimin e pronave komunale.

“Ne nuk i kemi publiku për faktin se nuk kemi dashtë për shkak së janë ndërtime të paraluftës, ndërtime shumë të vjetra dhe e drejta e pronësisë më ligj ata që e shfrytëzojnë një periudhe të gjatë në mënyre abuzive nuk mundemi me e rregullu, por këtë e kemi rregullu përmes rregullores për taksa, ngarkesa dhe gjoba se shfrytëzimin e pronave ilegale e kemi tatuar 10 herë me shumë në lloj gjobe. Tetë shfrytëzues i kemi ilegal, ndërsa shtatë raste të tjera i kemi zgjidhë përmes planifikimit urban” – ka deklaruar Nura.

Banorëve të lagjes “Osaj” në Klinë të Epërme kryetari Nura iu kishte premtuar ndriçim dhe trotuare brenda dy viteve.

“Ne lagjen ‘Osaj’ kam qenë personalisht, ju kam premtu ndriçimin, trotuarin dhe një fushë aty që është në mes të lagjes, po besoj për dy vite kemi me e realizu”- kishte premtuar kryetari Nura më 29.11.2024.

Pas verifikimit në terren, ekipi i “Jeta në Komunë” ka gjetur se fusha e sportit është përfunduar në lagjen ‘Osaj’ të Klinës së Epërme, por ndriçimi publik dhe ujësjellësi ende nuk ka nisur as pas tri viteve në pushtet të Fadil Nurës.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe një banor i kësaj lagje, i cili tregoi për kërkesat e tij karshi kryetarit Nura për lagjen ku ai jeton.

“Kam kërku një fushë me na ndreqë, siç po shihet këtu është punu është kry edhe i kam kërku edhe ndriçimin për lagjen Osaj, kam dëgju mandej edhe një premtim për trotuare, është i mirëseardhur edhe ai” – ka thënë banori Xhevdet Osaj.

Kryetari Nura ka thënë se brenda muajit do të fillojnë punimet për ndriçim publik, ndërsa për punimet në trotuare tha se pritet të fillojnë pasi të përfundojnë punimet në fshatin Prekaz.

“Është në proces, ndriçimi ka arritë në Klinën e Mesme është duke vazhduar në Klinën e Epërme, besoj brenda muajit (tetor) mbërrijmë në lagjen ‘Osaj’ në Klinë të Epërme, për trotuaret jemi duke punuar në Prekaz, kemi përfunduar trotuaret në Polac të shkolla dhe më pas do të kalojmë me trotuare në atë pjesë” – ka thënë Fadil Nura.

Edhe pse ishte premtuar edhe asfaltimi i rrugës në lagjen ‘Qarkaj’ të fshatit Rakinicë, në vitin e parë të mandatit të tij, gjendja e kësaj rrugë vazhdon të jetë e njëjta pasi që kryetari Nura nuk ka realizuar premtimin e dhënë.

Premtim u dha edhe për investim në tabelat digjitale për të gjitha shkollat në Skenderaj, mirëpo për këtë premtim ‘hetimet vazhdojnë’ pasi që deri me tani nuk është përmbushur siç ishte premtuar.

Funksionalizimi i shkollës “Elena Gjika” në fshatin Makermal është zotimi që është përmbushur nga kryetari Nura, kjo shkollë tani është funksionale dhe nxënësit po vijojnë mësimin në objektin e ri.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, renditi disa nga projektet për të cilat tha se ka arritur t’i përfundojë dhe prezantoi disa të tjera të cilat priten të përfundojnë gjatë këtij mandati qeverisës.

“Fillojmë më subqendrat në Runik, Qirez dhe Likocë, fasadimin e objekteve banesore kolektive në shesh, zgjerimi i bulevardit “Ilaz Kodra” i përfunduar, unaza e jashtme rrugore duke u punuar, ndërtimi i objektit për “Unitetin” dhe “Ekonatyren” dy kompani publike e përfunduar, parkingje për banorët rezident e përfunduar”- ka thënë Nura.

Tutje kryetari Nura foli edhe për projektin e Stacionit të Autobusëve që është në fazën e fundit të punimeve, renovimin e çerdhes publike, gjithashtu njoftoi që së shpejti do finalizohen edhe dy çerdhe të reja, parqet e ndërtuara e hapësirat që janë krijuar për parkingje në Skenderaj.

“Stacioni i autobusëve në fazën finale, parku për fëmijë para gjykatës dhe prapa gjykatës i përfunduar, renovimi i çerdhes publike si dhe faza finale e përfundimit të dy çerdheve tjera publike, sahat kulla e përfunduar, fontana e përfunduar, tregu i gjelbër në fazën finale, poligoni multifunksional përfshirë parkingun publik me kapacitet deri në 400 vetura e përfunduar”- përfundoi Nura.

“Pas shiritit” – gjendja e projekteve të promovuara nga Komuna e Skenderajt

Drunjtë e mbjellur nga komuna në rrugën “17 shkurti” në Skenderaj ishin promovuar si projekt suksesi nga komuna në faqen e tyre zyrtare në Facebook, mirëpo pasi ekipi i “Jeta në Komunë” ka dalur në terren për verifikim, janë parë drunj që nuk janë rritur ose vyshkur. 

Kjo është pak çështje sensitive pasi që drunjtë që mbillen në rrugë që kanë trashësi të madhe të zhavorit, zakonisht një sasi e tyre na kanë dështuar sivjet diku prej 20% e që kompania e ka obligim t’i zëvendësojë ose në fund të këtij viti ose në pranverën e vitit të ardhshëm” – ka thënë Nura.

Projekt tjetër madhor që u promovua nga komunarët është edhe bulevardi “Ilaz Kodra”. Pamjet që komuna ka shpërndarë në rrjetin social Facebook për këtë projekt janë ndryshe nga ajo çka në të vërtetë është gjendja. Mungesa e trotuareve në një pjesë të bulevardit nuk shihet në fotot e publikuara nga Komuna e Skenderajt, por gjendja është vështirë e kalueshme më karrocë. Gjithashtu, Komuna e Skenderajt ende nuk ka arritur ta përfundojë projektin në zonën e urës që ndodhet në qendër të qytetit.

“Sa i përket çështjes së bulevardit është e drejtë sepse ura ka mbet projekt në veti, e kemi bërë projektin delta të urës, është një urë që do të jetë në harmoni me sahat kullën dhe do të jetë pjesë bukur e dukshme e qytetit” – ka thënë Nura. 

Një postim tjetër më 04.07.2022 nga Komuna e Skenderajt ishte për ndriçimin publik në parkun “Ilaz Rrecaj”. Mirëpo gjendja aktuale tani në këtë park është krejt ndryshe pasi që ndriçimi publik është jashtë funksionit qe një kohë.

Problemi me ndriçimin publik në parkun “Ilaz Rrecaj” sipas kryetarit është si shkak i vërshimeve të mëdha të vitit të kaluar nga të cilat është dëmtuar sistemi elektrik.

“Ndriçimi është problem prej kohës së vërshimeve, është zona ku është goditë më së shumti gjatë vërshimeve të 19 janarit (2023) dhe kemi bërë përpjekje për me e funksionalizu, por është problem, e kemi tani në kuadër të mega-projektit një milion e gjysmë edhe të fshatrave dhe qyteteve që do ta ndryshojmë sigurisht bashkë më komplet sistemin e projektit” – është përgjigjur Nura.

Vërshimet e shiut në fillim të vitit 2023 kishin shkaktuar dëme të mëdha në Komunën e Skenderajt. Gati dy vjet prej kur kishte pasur vërshime, gjendja e lumit Klina që në atë kohë kishte dalur nga shtrati vazhdon të jetë e rëndë.

Në pamje nga droni të lumit Klina janë parë mbeturina dhe barishte të shumta rreth shtratit të këtij lumi.

Në lidhje me problemin në lumin Klina, kryetari Nura tha se tani në Drejtorinë e Administratës është përfshirë shërbimi i mbledhjes së mbeturinave dhe se është trajtuar, mirëpo për gjatë këtij lumi ka probleme me shpronësim që i hap një telash tjetër komunës.

“E vërtetë është premtim që e kam dhënë te ju (debati KallxoPernime), në Drejtorinë Administrative të Komunës së Skenderajt janë të përfshira 100%, shërbimi i mbledhjes së mbeturinave. Problemi këtu te Klina për faktin së ne e kemi trajtu prej Klinës së Ulët deri në Kuçicë komplet këtë pjesë, ka probleme pronësore dhe nuk kemi arritë me i zgjedhë këto probleme pronësore sepse nuk kemi mjete për shpronësim”- ka thënë Nura.

Banjot jashtë shkollës në fshatin Morinë

Në debatin “Jeta në Komunë” u diskutua edhe për gjendjen në arsim. Qytetarët nga Skenderaj raportuan për gjendjen e shkollës “Drenica” në fshatin Morinë, Problem në ketë shkollë është shembja e dheut dhe banjot e shkollës të cilat janë jashtë objektit ku mbahet mësimi dhe në gjendje jo të mirë.

Banjot e këtij objekti shkollor ishin pothuajse jashtë funksionit pasi që kishte mungesë të ujit dhe pajisjet ishin jashtë funksionit.

Për këtë situatë foli drejtori i Arsimit në Skenderaj, Kastriot Duraku, i cili njoftoi për investimet që janë bërë vitin e kaluar. Gjithashtu tregoi së brenda shkollës nuk ka mundësi për krijimin e hapësirave për banjo pasi që shkolla është e vogël.

“Realisht gjendja aktuale është kështu siç shihet por vitin e kaluar kemi intervenuar komplet në këtë shkollë, mirëpo gjatë kohës kur nxënësit nuk janë pjesë e shkollës, banjot janë jashtë objektit shkollor dhe shfrytëzohen nga banorët e tjerë, brenda shkollës nuk ka hapësira të mjaftueshme për banjo” – ka deklaruar Duraku.



Raporti i Performancës për Skenderaj

Komuna e Skenderajt ka pasur vlerësime negative në Raportin e Performancës Komunale të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për punësimin e personave me nevoja të veçanta dhe për funksionimin e këshillave lokale.

Kryetari Fadil Nura e kundërshoi këtë vlerësim duke thënë se gjendja nuk është e tillë, mirëpo raportimi nuk është bërë siç duhet.

“S’janë raportuar mirë, është e vërtetë nuk është raportu mirë, d.m.th nëntë persona i kemi të punësuar me nevoja të veçanta, por nuk e di ose ka mundur me qenë gabim teknik nuk e di arsyen pse, por shtatë të punësuar janë në QKMF dhe dy të tjerë në administratë në komunë” – ka thënë Nura.

Ndërkaq për funksionimin e këshillave lokale kryetari Nura tha së vendimi në kuvend është marrë dhe vetëm pritet të fillojnë punën.

“Funksionimin për këshillat lokale e kemi marrë vendimin si kuvend, kemi mbetë të fillojmë dhe ideja ime ka qenë që të planifikojmë buxhet që këto këshilla t’i stimulojmë pak a shumë me qëllim që të jenë funksionale sepse ne mund të bëjmë edhe formalitet por përderisa nuk kanë funksionu edhe nuk funksionojnë në shumicën e komunave aty ku nuk janë stimuluar d.m.th janë jofunksionale” – përfundoi Nura.