Rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu ka thirrur mbledhjen e Senatit të UP-së që pritet të mbahet sot, më 30.10.2024.
Kjo është mbledhja e parë e Senatit të UP-së që rektori Hajrullahu do ta kryesojë, prej se e mori pozitën e rektorit.
Sipas njoftimit të UP-së, rendi i ditës i mbledhjes së Senatit të UP-së më 30.10.2024, përfshin emërimin e disa komisioneve dhe këshilleve në UP.
Në mesin e këshilleve që është përmendur emërimi i tyre, pritet edhe emërimi i Këshillit të Etikës të UP-së, të cilit i ka përfunduar mandati më 01.10.2024.
Këshilli i Etikës i UP-së që i përfundoi mandati përbëhej nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryesues) dhe anëtarët – Arben Hajdari, Skender Muji dhe Rrezeart Galica.
Prej komisioneve që do të emërohen janë: komisioni i studimeve, komisioni për sigurimin e cilësisë, komisioni për ankesa dhe parashtresa, komisioni për etikë në kërkime shkencore, komisioni për çështje statutare dhe një komision për plotësimin dhe ndryshmin e dy rregulloreve të caktuar të UP-së, si dhe hartimin e një rregulloreje.
Dy rregulloret e UP-së që do të trajtohen nga komisioni për plotësimin dhe ndryshimin e tyre janë të datës 27.04.2022: rregullorja me nr.886 për procedurat përzgjedhëse për emërimin, rimemërimin dhe avancimin e personelit akademik në UP dhe rregullorja me nr.887 për procedurat përzgjedhëse për emërimin, rimemërimin dhe avancimin e personelit akademik në Fakultetin e Arteve.
Kurse, rregullorja që do të hartohet nga komisioni i UP-së është rregullorja për transferim, programi ‘brain gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të përcaktuara sipas nenit 151 të Statutit të UP-së, si dhe për hulumtues universitar, sipas nenit 159 të Statutit.
Në anën tjetër, rektori Hajrullahu u zgjodh për këtë pozitë nga Këshilli Drejtues i UP-së, më 07.08.2024, kurse ka filluar mandatin më 01.10.2024 që do t’i zgjasë për katër vjet.
Me mandat katwrvjeçar u zgjodhën edhe anëtarët e rinj të Senatit të UP-së, më 24.04.2024.
Zgjedhja e senatorëve bëhet nga këshillat e fakulteteve në bazë të Rregullores për rregullat dhe procedurat për zgjedhjet e përgjithshme të personelit akademik dhe joakademik të UP-së, të datës 07.03.2024.
Në mesin e këtyre senatorëve, profesori në Fakultetin Ekonomik, Liridon Veliu, është zgjedhur për mandat të tretë. Rregullorja e re UP-së nuk lejon që anëtarët e Senatit të kenë mandat të tretë. Por sipas Universitetit të Prishtinës, rregullorja nuk vlen për mandat e mëhershme, por vetëm prej kur ka hyrë në fuqi dhe sipas tyre, kjo ia ka mundësuar Liridon Veliut mandatin e tretë.