Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të pranishëm në seancën parlamentare të mbajtur më 30.10.2024, nuk votuan për lejimin e importimit të veturave më të vjetra se 10 vjet.
Ky propozim ishte prezantuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku.
52 deputetë votuan kundër, nëntë votuan për dhe pesë abstenuan për plotësim/ndryshimin e Projektligjit për automjetet.
Lushtaku, kur e prezantoi këtë propozim tha se jo të gjitha familjet kanë mundësi të blejnë vetura të reja.
Sipas tij, me këtë ndryshim të ligjit synohet t’i dilet në krah ekonomive familjare me të ardhura të ulëta ose të mesme.
“Ka qenë kërkesë e shumë qytetarëve për këtë ndryshim, sidomos prej familjeve me standard të ulët”- tha ai, duke shtuar që jo secili ka mundësi të blej vetura të viteve të fundit.
Sipas tij, me Eurodiesel 5 ruhet ambienti dhe ajri në përgjithësi.
Propozimin e Lushtakut e quajti “joprofesional” deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
“Komisioni mendon që propozimet janë joprofesionale dhe kërkojmë që mos të votohet. Ministria e Mjedisit është duke punuar për ndryshimet në Ligjin për automjetet”- tha ajo, duke shtuar që deputetët të presin “ndryshimet profesionale” të Ligjit nga Ministria.
Ligji i Kosovës për Automjetet nuk e lejon që të regjistrohen veturat e importuara që janë më të vjetra se 10 vjet.