Deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 30.10.2024, kanë miratuar në lexim të parë Projektligjin për Menaxhimin e Resurseve Ujore.
Fillimisht, ky projektligj nuk u arritë të prezantohet fare në mungesë të ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu. Meqë nuk kishte kush ta prezantonte, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i kritikojë kabintetet e ministrave që të jenë më të vëmendshëm për datat e seancave kur kanë projektligje për të prezantuar.
Meqë, votimi për herën e parë nuk ndodhi, më vonë Projektligji u prezantua nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, në emër të Qeverisë së Kosovës.
Projektligji u miratua në shqyrtim të parë me 61 vota për.
Bislimi gjatë prezantimit tha se ky Projektligj mundëson menaxhimin e resurseve ujore, si mbrojtja e ujërave, mbrojtja nga veprimet e dëmshme mbi to, dhe shfrytëzimi efiçientë i ujërave.
“Përmes Projektligjit adresojmë mangësitë e ligjit aktualë për ujërat”- tha ai, duke shtuar se përmes Projektligjit mundësohet themelimi i Agjencisë për Menaxhimin e Resurseve Ujore si agjenci ekzekutive.
Bislimi tha se përmes Projektligjit në fjalë, rregullohen çështjet që kanë të bëjnë me tokën ujore dhe objektet ujore, instrumentet e dhënies të së drejtës ujore për shfrytëzim të ujërave dhe shkarkim të ujërave të ndotura.