Edhe pse është viti 2024, qytetarët e Komunës së Klinës ende nuk kanë ujë të pijshëm. Kur kishte ardhur në pushtet në vitin 2021 kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, kishte premtuar se çdo fshat do të kishte ujë të pijshëm brenda dy viteve.
“Brenda dy viteve, në vitin 2023 do të ketë ujë të pijes në të gjitha fshatrat, sepse ujë ka, por nuk ka ujë të pijes, ngase fabrikës i mungojnë edhe repartet e nevojshme si parafiltrimi”- ishte zotuar Elezaj më 08.10.2021.
Jo brenda dy viteve, mirëpo as gati në fund të vitit të tretë në pushtet, premtimi për ujë të pijshëm në Klinë nuk u përmbush nga qeverisja e Elezajt.
“Punimet po ecin [për fundërruesin], deri këtu kanë mbërri, shpresoj që të kryhen sa më parë, ishalla do Zoti deri kah fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit të kemi ujë, Komuna e Klinës”- tha qytetari Hil Ndrecaj.
I pari i Klinës, Zenun Elezaj premtoi edhe se punimet në këtë projektin e fundërruesit, i cili pritet ta bëj ujin të pijshëm, do të përfundojnë këtë vit.
“Në kontratë parashihet që të përfundojë në muajin nëntor [2024] punimet, dhe pastaj fillon me fazë testuese” – tha Elezaj në “Jeta në Komunë” më 12.10.2024 duke shpjeguar se fundërruesi ka kapacitet përreth 100 litra në sekond dhe se parashihet të mbulojë qytetin e Klinës dhe fshatrat përreth.
“Ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga burimi i Jarinjës, mirëpo ende nuk është trajtu” – shtoi kryetari Elezaj.
Për këtë, asamblisti nga radhët e PDK-së, Esat Raci, ngriti çështjen e gypave të ujit, të cilët sipas tij, janë vendosur në 11 fshatra të Klinës në vitin 2022, “por prapë nuk kanë ujë”.
“Çka u bë me gypat për 11 fshatrat verilindore?! Nga viti 2022 gypat janë të shtrim, është projekt i CDI-së. Qytetarët e atyre fshatrave ende bartin ujë me cisterna” – tha Raci, i cili njëherësh në zgjedhjet e fundit ka qenë kundërkandidat i Elezajt për kryetar të Klinës nga PDK.
Elezaj u përgjigj duke thënë se këto fshatra do të kenë ujë të pijshëm kur përfundon projekti i fundërrruesit.
“Për projektin e fshatrave lindore ka fillu në vitin 2019 është bërë nga donacioni zviceran, menaxhimin e ka bo Hidrodrini. Komuna ka qenë me asistencë të këtij projekti. Këto fshatra kur përfundon projekti i fundërruesit do të kenë ujë por janë dy çështje që nuk janë përfundu është njëra se KEDS-i nuk ka leju finalizimiin e trafos dhe tjetra ka të bëj me një shpronësim për një distancë 300 metra, problem të cilin do ta zgjidhim me shpronësimin e transitit, i cili është në fillim të procedurave. Ne jemi zotuar se do të bëjmë shpronësimin” – shtoi Elezaj.
Asamblisti nga LDK, Arben Limani, tha se në periudha të ndryshme deri më tash janë investuar rreth 4 milionë euro në Klinë për ujin e pijes, por ende nuk ka zgjidhje.
“Çështja e këtij fundërruesi në 850 mijë euro me konsultë të kësaj fushe më kanë thanë se fundërruesi do të furnizohet nga uji i Drinit të Bardhë, dhe dihet se Istogu krejt derdhjet e kanalizimit i ka në Drinin e Bardhë. Shumë e dyshimtë që ky fundërruesi ka me arritë me furnizu fabrikën e ujit” – tha Limani.
Alarmante e ka quajtur gjendjen e ujit në institucionet arsimore në Klinë, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Valmira Krasniqi.
“Uji i papijshëm në shkollat e komunës është një problem i rëndë që rrezikon shëndetine fëmijëve. Derisa keni premtu investime për përmirësimin e ujit të pijshëm situata në shkolla është shumë alarmante. Pas gjithë këtyre viteve qeverisje, nuk keni arritu të siguroni ujë të pastër dhe të pijshëm në insititucionet arsimore”- tha Krasniqi.
“Kabineti i burrave”
Komuna e Klinës nuk e ka asnjë grua drejtoreshë. Ndonëse Zenun Elezaj, në vitin 2021, premtoi se 30% deri në 50% e kabinetit të tij, do të jenë gra, një gjë e tillë nuk u realizua.
“Në mandatin e ardhshëm, minimum do t’i emëroj 30% gra, por do të synojë 50%”- këto ishin fjalët e Zenun Elezajt më 08.10.2021.
Kryetari i Klinës tha se numri dy i komunës i takon një gruaje, pra është një nënkryetare.
“Vërtetë është sfidë e madhe me e mbajtë pozitën e drejtorit dhe nuk ka shumë të interesuara…Nuk është se nuk kemi nga gjinia kuadro të përgatitura, kemi gjithsesi. Ne e kemi pasë një drejtoreshë, por që për çështje familjare është tërheqë”- tha Elezaj.
Sa herë e ‘kapi’ në rrenë Krypometri?
Përveç dështimit në përmbushjen e premtimit për numrin e grave në krye të drejtorive dhe ujin e pijes, Krypometri zbuloi edhe premtime të tjera të parealizuara të Elezajt në Klinë. Premtimi për publikimin e listës së uzurpatorëve nuk u përmbush gjatë këtyre tri viteve.
“Ka probleme kadastrale të mëdha. Por duhet punë, angazhim e saktësi, por besoj se së shpejti” – u arsyetua kryetari Elezaj në “Jeta në Komunë”.
Gjatë qeverisjes së Zenun Elezajt, Klina u bë me stacion të autobusëve, premtim ky i cili u përmbush. Mirëpo, ndërmarrja e cila ishte premtuar se do të themelohet për ta menaxhuar Stacionin e Autobusëve, nuk është bërë ende. Sipas Elezajt, për këtë përgjegjëse është Qeveria.
“Kemi pasë tri ndërmarrje me i themelu, mirëpo nuk kemi arritë për shkak të mosmbështetjes nga ministria e linjës [Ministria e Ekonomisë]. I kemi dërgu edhe propozimet, as nuk përgjigjen fare [nga Ministria]- tha Elezaj.
Shkolla fillore “Motrat Qiriazi” në Klinë është renovuar, ndërsa fshati Zllakuqan ende nuk ka shkollë të re, e cila ishte premtuar se do të bëhet brenda këtij mandati qeverisës të Elezajt. Edhe premtimi se do të ketë mësim tërëditor në një shkollë me gjithë infrastrukturën e nevojshme, doli se nuk është realizuar.
“Sukseset” e Elezajt në Facebook, me mangësi në teren
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj u përball edhe me verifikimin e ekipit të KALLXO.com në teren, të projekteve të cilat ishin promovuar nga Komuna e Klinës në rrjetet sociale.
Disa herë në profilin e tij në Facebook, Elezaj kishte promovuar investimet që ishin kryer brenda dhe jashtë shkollës “Motrat Qiriazi”. Mirëpo disa muaj më vonë oborri i kësaj shkolle ishte mbushur me banka dhe inventarë që ishin nxjerrë jashtë si mbeturina.
Një shkollë tjetër që u promovua në rrjete sociale ishte edhe investimi në gjimnazin “Luigj Gurakuqi”. Punimet u promovuan si sukses gjatë muajit gusht por në tetor nxënësit gjetën grumbuj të mbetjeve të karrigeve e invertarit në oborrin e shkollës.
Kryetari Zenun Elezaj në “Jeta në Komunë” dha një arsyetim për këtë gjendje.
“Për asgjësimin e tyre, ne e kemi planifikuar që të shpallim në ankand publik. Dhe jemi në procedura të shpalljes së tenderit për me i dhanë për një vlerë të kompensuar sepse përndryshe nuk kemi të drejtë me i asgjësu/bartë” – tha Elezaj.
Në vitin 2023 kryetari i Komunës së Klinës promovoi në Facebook edhe projektin për ndërtimin e rrugës “Ymer Berisha” në qendër të Klinës. Në projekt u premtua se do ketë vendndalime për automjete, të cilat mund të shfrytëzohen si vendndalime për kohë të shkurtë. Por në terren qytetarët nuk mund t`i parkojnë veturat për shkak se këto vendndalesa nuk janë vendosur.
“Ka qenë e paraparë sipas projektit dy vendparkime, por ka pasë ndëryrje” – tha Zenun Elezaj.
Akuzat e qytetarit për “hakmerrje politike”
I pari i Klinës gjatë debatit u përball edhe me akuza për diskriminin nga një qytetar i fshatit Dresnik. Sipas kryetarit të këtij fshati, Josip Dedaj, projektet nuk po përfundohen në këtë fshat për shkak të “hakmarrjes poltike”.
“Asnjë projekt nuk është mbaru në këtë fshat. Projekti i kanalizmit që ka fillu, nuk është mbaru, është edhe një pjesë e madhe e fshatit që nuk kanë. Rruga s’është kurrkund, po e them me plot përgjegjësi, në 2018 Asambleja Komunale në Klinë i ka nda 65 mijë euro në 2018 edhe në 2019 u kanë si prioritet fshati Dresnik”- u shpreh Dedaj.
Sipas Dedajt, arsyeja pse Komuna e Klinës është duke i penalizuar është për shkak të një iniciative të banorëve të këtij fshati për ndalimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos në këtë zonë.
“Na nuk kemi rrugë. Nuk është vetëm fshati Dresnik, po është edhe fshati Dollc dhe Grebnik që kanë mbetë në vesh të shurdhër nga Kuvendi Komunal. E vetmja arsye është që ne jemi ballafaqu me një iniciativë që e kemi ndalu ndërtimin e fabrikës së çimentos”- u shpreh Dedaj.
“Ajo rrugë është në trasenë e tranzitit të Komunës së Klinës, është projekt që po financohet nga Ministria e Infrastrukturës me bashkëfinancim nga Komuna e Klinës, projekt që tani është në procedura të prokurimit”- u përgjigj Elezaj.
Ndërkaq pretendimet e qytetarit për kanalizimin i hodhi poshtë kryetari.
“Kanalizimi është i kryer, unë nuk e di për çka po flet ai, nuk ka kanalizim pakryer”- u përgjigj kryetari.
“Mangësi në raportim”- Elezaj nuk pajtohet me vlerësimin në Raportin e Performancës
Në Raportin e Performancës Komunale të hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Klina në fushën e barazisë në punësim dhe shërbime sociale është renditur në vendin e 27-të.
Ndërsa në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike, Klina zë vendin e gjashtë, kjo komunë është renditur e 21-ta në fushën e transportit publik ndërkaq në fushën e mbrojtjes së mjedisit qëndron në vendin e 30-të në mesin e të gjitha komunave të Kosovës.
Vlerësimi për numrin e fëmijëve të cilët e vijojnë kopshtin ishte zero pikë, niveli i mbledhjes së e tatimit në pronë është vlerësuar me 35 pikë. Me zero pikë është vlerësuar edhe realizimi i planit komunal për transport publik.
Për këto të dhëna Elezaj tha se ka mangësi në raportim, ngase sipas tij komuna ka arritur të themelojë vetëm një Këshill lokal që do të i’u ndihmonte në një performncë më të mirë të komunës.
“Realisht ka edhe mangësi në raportim për shkak se këshillat lokalë nuk janë themelu, vetëm një kemi arritë me e themelu këtë vit”- deklaroi Elezaj.
Ndërkaq drejtori i Administratës, Binak Syla, tha se këshillat lokale nuk janë themeluar për shkak të një udhëzimi administrativ.
“Tani jemi në procedurë të zgjedhim këshillin lokal, e kemi zgjedhë në një bashkësi lokale të Ujimirit dhe shpresojmë që në të ardhmen do ta finalizojmë këtë projekt”- sqaroi drejtori Syla.