RRUFE

5 zyrtarë të Doganës largohen nga puna, shkelën kodin e etikës

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka larguar nga puna pesë zyrtarë dhe ka degraduar dy të tjerë, nën arsyen se kanë bërë shkelje të kodit të etikës.

Sipas një njoftimi për media, Dogana ka thënë se është e përkushtuar ndaj standardeve më të larta të integritetit dhe llogaridhënies në shërbimin të publikut dhe si pjesë e këtij përkushtimi, janë ndërmarrë masa disiplinore ndaj shtatë zyrtarëve të Doganës pas një hetimi të hollësishëm.

“Pas një procesi të plotë hetimor, Dogana e Kosovës ka larguar nga puna pesë zyrtarë dhe ka degraduar dy të tjerë. Ky hetim identifikoi prova për keqpërdorim të detyrës, që çoi në këto veprime” – thuhet në njoftim.

Tutje u theksua se të gjitha veprimet disiplinore janë në përputhje me standardet e brendshme dhe janë kryer me respektimin e procesit të rregullt, duke rikonfirmuar se Dogana e Kosovës nuk toleron asnjë formë të abuzimit të detyrës gjë që forconë angazhimin e tyre për transparencë dhe llogaridhënie.

“Dogana e Kosovës është e njohur për efikasitetin dhe stafin e saj të çmuar. Këto vlera të stafit tonë të përkushtuar në sundim të ligjit dhe luftim të keqpërdorimeve, janë përcaktuese të rezultatit në luftimin e keqpërdorimeve. Veprimet e ndërmarra tregojnë vendosmërinë tonë për të mbajtur një institucion të besueshëm dhe transparent” – u tha në njoftim.

Gjithashtu Dogana e Kosovës tha se vazhdon të ndërtojë një organizatë ku qytetarët mund të kenë besim se vepron me ndershmëri dhe përgjegjësi, e se po ashtu, janë të vendosur për përmirësim të vazhdueshëm.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të raportojnë përmes aplikacionit tonë eDogana çdo praktikë të dëmshme apo kontrabandë që mund të kenë dijeni” – thuhet tutje.

Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar për të vazhduar përpjekjet për të siguruar profesionalizëm dhe ekselencë në shërbimin publik, si dhe për të punuar në inovacione në procedurat doganore dhe partneritete për të luftuar efektivisht korrupsionin.


Postuar

nga