Për një shumë prej 5,000 euro fillimisht, e më pas edhe një shumë tjetër, që i mori me fajde, një person nga Prishtina u detyrua nga të dyshuarit për fajde t’i kthejë mbi 100 mijë euro.
Për këtë rast, Arben Hoti, prokuror i Prokurorisë së Prishtinës, në një intervistë në “Kallxo Përnime” tha se Prokuroria në kuadër të hetimeve në aspektin e ndjekjes penale ka mandat dhe obligim që të bëjë edhe ndjekjen apo hetimin financiar.
“Edhe për Prokurorinë është me interes të veçantë të argumentohet se çka është përfituar me atë vepër penale dhe të bëhet ngrirja apo faktikisht sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së krijuar apo përfituar nga kryerja e veprës penale, si një produkt që ka rezultuar me vepër penale” – tha Hoti.
Prokurori tregoi se Prokuroria në këtë fazë të procedurës është në proces të vazhdimit të hetimit dhe varësisht nga gjetjet që do t’i kenë organet kompetente përgjegjëse dhe varësisht nga identifikimi i pasurive të mundshme edhe do të veprojë.
“Në këtë fazë jemi në proces të identifikimit të pasurive të mundshme sepse tanimë në Kosovë dihet që shumica e pasurisë apo patundshmërive për shkaqe të ndryshme, mund të mos jeni të regjistruar juridikisht pra në organet kompetente në emrat e pronarëve apo poseduesve të ligjshëm të tyre dhe me qëllim identifikimi të plotë të pronave dhe pasurisë Prokuroria është duke pritur raportin mbi zbatimin e autorizimeve lidhur me këtë pjesë” – u shpreh Hoti.
Sipas tij, nuk është e domosdoshme që pasuria të jetë e regjistruar si pronë në emër të kryesit të veprës penale.
Ai tha se mjafton që të identifikohet që pasuria është e përfituar me kryerjen e veprës penale që të sekuestrohet sipas procedurës dhe dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.