RRUFE

13 vendime u miratuan në takimin e CEFTA-s, thotë ministrja Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se në takimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore, CEFTA, janë miratuar 13 vendime.

Hajdari tha se 13 vendimet e tjera të miratuara në CEFTA, pos atij që Kosova tash e tutje të përfaqësohet nga zyrtarët e saj shtetërorë e jo nga UNMIK-u, kanë qenë në diskutim për tri vjet në nivel teknik, por që nuk janë votuar deri pas rregullimit të përfaqësimit të Kosovës.

Ministrja tha se vendimet janë të rëndësishme sepse përfshijnë qasje të barabartë ekonomike dhe tregtare.

“Ky është një mekanizëm që ka qëllim të përcaktojë procedurën për zgjidhjen e barrierave të pajustifikuara apo shkeljen e marrëveshjes së CEFTA-s nga ndonjëra palë”- tha Hajdari në konferencë për media më 09.10.2024.

Të tjera vendime që i përmendi ministrja Hajdari janë vendimi për lehtësimin e tregtisë elektronike; vendimi në aspektin tregtar të të drejtave të pronësisë intelektuale; vendimi për disiplinat që vendosin një sistem të përgjithshëm për njohjen e kualifikimeve profesionale; vendim për lehtësimin e tregtisë për shërbimet të ofruara nga agjencitë e udhëtimit dhe operatorët turistikë.

Vendimet e tjera, sipas Hajdarit, janë vendimi për krijimin e sistemit elektronik për tregtinë e mallrave; vendimi për njohjen e programeve operatore ekonomike të autorizuar; vendimi për themelimin e organeve të CEFTA-s; vendimi për shërbimet për dorëzimin e parcelave ndërpalëshe; vendimi për ndryshimin e funksionimit të sekretariatit të CEFTA-s, si dhe rekomandimi për lehtësimin e sigurimit të përgjegjësisë ndaj dëmit ndërmjet palëve të treta në kuadër të CEFTA-s.

Ministrja këto vendime i shpalosi kur dha lajmin se tash e tutje Kosova në CEFTA do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj shtetërorë.

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, e ka konsideruar të rëndësishëm faktin se UNMIK-u është larguar në këtë kohë kur presidenca e CEFTA-s po kryesohet nga Serbia.

“Moskalimi i vendimeve në CEFTA, vendime shumë të rëndësishme për Procesin e Berlinit por edhe për Planin e Rritjes kanë shtuar presionin te Serbia që ajo të mos bëhet bllokuese e gjithë këtyre proceseve, sepse ka qenë bllokuese duke mos e pranuar barazinë e Kosovës në këtë mekanizëm”- tha Zulfaj në konferencë për media.

Që nga viti 2007, në emër të Kosovës në CEFTA ka folur UNMIK-u.

CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Atëbotë, marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u në emër të Kosovës.

Pas pavarësisë, institucionet kosovare ndërruan vulat doganore, mirëpo edhe pse u vendosën simbolet shtetërore, Kosova vazhdoi të përfaqësohej nga UNMIK-u.

Vendimmarrja në CEFTA, ishte bllokuar për shkak se Qeveria ka kërkuar që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së, UNMIK-ut.

Muajve të fundit Gjermania kishte rritur presionin ndaj Kosovës për zhbllokimin e mallrave serbe.

Në emër të Gjermanisë, i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, disa herë me radhë gjatë muajve të fundit paralajmëroi se ndalimi i mallrave serbe bllokonte punën e CEFTA-s.

Sarrazin kishte ashpërsuar diskursin duke thënë se mu për këto arsye Kosova mund të përjashtohej nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit.

“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”- kishte thënë Sarrazin më 29.08.2024.

Më 14.10.2024 në Berlin do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit.


Postuar

nga

Etiketa: