Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 16 të pandehurve të dyshuar për kryerjen e veprave penale që lidhen me krimin e organizuar.
Në këtë rast u njoftua se janë konfiskuar pajisje elektronike, para të gatshme dhe para në llogaritë bankare, tokë me sipërfaqe prej 1285m2, shtëpi me sipërfaqe prej 306m2 si dhe gjashtë banesa.
Prokuroria ka treguar se të pandehurit dyshohen për kryerjen e disa veprave penale.
Sipas aktakuzës të pandehurit S.K., I.K., P.K., A.D., D.K., B.K., A.S., V.T., A.G., H.Xh., M.K. dhe D.K., akuzohen se kanë kryer veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Ndërsa të pandehurit S.K. dhe L.B. akuzohen për kryerjen e veprës penale fajdeja në tentativë, në bashkëkryerje.
Teksa, i pandehuri L.B. akuzohet edhe për kryerjen e veprave penale detyrim dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.
Gjithashtu, Prokuroria ka thënë se të pandehurit S.K., E.G. dhe S.G. V.H. dhe L.K. akuzohen se kanë kryer veprën penale shpëlarja e parave.
Ndërkaq, i pandehuri B.K. akuzohet se ka kryer edhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.