RRUFE

Aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë, dyshohet për vrasje në vitin 2013 në Prizren

Prokuroria e Prizrenit ka bërë të ditur më 01.10.2024 se, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S. H., shtetas i Shqipërisë, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje me tani të dënuarin S. K. nga Shkodra, kanë vrarë I. K. e cila punonte si këngëtare – valltare pranë një lokali të natës në Mitrovicë.

Vrasja e I. K., sipas aktakuzës së prokurorisë, është bërë me dashje, në mënyrë mizore dhe tinzare për motive të ulëta më datë 04.06.2013 në periudhën kohore prej orës 03:23min dhe 06:47min, në Prizren.

Njoftimi përshkruan se vrasja ndodhi kur S. H. dhe S. K. vijnë për të vizituar viktimën me ç’rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F. R., ku I. K. kishte banuar më herët.

Gjithnjë sipas prokurorisë, pasi familja nuk ishte pajtuar lidhur me punën e I. K. në lokalet e natës, dhe pasi e njëjta nuk ishte pajtuar të kthehet në shtëpi, papritmas i pandehuri S. H., me thikë së bashku me S. K., fillojnë të godasin të njëjtën në pjesë të ndryshme të trupit.

Këto goditje i shkaktojnë plagë prerëse – shpuese, me ç’rast, sipas organit të ndjekjes, ka ardhur deri te vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të prehtë. Gjë e cila, sipas të dhënave të ofruara në njoftim, është konstatuar edhe me raportin e autopsisë së kryer më datë 05.06.2013.

Aktakuza specifikohet se është ngritur pas ekstradimit të tashmë të akuzuarit S. H. nga Mbretëria e Bashkuar për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasje e Rëndë paraparë me Kodin Penal.

I njëjti ndodhet në paraburgim që nga data 30.08.2024.


Postuar

,

nga