RRUFE

AOK fton nxënësit e studentët të vrojtojnë qiellin me teleskopët e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar

Klubi i Astronomisë i Kosovës “Astronomy Outreach of Kosovo” (AOK), që menaxhon Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës në Rashincë të Shtimes, ka ftuar nxënësit e studentët ta vizitojnë Observatorin dhe të përfitojnë nga mundësitë e vrojtimit me teleskopë gjatë ditës dhe natës. 

Përveç vrojtimit me teleskop në Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës, AOK njofton se ofrohen edhe aktivitete të ndryshme si ligjërata nga astronomia dhe shfaqje eduktive në Planetarium.

“Ne ofrojmë mundësi të ndryshme për nxënësit dhe studentët, përfshirë: Ligjërata tematike në astronomi, shfaqje edukative në Planetarium, vrojtim të Diellit me teleskopin Hydrogen Alpha, për të apasionuarit për hapësirën, ofrojmë edhe vrojtime gjatë natës me teleskopin 14″ Schmidt-Cassegrain” – thuhet në njoftimin e AOK më 04.09.2024.

Këtij njoftimi, AOK i ka bashkëngjitur edhe një fotografi me disa informata në lidhje me orarin e vizitave në Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës, si dhe çmimet e biletave për vizitorët.

Sipas orarit të vizitave në Observator dhe Planetarium Kombëtar që e ka publikuar AOK, Observatori është i hapur për vizitorë në ditët e martë, e enjte dhe e shtunë, në orarin e natës, prej orës 21:00 deri në ora 00:00.

Kurse, në orarin e ditës, prej orës 10:00 deri në ora 19:00 AOK ka njoftuar se bëhen vrojtime të Diellit dhe shfaqja në Planetarium, gjatë fundjavës apo me caktim paraprak.

Dhe shkollat që duan ta vizitojnë Observatorin dhe Planetariumin Kombëtar të Kosovës, sipas njoftimit të AOK, duhet të bëjnë rezervimin në aok.cbsap@hotmail.com apo në numrin kontaktues: 044-792-541.

Kosova u bë me Planetariumin e parë më 20.06.2024, kur u hap zyrtarisht Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës, në fshatin Rashincë të komunës së Shtimes.

Më 09.09.2023, KALLXO.com ka raportuar për ndërtimin e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës.

Pranvera Hyseni, themeluese e AOK, e kishte quajtur Planetariumin ‘si dhomë virtuale’ pasi në të do të shfaqen pamje të galaktikave dhe do të shërbejë si metodë mësimi.

Ndërtimi i Observatorit është mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Komuna e Shtimes në vlerë 310 mijë euro.

Toka ku shtrihet Observatori i është falur Komunës së Shtimes nga profesori i Astronomisë dhe kryetari i AOK, Milaim Rushiti.

Teleskopi kryesor dhe mjete të tjera që do t’u shërbejnë Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës janë dhuruar nga kompania ‘Celestron’, pasionantë të fushës së Astronomisë dhe të tjerë kontribues, të cilët AOK i ka bërë të ditur në faqen zyrtare në Facebook.

AOK që nga viti 2015 mban aktivitete me të cilat mundohet ta popullarizojë Astronominë në Kosovë dhe t’i nxisë të rinjtë që të studiojnë fusha shkencore.


Postuar

nga