Kryetare e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) tani e tutje do të jetë Albulena Mehmeti, ndërsa nënkryetar do të jetë Dardan Beqiri.
Bordi njoftoi se kryesia e re u zgjodh me shumicë të votave në mbledhjen e mbajtur të martën, më 08.10.2024, në përputhje me Ligjin për RTK-në, Statutin e RTK-së dhe Rregulloren e punës së bordit.
Ky ndryshim vjen pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, Besnik Boletini.
“Një nga prioritetet kryesore të kryesisë së re është edhe rritja e kredibilitetit të RTK-së, si dhe vazhdimi i funksionmit të RTK-së në përputhje me rregullativën ligjore dhe standardet më të larta profesionale, duke ofruar informim të saktë, objektiv dhe të shpejtë për qytetarët e Kosovës” – thuhet në njoftim.
Kryesia e re ka falënderuar anëtarët e bordit për besimin dhe ka theksuar përkushtimin për zhvillim të RTK-së e për ndjekje të praktikave më të mira të mediave publike ndërkombëtare e për të ruajtur stabilitetin financiar të institucionit.
Boletini e dy anëtarët e tjerë Arta Berisha e Safet Kabashaj kanë dhënë dorëheqje më 17 dhe 18.08.2024, pas skandalit të publikimit të një artikulli në RTK të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, e cila etiketonte dy media të Kosovës si të ndikuara dhe financuara nga Serbia.
Megjithatë, Ligji për RTK-në thotë që dorëheqja duhet të njoftohet të paktën tre muaj përpara, prandaj të tre do të vazhdojnë të jenë anëtarë edhe për tre muaj pas dorëheqjes.
Që prej dorëheqjes së tyre e deri më tani, mbledhjet janë udhëhequr nga Albulena Mehmeti, e cila ka pasur pozitën e nënkryetares.
Bordi nuk e mbajti mbledhjen e kaluar që ishte paraparë të mbahej më 02.10.2024 për shkak të paqartësive se kush duhet ta drejtojë mbledhjen, pas një opinioni ligjor të Zyrës Ligjore të RTK-së, sipas të cilit anëtarët e dorëhequr të bordit të RTK-së duhet ta ushtrojnë pozitën e tyre edhe 3 muaj pas dorëheqjes.
RTK ka hapur konkurs për tre anëtarë të bordit më 28.08.2024.