Kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, në vitin 2021 kur garonte për mandatin e radhës, kishte dhënë disa premtime për këtë komunë të cilat do t’i realizonte disa brenda mandatit e disa në kohë edhe më të shkurtë.
Për këto premtime Berisha u përball në debatin “Jeta në Komunë” me hulumtimin e ekipit të KALLXO.com, i cili për secilin fjalë të dhënë të kryetarit kishte dalë në terren për ta verifikuar.
Në vitin 2021 Burim Berisha kishte premtuar ujë 24 orë në të gjitha fshatrat. Mirëpo, në fshatin Miradi të Epërme, banori Shefki Veseli rrëfen se kanë reduktime të ujit dy herë në ditë dhe se ai ujë – nuk është i pijshëm pasi vjen nga Kozmini, fshat i Fushë Kosovës.
Kjo temë ngjalli debat në sallën e asambles së Fushë Kosovës. Kryetari Berisha tha se “nuk e ka idenë” se përse në Miradi të Eperme nuk ka ujë 24 orë. Fjala iu kalua drejtorit për Zhvillim Ekonomik Ekrem Berjanit i cili i njëjti u prezantua se vjen nga ky fshat.
“Sigurisht se në Miradi të Epërme ka ujë, sigurisht që ka edhe pengesa të vazhdueshme, ka reduktime herë pas here. Ka sepse përgjegjës këtu është Kompania e Ujësjellësit e cila është përgjegjëse për përmirësimin e rrjetit. Unë e përdori për disa punë…Uji i Kozminit është i pijshëm.. Po unë e pi” – tha Berjani.

Pas tij, fjalën e mori asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlonjat Hasani, po ashtu u prezantu si banor i fshatit Miradi e Epërme. Hasani demantoi drejtorin e Burim Berishës duke thënë se uji i cili vjen nga Kozmini nuk është i pijshëm.
“Në të kaluarën kemi qenë të furnizuar nga rrjeti i furnizimit nga Badovci, na u ka ndërru, tash na vjen uji nga Kozmini e që tash për momentin është uji i pa pijshëm. Kushdo që pretendon se ai ujë përdoret për pije, e ka shumë gabim” – tha Hasani në debatin “Jeta në Komunë”.

Ndërsa, edhe asamblisti pozitar, Etnik Berjani nga Lidhja Demokratike e Kosovës pretendon se ky ujë është i pijshëm “ndonëse nuk e pin rregullisht”.
Një tjetër premtim i cili ngjalli diskutim në Kuvendin e Fushë Kosovës është edhe ai që kishte dhënë Burim Berisha pa asnjë hezitim në vitin 2021.
“Për katër vite, 40-50 parqe sa duash” – ishin fjalët e Burim Berishës asokohe si kandidat. Verifikimi në terren i ekipit të KALLXO.com gjeti se nuk janë ndërtuar 40 parqe. Janë vetëm katër parqe të reja në këto tri vite qeverisje, dhe se katër të tjera pritet të ndërtohen deri në fund të mandatit.
“Tetë po tetë, sa 40” – përgjigjet Burim Berisha duke qeshur. “Kemi bërë investime në parkun e Sllatinës nga Bardhi i Madh në 240 mijë euro” – tha mes tjerash ai.
Në anën tjetër, për mos ndërtimin e shëtitores në rrugën “Dardania” në qendër të qytetit u tha se ka filluar mbjellja e drunjve dekorativë dhe se do të jenë 1500 të tilla.
Një tjetër projekt që nuk është realizuar është edhe ai i rrënimit të Shtëpisë së Kulturës dhe ndërtimi i një qendre të re multifunksionale. Burim Berisha për mosrealizimin e këtij premtimi fajin ia hodhi Qeverisë.
“Shtëpinë e Kulturës derisa nga niveli qendror nuk rregullohet marrja e parave, nuk bëhet ky projekt. Për dy vjet na janë marrë gati 2 milionë euro. Këto mjete jane të dedikuara për gjëra të komunës, dhe këto mjete merren në procedura gjyqësore është e vërtetë…Jo nuk e kemi dërgu këtë projekt në nivel qendror për financim” – tha ai.
Krypometri gjeti se as subvencionimi i çerdheve private për kokë nxënësi nuk është realizuar.
Ndërsa, një projekt tjetër që ka nisur e i cili është premtuar është ai i ndërtimit të Palestres Sportive.