Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi në vazhdimësi publikon materiale në rrjete sociale nga projektet që planifikohen, nisin ose përfundojnë nga qeverisja lokale në këtë komunë.
Gjatë mandatit, disa projekte u reklamuan në rrjete sociale nga i pari i Podujevës, por cilësia e tyre lë hapësirë për diskutim. Këto u trajtuan gjatë debatit “Jeta në Komunë” në Podujevë.
Në gusht të vitit 2022, Shpejtim Bulliqi publikoi fotografi të rrugës që lidhë dy fshatra në Podujevë, Buricë dhe Kunushec. Fotografitë shfaqnin asfaltimin e rrugës, por vetëm dy vite më vonë, komuna është detyruar të riparojë rrugën në disa pjesë.
Një rrugë tjetër e promovuar në Facebook nga kryetari i Podujevës ishte ajo në Bellopojë. Pamjet me dron tregonin asfaltimin por një vit më vonë, problemet e para u panë në rrugë një pjesë e së cilës ka nis të deformohet e një një pjesë tjetër nisen të krijohen gropat e para.
Një projekt tjetër i promovuar në rrjete sociale ishte rruga “Skenderbeu” në qytetin e Podujevës. Por, projekti i prezantuar në Facebook ndryshoi. Rrugës i mungonte gjelbërimi, trotuaret ishin të ngushta e të dëmtuara e po ashtu, ishin rregulluar dy shirita për biçikleta e jo një siç ishte paraparë në projekt.
Projekti tjetër i prezantuar në Facebook ishte ai i stadiumit të futbollit në fshatin Peran. Por, vetëm disa muaj më vonë, stadiumi filloi të shkatërrohet.
Gjatë vitit 2023, Shpejtim Bulliqi promovoi një projekt interesant në Facebook, kinema e tipit të hapur në parkun “Manchester” në Podujevë. Një vit pas, kinemaja duket se nuk është duke u përdorur dhe ka nis të shkatërrohet.
Bulliqi ka komentuar pamjet nga kinemja në parkun e qytetit.
“Ka qenë një investim jashtëzakonisht i mirë. Unë s’jam shku me shkatërru, as drejtorat e mi, ne e kemi vendos një kamerë të sigurisë sepse është bë për komunitetin” – ka thënë Shpejtim Bulliqi në “Jeta në Komunë.”
“Njëjtë edhe në fushën e Peranit, ne e kemi rregullu po ne nuk kemi shku me shkatërru fushën, fëmija pasdite i kanë keqpërdorë” – ka thënë ai.
Kryetari i Podujevës ka komentuar edhe rrugën në Bellopjë.
“Ka rrëshqitë pjesa e terrenit, ne të rrëshqitshëm e kemi gjetë. Ne e kemi sanu njëherë është paraqitë rrëshqitja prapë” – ka thënë Bulliqi.
“Edhe rruga Buricë-Konushec ka rrëshqitë, kompania e ka sanu problemin” – ka thënë ai.