Gjatë Samitit të Berlinit gjashtë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar, ndër të tjera, një plan të ri të veprimit për tregun e përbashkët rajonal (CRM) për periudhën 2025-2028, dhe një marrëveshje të re të mobilitetit, që mundëson qasje të barabartë për studentët e rajonit në institucione të akredituara të arsimit të lartë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se një shembull që dëshmon se kanë kontribuuar në lehtësimin e jetës së njerëzve në Ballkanin Perëndimor është Plani i Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal që sapo është nënshkruar.
“Në të, gjashtë shtetet bien dakord për një bashkëpunim ekonomik edhe më të ngushtë për një hapësirë ekonomike që përfshin 17 milionë banorë”- tha Scholz në konferencë për media pas përfundimit të Samitit të Berlinit më 14.10.2024.
Scholz tha me këtë plan do të koordinohen edhe më mirë standardet sociale dhe të punës midis vendeve të rajonit dhe për të lehtësuar më tej mobilitetin midis shteteve.
Ndërsa për marrëveshjen tjetër për mobilitetin për promovimin e shkëmbimit të studentëve, Scholz tha se kjo marrëveshje përcakton që studentët të mund të ndjekin universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë në të gjithë rajonin.
“Kështu, një gjeneratë rritet më afër: jeton, mëson dhe studion së bashku”- tha ai.
Kancelari tha se për më tepër, gjatë samitit është arritur një deklaratë e përbashkët për të bashkëpunuar më ngushtë në luftën kundër migracionit të parregullt dhe krimit të organizuar dhe një plan veprimi për luftën kundër mbetjeve plastike dhe një zotim për të zbatuar më shpejt agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor deri në vitin 2030.
“Gjermania e mbështet këtë përmes partneritetit rajonal për klimën Gjermani-Ballkan Perëndimor, që kemi krijuar vitin e kaluar. Gjysma e 1.5 miliard eurove të parashikuara deri në vitin 2030 do të disbursohet deri në fund të vitit”- tha ai.
Scholz tha se këto marrëveshje tregojnë se si Procesi i Berlinit ndihmon konkretisht në kapërcimin e kufijve midis vendeve si dhe dallimet në mendësinë e njerëzve.
“Shikuar prapa 10 vitet e Procesit të Berlinit, shohim një storje suksesi. Jam i vendosur që ta vazhdoj këtë me përkushtim të madh. Dhe shpresoj që të mos duhen edhe 10 vjet të tjera që të gjitha gjashtë shtetet të anëtarësohen më në fund në BE”- tha ai.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker kishte shpallur ‘pauzë’ në zgjerimin e BE-së.Më pas, përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të bëjnë vend në institucionet e BE-së.
Marrëveshja për heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin kishte hyrë në fuqi në vitin 2023, që ishte një nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit.
Me kalimin e viteve, Procesi i Berlinit u zgjerua dhe prej atëherë mbahen samite të përvjetshme. Përjashtim bëri viti 2021 që për shkak të pandemisë, Samiti u mbajt në një formë të adaptuar në mënyrë virtuale, por pa takime midis liderëve të shteteve.
Procesi i Berlinit tanimë ka dhjetë vende partnere: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.