Në seancën e mbajtur më 28.10.2024 të gjykimit ndaj ish-kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, janë dëgjuar 3 dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria.
Ish-kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, akuzohet për lidhje të kontratës së dëmshme në rastin “Paykos”, që sipas Prokurorisë i ka shkaktuar dëm Telekomit në vlerë 6.7 milionë euro.
Fillimisht u dëgjua dëshmitari Lamir Balaj, i cili nga prokurorja Ardiana Veseli u pyet se a e konsideron si kontratë të dëmshme kontratën e lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe “Paykos” në vitin 2015.
“Kam mendu dhe mendoj që kontrata është e dëmshme duke u bazuar edhe në ekspertiza financiare” – tha Balaj.
“A jeni në dijeni për fitoren e proklamuar në media të Telekomit të Kosovës lidhur me operatorin ekonomik ‘Paykos’ dhe a e keni parë këtë vendim të Arbitrazhit?” – e pyeti dëshmitarin avokati Driton Muharremi, mbrojtësi i të akuzuarit Agron Mustafa.
“Po, jam i informuar” – tha Balaj gjatë dëshmisë së tij.
“Pse kontrata në fjalë sipas jush është kontratë e dëmshme?” – ishte një pyetje nga gjyqtari Sabit Sadikaj drejtuar dëshmitarit. “Sepse, siç e thash, edhe më herët pikat ku i ka furnizuar Telekomi i Kosovës në të gjithë territorin e Kosovës me mbushje elektronike ia ka kaluar një kompanie e cila për këtë çështje ka marrë provizion ndërsa punëtorët tonë të cilat më herët i kanë furnizuar këto pika kanë marrë rrogë” – tha Balaj.
Tutje seanca vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit të dytë, Nusret Jashanica.
Fillimisht dëshmitari u mor në pyetje nga prokurorja Veseli, e cila e pyeti për pozitën e tij aktuale në Telekom.
“Udhëheqës i shitjes dhe kujdesit për konsumatorë për biznese të mëdha” – tha Nusret Jashanica. Ndërsa në vitin 2015 ai kishte qenë kryetar i Sindikatës dega e drejtorisë nga viti 2015 deri në fund të 2018.
”Ju thatë pak më herët se ishit kryetar i Sindikatës dega e drejtorisë, a ka mundësi me na tregu cilat janë përgjegjësitë dhe drejtat e juaja si kryetar i Sindikatës në atë kohë?” – e pyeti mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Driton Muharremi.
“Pozicionet tona kanë qenë mbrojtja e interesit të punëtoreve, kushte më të mira për ta, si dhe trajtimi i kërkesave dhe ankesave për ta”- tha Jashanica.
“Meqenëse keni thënë që keni dëgjuar se është kontratë e dëmshme dhe i dhatë disa statistika këtu me përqindje, a mendoni apo a keni njohuri rreth humbjeve të Telekomit para nënshkrimit të kësaj kontrate dhe pas zbatimit të kësaj kontrate?” – e pyeti mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Driton Muharremi. “Nuk jam në njohuri” – tha dëshmitari Jashanica.
Ndërsa dëshmitari i tretë Fehim Kelmendi gjatë dëshmisë së tij tha se në vitin 2015 pozita e tij në Telekom kishte qenë menaxher i auditimeve të brendshme.
Ai gjatë dëshmisë së tij tha se me atë sa ishte në dijeni kontratën bazë, aneksin 1, 2, 3, 4, 5, 6 i ka nënshkruar ish-kryeshefi Agron Mustafa, pastaj aneksin 7 e kishte nënshkruar ushtruesi i detyrës të kryeshefit të Telekomit, aneksin 8 prapë e kishte nënshkruar Agron Mustafa.
“Përveç aneksit është edhe një tjetër – për lojëra shpërblyese, e ka nënshkruar z. Mustafa” – shtoi tutje Fehim Kelmendi.
Ai gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se ka kontratë me anekse dhe pa anekse.
Avokati Driton Muharremi, i cili është mbrojtësi i të akuzuarit Agron Mustafa, e pyeti se a ishte në dijeni që vendimi i Arbitrazhit të Zvicrës e ka konsideruar të ligjshëm memorandumin dhe se a e kishte lexuar vendimin e Arbitrazhit.
“Po, vendimin e Arbitrazhit e kam lexu dhe e kam studiu”- tha Fehim Kelmendi.
“Memorandumi i vitit 2016 i nënshkruar nga z. Mustafa ka implikime financiare në kontratë dhe ato implikime mund t’i kuptojnë drejt vetëm ekspertët që kanë njohuri bukur thellë në çështje financiare” – tha dëshmitari Kelmendi.
Ndërsa në fund të dëshmisë dëshmitari Fehim Kelmendi tha se kontrata bazë dhe deri te aneksi 8 dhe memorandumi janë nënshkruar sa ka qenë Agron Mustafa kryeshef, dhe të tjerat pasi është larguar ky.
Paraprakisht në seancën e sotme para dëgjimit të dëshmitarëve janë dhënë fjalët hyrëse, fillimisht nga prokurorja Ardiana Veseli, pastaj nga përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Sanije Sahiti, dhe në fund nga mbrojtësi i të akuzuarit Agron Mustafa, avokati Driton Muharremi.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet gjatë muajit nëntor.
Kjo çështje po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës nga gjyqtari Sabit Sadikaj ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Ardiana Veseli.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së datës 03.05.2023, i pandehuri Agron Mustafa akuzohet se më 16.03.2015 në Prishtinë në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës ka lidhur kontratë-marrëveshje me Paykos L.L.C, ku operatori ekonomik luan rolin e ndërmjetësuesit/distributorit të shitjes te pala e tretë për shitjen e produkteve kryesisht mbushje elektronike dhe kode të gjeneruara elektronike për kartela gërvishtëse, çmimet e produkteve dhe shërbimeve kanë përfshirë edhe TVSH-në ku provizioni total i shitjes ishte 9.7% të transaksionit.
Ndryshe, më 09.01.2024 ishte mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarit Agron Mustafa, në të cilën i pandehuri ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale për të cilën akuzohet nga Prokuroria.
Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë i pandehuri Agron Mustafa me dashje dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm material Telekomit të Kosovës ka nënshkruar vazhdimisht anekse shtesë, ku secili lloj i provizionit që do të paguhet ndaj operatorit ekonomik i është shtuar përqindja në TVSH duke e favorizuar kështu “Paykos”-in në njërën anë e në anën tjetër e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës, duke lidhur anekse, memorandum të mirëkuptimit, marrëveshje komerciale shtesë të datave të ndryshme të kontratës së lartcekur, duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes.
Sipas dosjes së Prokurorisë, të dëmshëm janë cilësuar aneksi II, aneksi III, aneksi V, memorandumi i vitit 2016, aneksi VI dhe Marrëveshja komerciale bashkëpunimi-ofrimin e shërbimeve për lojë shpërblyese.
Tutje, sipas aktakuzës, i pandehuri Agron Mustafa po akuzohet se me lidhjen e këtyre anekseve-marrëveshjeve, me dije ka vepruar në dëm të ndërmarrjes që vazhdimisht i ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e ndërmarrjes për llogari të së cilës lidh kontratë, i pandehuri me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, ku vlera e dëmit është 6,796,732 euro.
Me këto veprime i pandehuri Agron Mustafa po akuzohet se ka kryer veprën penale në vazhdimësi – lidhja e kontratës së dëmshme.
KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për kontratën e lidhur mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos” dhe dëmet e pretenduara nga kjo kontratë.
Historikun e kontratës me “Paykos” e gjeni në këtë LINK.
Raportimet e tjera në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni në këtë LINK.