Gjykata e Prishtinës me 01.10.2024 e ka shpallur fajtor ish-pronarin e kompanisë ‘Sallahu’ Naim Sallahu me 6 muaj burg dhe 7 mijë euro gjobë. Ndërsa ka liruar nga akuza drejtorin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme në atë kohë, asokohe, Begzad Musliu për akuzat e Prokurorisë.
Naim Sallahu akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, kurse i dyti për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
I akuzuari Begzad Musliu është liruar nga akuza sepse Gjykata nuk e ka provuar se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar.
Kurse shpenzimet buxhetore lidhur me procedurën e zhvilluar ndaj tij janë përcaktuar barrë në mjete buxhetore të Gjykatës.
Kurse i akuzuari Naim Sallahu lidhur me veprën penale keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik është shpallur fajtor dhe për këtë vepër gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë në lartësi prej 7,000 Euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj. Të cilat i akuzuari duhet t’i paguajë nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Me pëlqimin e personit të dënuar konform ligjit Gjykata i ka mundësuar Naim Sallahut që dënimin me burg, ta zëvendësojë me dënim me gjobë në shumën prej 5,000 Euro, të cilën shumë i njëjti obligohet ta paguajë nga data e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
“I pandehuri për këtë në afat prej 10 ditësh duhet të ia dorëzojë gjykatës pëlqimin me shkrim nëse pajtohet t’i bëhet zëvendësimi” – ka specifikuar kryetari i trupit gjykues Avni Syla.
“Pajtohem” – ka deklaruar avokati i Naim Sallahut, Flamur Bllacaku.
Përveç dy dënimeve të lartëcekura, Gjykata i ka shqiptuar edhe ndalimin e marrjes pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik në afat prej 2 vitesh prej plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Nëse i pandehuri nuk dëshiron apo nuk mundet ta paguajë gjobën, gjykata do të zëvendësojë dënimin me gjobë me dënim me burgim, ashtu që për një ditë burgimi do t’i zëvendësohet me 20 Euro gjobë.
Po ashtu Naim Sallahu, sipas shpalljes, obligohet që t’i paguajë shpenzimet procedurale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor 200 Euro, në emër të fondit të viktimave shumën prej 50 Euro
Ky vendim është marrë nga trupi gjykues në përbërje të: Avni Syla – kryetar dhe anëtarët: Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi.
Ky aktgjykim nuk është i plotfuqishëm, palët e pakënaqura kanë të drejtë ta ankimojnë të njëjtin në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës së Prishtinës në afat prej 30 ditësh.
Në seancat e mëparshme, asnjëri nga të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë.
Çka thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzad Musliu akuzohej se në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.
Auditimi i lëndës së prokurimit është bërë për projektin me emrin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë me lokacionin Drelaj”.
Sipas aktakuzës, Musliu jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar edhe një raport të auditimit në favor të operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për kompaninë në fjalë, pa i vërtetuar provat në lëndën e iniciuar kundër këtij operatori, përkundër asaj që nuk kishte pasur autorizim.
Prokuroria pretendon se përmes këtij raporti që ka përpiluar Musliu, e që ishte dërguar jashtë procedurës në arkivat e OSHP-së, ka ndikuar që ky organ t’i falë besimin si provë këtij raporti e të mos e fusë në listën e zezë të OSHP-së kompaninë “Sallahu” SH.P.K.
Aktakuza thotë se i pandehuri tjetër, Naim Sallahu, pronar atë kohë i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit.
Tutje, sipas Prokurorisë, Sallahu në cilësinë e pronarit të kompanisë ka ofertuar me dokumentacion të falsifikuar, ashtu që si lëndë ka paraqitur referenca për gjeodetin Fadil Shehu se i njëjti kinse ka punuar në projektin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9 segmenti Balincë” dhe në projektin “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës (Veternik) “lot 1”, por që në projekt nuk ka qenë i angazhuar ky gjeodet.
Musliu akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa Sallahu për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik.
Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Fadil Shehu për deklarim të rremë nën betim për këtë rast, por i njëjti e kishte pranuar fajësinë.