Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore më 28.10.2024 në Gjykatën e Prizrenit, në rastin e dy të akuzuarve Arlind Syla dhe Irfan Hoti, për garën automobilistike në autostradën “Ibrahim Rugova” më 2023, nga e cila mbetën të vdekur tre persona.
Seanca gjyqësore dështoi të mbahet për shkak të mungesës së një anëtareje të trupit gjykues.
Në këtë aksident i cili ndodhi më datë 16.12.2023, ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D. dhe L.S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.
Të hënën, kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, deklaroi se nuk kishte kushte ligjore për të vazhduar me seancë.
Gjykatësja Skenderi, ka bërë të ditur se, gjyqtarja Raima Elezi ndodhet zyrtarisht jashtë vendit.
Andaj, seanca është shtyrë për datën 13.12.2024.
Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit ishin marrë vesh dhe kishin organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.
Në bashkëkryerje, të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik.”
Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment, i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VË Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.
Ndaj tyre rëndon akuza e rrezikimit të trafikut publik.
Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.
“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.