Ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Prizrenit më 15.10.2024 seanca ndaj Jeton Hajdarit dhe Afrim Batushës, të cilët akuzohen për vrasje të rëndë në tentativë për një rast që ka ndodhur në fund të dhjetorit të vitit 2009.
Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi konstatoi se nuk është prezent mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Batusha, avokati Nexhat Elshani.
Lidhur me mungesën e avokatit Elshani avokati Hazër Susuri theksoi se avokati Nexhat Elshani është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërsa, i akuzuari Batusha kërkoi nga Gjykata që të njëjtit t’i caktohet një avokat mbrojtës nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Pas kësaj, gjyqtarja Ajser Skenderi mori vendim që të akuzuarit Afrim Batusha t’i sigurohet një mbrojtës sipas detyrës zyrtare nga OAK.
Pasi që nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e seancës ajo u shty.
Ndërsa, seanca e radhës u caktua për më 27.11.2024.
Rasti po gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Ajser Skenderi, Teuta Krusha dhe Artan Sejrani.
Aktakuza për këtë çështje penale është ngritur më 10.03.2010 nga prokurori Rexhep Rexhepaj. Ndërsa, tani ajo po përfaqësohet nga prokurori Genc Nixha.
Sipas aktakuzës, Jeton Hajdari akuzohet se më 30 dhjetor 2009 ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin S.B. pas një fjalosje që kishte ndodhur ditën e njëjtë lidhur me një pronësi.
Incidenti, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në kohën kur i dëmtuari ishte duke lëvizur me automjet në magjistralen Prizren-Gjakovë, në fshatin Piranë.
Prokuroria pretendon se i akuzuari po e përcillte me veturën e tij të dëmtuarin dhe në momentin kur arrijnë në vendin kritik ndalen veturat dhe Hajdari nga arma e tij e tipit “AK-47” shkrep 3 herë në drejtim të të dëmtuarit, duke qëlluar automjetin.
I njëjti, sipas aktakuzës, ngarkohet edhe me veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Edhe i akuzuari tjetër Afrim Batusha ngarkohet me veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.
Aktakuza thotë se Hajdari në ditën e njëjtë ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A.H. për shkak se po atë ditë Jeton Hajdari kishte tentuar ta privojë nga jeta S.B.
Sipas aktakuzës, kur kishte arritur para shtëpisë së tij, Hajdari nga një largësi prej 50 metra me pretekst se do të jenë të sulmuar, nga arma e tij “AK-47” kishte shkrepur disa herë në drejtim të anëtarëve të familjes H. në mesin e të cilëve ishte edhe i dëmtuari A.H.
Edhe Afrim Batusha ngarkohet edhe me veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.