RRUFE

Detaje rreth arrestimit të policit të dyshuar që u kap me kokainë

Një polic dhe dy persona tjerë janë arrestuar më 28.10.2024, në Prishtinë.

Zyrtari policor është vënë në pranga nën dyshimin se tek i njëjti është gjetur substancë narkotike.

Siç mëson KALLXO.com, polici i arrestuar është Arbër Rexhepi dhe tek i njëjti është gjetur substancë narkotike e llojit kokainë.

I njëjti i takon gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës e cila ka diplomuar më 02.08.2024.

Sipas një komunikate të Policisë, arrestimet janë kryer gjatë një operacioni disa mujor të quajtur “Freeshopi” të Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Policia thotë se gjatë realizimit të planit taktik antidroga, i mbështetur edhe nga njësitet për reagim të shpejtë (NJRSH), tek personat e dyshuar gjatë kontrollit në trup dhe në lokacione të tyre ka gjetur sasi të substancave narkotike me peshë 370 gramë, një peshore, tri thika dhe para të gatshme në vlerë prej 4 mijë e 870 euro.

Ndërkaq, lidhur me përfshirjen e zyrtarit në këtë rast, Policia bënë të ditur se menjëherë është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për procedura të mëtutjeshme.

“Në konsultim me Prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda është iniciuar rasti dhe tre personat e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes për proceduar të mëtejme ligjore”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti mbetet të hetohet nga antidroga e Policisë së Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, njofton Policia.

https://kallxo.com/lajm/prishtine-arrestohen-tre-persona-per-posedim-te-narkotikeve-ne-mesin-e-tyre-edhe-nje-polic/

(Shënim: Emri i policit të dyshuar është Arbër dhe jo Arbnor, ashtu siç është raportuar fillimisht. Koha e editimit: 11:51 – 30.10.2024).


Postuar

nga