RRUFE

Dosja ndaj të akuzuarve për keqpërdorim detyre në Aeroportin e Prishtinës, akuzohen se nuk i kontrolluan 99 bagazhe

Mungon njëri nga të akuzuarit, shtyhet seanca për rastin e keqpërdorimeve në aeroportin e Prishtinës

Në mungesë të njërit prej të akuzuarve, ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj  dhe Martin Biserov- Alekov.

Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj  dhe Martin Biserov- Alekov, akuzohen  se në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin e Prishtinës në bashkëkryerje kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Në seancën e së enjtes më datës 17.10.2024  në Gjykatën e Prishtinës ka munguar i akuzuari Faton Gurguri, pasi që i njejti ndodhej jashtë vendit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Faton Gurguri, avokati Sevdali Zejnullahu lidhur me mungesën e klientit të tij, deklaroi se i njëjti nuk ka mundur të jetë prezent pasi që ndodhet jashtë vendit.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty për datë tjetër.

Ndryshe në këtë seancë ishin paraparë të dëgjoheshin dëshmitarë.

Ky rast po gjykohet nga trupit gjykues në përbërje nga Gëzim Ademi – kryetar, Alltëne Murseli dhe Gazmend Bahtiri, anëtarë.

 

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së datës 12.03.2020 të pandehurit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj në cilësinë e personave zyrtar të licencuar Operator për X-Ray dhe Martin Biserov- Alekov në cilësinë e personit zyrtar, Inxhinier i Elektronikës në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në bashkëveprim kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se me datë 19.08.2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve në aeroportin “Adem Jashari”,  në vendin e punës së tyre të pandehurit Faton Gurguri , Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë e Operatorit X-Ray  në pjesën ku bëhet monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të pandehurit Faton Gurguri dhe Endi Bujupi nuk e kanë monitoruar punën e pajisjeve në monitor brenda në zyre pasi që kanë qenë në grevë.

Ndërsa, Visar Xhekaj  me mosveprim si Operator X-Ray nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Në dosje të prokurorisë thuhet se për shkak të këtyre mosveprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të Operatorëve X-Ray.

Tutje sipas prokurorisë, i akuzuari Martin Biserov- Alekov, në cilësinë e mbikëqyrësit të sistemit automatik e që janë trakët që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kanë ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar trakën që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili sistem hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Sipas aktakuzës, 99 bagazhe kanë kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të pandehurit Martin Biserov- Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuara dhe po ashtu janë ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara nga pajisjet LRDX1 dhe LRDX2 të cilat është dashur të ri-kontrollohen nga operatori X-Ray.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit e lartcekur me këto veprime, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nga këto veprime të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj dhe Martin Biserov- Alekov po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.