Një person është plagosur me armë dhe një tjetër ka pësuar lëndime, si pasojë e të shtënave me armë që kanë ndodhur më 23.10.2024, në ora 01:22 pas mesnate, në Prishtinë.
Sipas Policisë, të lënduarit janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa në lidhje me rastin janë arrestuar 13 persona.
Policia në vend të ngjarjes ka gjetur revole dhe një fishek, ndërsa te një i dyshuar është gjetur arma AK – 47.
“Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një revole dhe një fishek. Lidhur me incidentin janë arrestuar trembëdhjetë (13) meshkuj kosovarë të cilët me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore është arritur të identifikohet dhe sekuestrohet edhe një armë AK 47 që ishte në posedim të njërit nga të dyshuarit e arrestuar”- thuhet në njoftim.
Tutje është bërë e ditur se në cilësi të provave materiale është sekuestruar edhe një DWR i kamerave të sigurisë që, sipas Policisë, ishte larguar nga njëri prej të arrestuarve me qëllim të fshehjes së provave.
“Lidhur me rastin njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet për procedurat e mëtejme hetimore”- thuhet në raportin e Policisë, më 24.10.2024.
Policia e ka cilësuar rastin si vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.