I dyshuari me iniciale M.A., shtetas sirian, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se më 18.06.2022 në afërsi të zonës kufitare në Vërmicë të Prizrenit e ka vrarë shtetasin irakian J.H., 31-vjeçar.
“Pas një punë operativo-hetimore nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, është bërë identifikimi i të dyshuarit M.A. , mashkull, shtetas Sirian, i cili dyshohet se më datë 18.06.2022, në afërsi të zonës kufitare në Vërmicës të Prizrenit ka privuar nga jeta shtetasin Irakian J. H., mashkull, 31 vjeçar me këtë rast ka kryer veprën penale “ Vrasje e rëndë””- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Sipas organeve të rendit, më 15.10.2024, rreth orës 09:30, në rajonin e Pejës i dyshuari është arrestuar nga hetuesit dhe është shoqëruar për në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Prizren për procedura të mëtejme hetimore.
“I dyshuari në prezencë të avokatit mbrojtës dhe përkthyesit është intervistuar dhe është mbrojtur në heshtje. Të gjitha veprimet janë ndërmarr ne koordinim me prokurorin e shtetit, i cili dhe ka lëshuar Aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë”- theksohet në njoftim.