Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, tha se mirëpret vendimin e Policisë së Kosovës për të njoftuar Inspektoratin Policor për inicimin e hetimeve lidhur me pretendimet e qytetarit në veri se është rrahur nga Policia e Kosovës.
EULEX në një përgjigje për KALLXO.com thotë se kërkojnë me vendosmëri çdo pretendim për keqtrajtim të hetohet menjëherë dhe në mënyrë efektive nga autoritetet përkatëse.
Në këtë kontekst dhe sipas mandatit të EULEX-it, roli ynë është të monitorojmë hetimet e kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës, dhe kur mendohet, nga autoritetet prokuroriale.Kujtojmë se përmes rolit tonë monitorues dhe këshillues, EULEX-i mbetet i përkushtuar për të mbështetur institucionet e Kosovës për Sundimin e Ligjit në mënyrë që ato të jenë të qëndrueshme, të përgjegjshme dhe të afta të garantojnë në mënyrë efektive të drejtat e secilit pa diskriminim” – kanë thënë nga EULEX më 27.10.2024.
“Nëse përmes aktiviteteve tona monitoruese konstatohen mangësi serioze, Misioni i adreson këto me autoritetet përkatëse përgjegjëse” – vijon përgjigjja.
Pesë organizata joqeveritare serbe në Kosovë i kanë bërë thirrje sërish EULEX-it për hapat që kanë ndërmarrë në lidhje me pretendimet për torturë ndaj Millosh Subotiq i cili u arrestua nga Policia e Kosovës më 26.10.2024.
Në komunikatën për media të përbashkët këto OJQ i kanë ‘rikujtuar’ EULEX-it se “mandati i tyre përfshinë monitorimin e institucioneve të Kosovës në rastet që kanë të bëjnë me shkeljet e të drejtave të njeriut”.
E përmes heshtjes, organizatat thojnë se EULEX-i po “bëhet bashkëpunëtor në këtë model abuzimi”.
E drejta për mbrojtje nga tortura policore është e sanksionuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në shumë konventa të tjera ndërkombëtare, duke e bërë të pamohueshme përgjegjësinë e EULEX-it në këto raste. Duke dështuar për të vepruar dhe duke llogaritur përgjigjen e tyre, mbikëqyrja e EULEX-it mbi praktikat e sundimit të ligjit nga institucionet e Kosovës kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në inkurajimin dhe institucionalizimin e politikave mosndëshkimore, duke u dhënë imunitet individëve dhe grupeve brenda Policisë së Kosovës për përdorim force të tepruar kundër serbëve të Kosovës.
Kësaj komunikate iu kanë bashkuar OJQ Aktiv, Qendra për Veprim Afirmativ Social – CASA, Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike – ACDC, Instituti i Zhvillimit Ekonomik Territorial – InTER dhe Nisma e Re Sociale – NSI.
Policia e Kosovës më 26.10.2024 pretendon se në orët e hershme të së shtunës kishte hasur qytetarin Millosh Subotiq duke tentuar të dëmtojë pajisje të ndryshme, të rrethuar me rrjetë (mbyllëse), të cilat, ishin pronë e një dyqani.
Sipas Policisë së Kosovë, personi i dyshuari papritmas ka dëmtuar rrjetën dhe duke kaluar mbi rrjetë, ka hyrë në pronë private duke dëmtuar gjëra të ndryshme.
Tutje, policia njofton se Millosh Subotiq, dyshohet se ka qenë nën ndikim të alkoolit, ku sipas tyre, policia ka tentuar t’i bëjë testin e alkoolit, por i dyshuari kishte refuzuar.
Më 26.10.2024 organizata serbe joqeveritare, Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC), përmes një komunikate kanë thënë se dënojnë ashpër rrahjen e qytetarit serb nga Mitrovica e Veriut, Millosh Subotiq, për të cilin pretendojnë se u rrah padrejtësisht nga Policia e Kosovës.
Ndërsa, këto pretendime të tyre janë duke u hetuar edhe nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.
Në emër të katër organizatave: Ngo Aktiv, Center for Affirmative Social Actions – CASA, NGO ACDC, Institute for Territorial Economic Development, New Social Initiative – Nova društvena inicijativ, ACDC ka njoftuar se kanë ndërprerë bashkëpunimin me EULEX-in derisa të deklarohet për arrestimin dhe rrahjen sic të e quajnë ata të paligjshme të Millosh Subotiq.
https://kallxo.com/lajm/pretendimet-per-rrahjen-e-qytetarit-serb-nga-policia-e-kosoves-disa-ojq-nderpresin-bashkepunimin-me-eulex-kerkojne-reagimin-e-tyre-2/