RRUFE

Ferit Idrizi në krye të Vushtrrisë – Për tri vjet, 14 herë drejtorë të ndërruar

Tri vitet e Ferit Idrizit të PDK-së në krye të Vushtrrisë janë karakterizuar me shumë emërime e dorëheqje të drejtorëve komunalë. Ekipi i “Jeta në Komunë” ka evidentuar se gjithsej 14 herë janë ndërruar drejtorë në drejtori të ndryshme që nga ardhja në pushtet e Idrizit në Vushtrri. 

Disa drejtori në Komunën e Vushtrrisë udhëhiqen nga drejtorët e tretë, të katërt ose të pestë me radhë brenda këtij trevjeçari nën udhëheqjen e Ferit Idrizit. 

Drejtoria e Prokurimit prinë për nga drejtorët e ndërruar. Kjo drejtori është udhëhequr nga Hyda Dallku, Albanez Tahiri, Ilmi Azemi, Azize Krasniqi dhe aktualisht udhëhiqet nga Ilmi Azemi. Në Drejtorinë e Arsimit kanë qenë Miradije Maliku, Dardan Abazi dhe drejtor aktualisht është Albanez Tahiri.

Drejtoria për Inspektime udhëhiqet nga drejtori i tretë me radhë. Fillimisht ishte emëruar Shqiponjë Mikushnica, më pas Bujar Pllana dhe aktualisht drejtor është Besim Demiraj. Në krye të Drejtorisë për Kulturë në fillim ka qenë Medina Bunjaku ndërsa aktualisht drejtor është Izet Miftari.

Në Drejtorinë për Kadastër fillimisht ishte emëruar Albanez Tahiri ndërsa tani kjo drejtori udhëhiqet nga Remzi Ahmeti. Drejtoria për Urbanizëm një herë është udhëhequr nga Fortuna Krasniqi dhe aktualisht udhëhiqet Nexhmedin Merovci. Në Drejtorinë për Buxhet ishte emëruar Remzi Ahmeti ndërsa aktualisht është drejtor Isuf Jashari.

Hava Mlinaku ka qenë fillimisht drejtoreshë e Administratës ndërsa aktualisht këtë pozitë e mban Hyra Uka. Ndërsa në krye të Drejtorisë për Shëndetësi fillimisht ka qenë Nexhmedin Rashica kurse aktualisht është Lorik Maxhuni.

Albanez Tahiri është emëruar në krye të tri drejtorive të ndryshme. Fillimisht ka qenë drejtor i Kadastrit, mandej është emëruar në Drejtorinë e Prokurimit dhe aktualisht është drejtor i Arsimit. Ndërsa Remzi Ahmeti në fillim ishte emëruar drejtor për Buxhet dhe më pas ka kaluar drejtor për Kadastër.

Ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve u bë shkak i përplasjeve mes opozitës dhe kryetarit Idrizi. Asamblisti i LDK-së, Adnan Lahu, duke komentuar ndërrimin e drejtorëve në DKA tha se kjo ka ndodhur për shkak se “drejtorët kanë qenë të padëgjueshëm për kryetarin”. 

“Kryetari e ka pasë prioritet arsimin dhe ka premtuar shumë për arsim dhe ne kemi kërkuar nga kryetari se ku janë këto prioritete për arsim. Pasi që në vitet e para janë ndërruar hiç më pak se tre drejtorë të arsimit. E ka pasë periudhë kur kjo drejtori ka qenë bosh dhe pa drejtor fare. Në arsim, në 55 premtimet e tij ka premtuar që do të organizojë mënyra që shkollat të kenë byfeja. Këta drejtorë për mendimin tim kanë qenë të padëgjueshëm për kryetarin” – tha Lahu.

Këtë e kundërshtoi Idrizi, i cili tha se ata kanë kërkuar lirim nga detyra. 

“Shumica e tyre kanë kërkuar lirim nga detyra. Drejtoresha e parë ka dhënë dorëheqje, ka qenë sfidë e madhe për të. Drejtori i dytë e ka gjetur një punë tjetër, 2 mijë e 400 euro dhe ka ardhë më ka thënë që kryetar me këtë e mbaj familjen. Drejtorët janë politikë dhe është fat që asnjë drejtor nuk është liruar për korrupsion” – tha Idrizi.

Përveç LDK-së, në lidhje më këtë temë kryetari u kritikua edhe nga LVV-ja.Refik Maloku nga radhët e kësaj partie tha se  “po normal që nuk munden me përcjellë sepse ti kur ja dërgon listën e mësuesve që kanë me u pranu çdo herë, çdo konkurs”.

“Unë jam pastër, se kur kam kandiduar, nuk ka qytetar që i kam thënë më mbështet, të shti në punë”- i’u kundërpërgjigj Idrizi.

“Në gjashtëmujorin e parë” – premtimi i parealizuar për ujë të pijshëm 

Në fushatën zgjedhore të vitit 2021, Ferit Idrizi u kishte premtuar qytetarëve se në gjashtëmujorin e parë nga marrja e mandatit, do të ketë ujë në të gjithë territorin e Vushtrrisë.

“Ne ju premtojmë qytetarëve se në gjashtëmujorin e parë do të ketë ujë në krejt territorin e Vushtrrisë”- kishte premtuar Idrizi më 27.09.2021.

E krypometri ka gjetur se tri vite pas këtij premtimi, në Komunën e Vushtrrisë ka vendbanime të cilat ende nuk furnizohen me ujë. 

“Neve nuk na intereson cila parti është në pushtet, cila u ardhë na ka premtu që do të keni ujë të pijshëm, na ujë të pijshëm nuk kem”- thotë qyetari Hashim Miftari.

Vetë Idrizi e pranoi se premtimi nuk është realizuar por ai tha se kanë rritur kapacitetin në fabrikën e ujit. Idrizi u shpreh optimist se deri në fund të vitit 2024, të gjitha vendbanimet e Vushtrrisë do të kenë ujë të mjaftueshëm. 

“E kemi rritur kapacitetin e fabrikës së ujit në 24 orë, vendimi tjetër ka qenë lirimi nga pagesa nga qytetarët për kyçjen në ujësjellës si dhe tri herë ka dështu tenderi për ujësjellës. Qytetarët kanë të drejtë që kanë deklaru që nuk kanë ujë. Deri në vit të ri krejt kanë me pas” – tha Idrizi. 

Në përgjigjen me shkrim nga Komuna e Vushtrrisë për KALLXO.com kanë thënë se 60% e vendbanimeve të Vushtrrisë furnizohen me ujë.

“Deri sot kemi arritur për të furnizuar afër 60% të fshatrave si dhe shumë shpejt pritet të furnizohen të gjitha pikat”- thuhet në përgjigjen e komunës. 

Për çështjen e ujit pati kritika nga opozita ndaj kryetarit Ferit Idrizi. 

“Kur përmend 60% të fshatrave të kyçur në rrjetin e ujësjellësit, duhet të tregoj fillimisht me sa për qind e ka  fillu mandatin, sepse me 60% e ka fillu, me 60% është pas tri viteve”- tha Sylejman Meholli, asamblist i LVV-së në Vushtrri. 

Këtë e kundërshtoi Idrizi duke thënë se “gypa të shtrirë ka pasur, po ujë s’ka pasur…në këtë matematikë mos na shti se po bëhen gabime mandej”- u përgjigj tutje Idrizi. 

Ku e ‘kapi’ në rrenë krypometri të parin e Vushtrrisë?

Ndërtesat në Vushtrri të njohura si “banesat e bardha” ishin pjesë e premtimeve të Idrizit, për të cilat gjatë fushatës u zotua se do të renovoheshin e madje afër tyre do të ndërtohej edhe një fushë tenisi.

“Edhe në qytet, disa hapësira siç është te banesat e bardha, një fushë të tenisit, aty një gjelbrim, kudo që ka…”- pati premtuar për renovim Idrizi më  27.09.2021. 

Mirëpo Krypometri gjeti se fusha e tenisit nuk është ndërtuar pasi kryetari kishte ndërruar mendje e fasadimi i këtyre banesave ka mbetur ende “projekt në letër”.

“Terrasat janë katastrofë, pikojnë ujë, poshtë bodrumet janë veç ujë, nuk mundesh me hy absolut”- është ankuar Jusuf Sokoli, qytetar i Vushtrrisë. 

Për këtë, Idrizi tha se kjo do të realizohet brenda mandatit të tij.  

“Ne i kemi nda mjetet për fasadimin e banesave të bardha dhe kemi kërkuar bashkëfinancim me MAPL, nuk na është përgjigjur. Tash kemi nis procedurat e tenderimit me subvencionim. Mendoj brenda mandatit me u kry. Janë iniciuar procedurat. Për fushën e tenisit, aty i kemi nda mjetet që pas konsultimit me komunitetin ata kanë kërku një park dhe jo fushë të tenisit” – deklaroi Idrizi në “Jeta në Komunë”.

Ndonëse në debatin e vitit 2021, Idrizi premtoi se do ta kishte prioritet publikimin e listës së uzurpatorëve, Krypometri gjeti se në faqen e Komunës së Vushtrisë, as pas tri viteve nga premtimi, nuk është publikuar lista e uzurpatorëve. 

“Nuk e kam ditë kurrë që në Vushtrri mund të ketë aq shumë uzurpatorë. Lista do të publikohet, këtu e kemi edhe kryetarin e Komisionit që është formuar për këtë. Nuk e keni idenë vetëm në rrugën “Lumni Surdulli” që tash është duke u ndërtuar, sa uzurpatorët ishin dhe sa muret e oborreve do të prishen”- shtoi Idrizi.

“Pas shiritit” – Cila është cilësia e punimeve të promovuara nga kryetari Idrizi?

Mangësi në projekte e punë të papërfunduara ka gjetur ekipi i “Jeta në Komunë” në Vushtrri. Rubrika “pas shiritit”, shpërfaqi cilësinë e punëve që u kryen në Vushtrri, të cilave Idrizi ua kushtoi edhe disa postime në profilin e tij në Facebook. 

Disa prej projekteve që në rrjete sociale Idrizi i kishte prezantuar si të përfunduara, dolën të ishin ndryshe në terren. Ekipit i “Jeta në Komunë” në Vushtrri verifikoi se ndonëse disa projekte u përuruan, ato nuk ishin si në fotografitë e publikuara nga kryetari Idrizi. 

Në nëntorin e vitit 2022, Idrizi kishte publikuar disa fotografi përmes të cilave i listonte disa prej punëve që do të kryheshin në fshatin Stanoc i Epërm. Në fotografitë që ai kishte publikuar u tha se ky projekt do të ketë parqe, gjelbërim e fusha me standarde e ndriçim. 

Ndërkaq pas vizitës së ekipit të “Jeta në Komunë” doli se parku ishte mbushur me mbeturina dhe se i mungonin shportat e mbeturinave, disa lojëra ishin dëmtuar, rrjetat e protave ishin dëmtuar dhe disa lojëra mungonin. Lojëra të prishura e të pasigurta u panë edhe në parkun tjetër që e kishte promovuar kryetari, atë në fshatin Stroc. 

Ishte premtuar edhe vendosja e sistemit të ventilimit dhe ngrohjes në palestrën sportive “Jeton Tërstena”. Mirëpo gjendje jo të mirë prezentuan ata që përdorin sallën duke treguar se investimi është planifikuar jashtë standardeve dhe se ende nuk është lëshuar në funksion. 

“Këto janë të vendosura, po bëhen gati 9-10 muaj edhe nuk janë në funsion”- tha Olta Kalludra, trajnere e volejbollit në këtë palestër sportive. 

Edhe vetë kryetari Idrizi e pranoi se palestra e sporteve nuk është përfunduar. 

“Palestra e sporteve nuk është përfunduar ende si projekt, se nuk kemi pasë para me pagu, pasi që na ka marrë paratë” – tha Idrizi në “Jeta në Komunë”.

Nën llupën e ekipit të “Jeta në Komunë” hynë edhe projektet e promovuara nga kryetari për kanalizimin në Vushtrri. Ekipi gjeti se në fshatin Dumnicë e Mesme, kanalizimi rrjedh në përroskën e fshatit dhe se kundërmon sidomos gjatë verës. 

“Pa kanalizim jemi 20 shpija, as ujë s’kena, as kanalizm, të vetmen Dumnicën po e lajnë veçmas. S’mundemi me pi, këta ujë nuk pihet, se kanalizimi derdhet këtu, te bunari (puseta), këta ujë nuk e përdorim sherri i kanalizmit e ujë shkojmë marrim në Vushtrri me kerre, duhet me mbetë gjallë dyqysh, kemi ba ankesa sa kemi mujtë, ka 10 veta i shkojmë në komunë, veç po na lajnë anash” – thotë Shefki Sokoli banor i këtij fshati.

E zgjidhja për kanalizmin në fshatin Dumnicë e Mesme duket të jetë ende larg. 

“Këtë kanalizim është çështje e buxhetit, jemi duke punuar në këtë fshat. Nuk mund të përfundohet”- tha kryetari Idrizi në lidhje me kanalizimin në fshatin Dumnicë e Mesme.

“I pari në Kosovë jam” – Idrizi kundërshton të dhënat e Raportit të Performancës

Në Raportin e Performancës Komunale të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2023, Komuna e Vushtrrisë është vlerësuar se nuk i ka arritur as standardet minimale të punësimit të personave me aftësi të kufizuar.

Këto të dhëna zyrtare të ministrisë i kundërshtoi kryetari Ferit Idrizi. 

“I pari në Kosovë jam. Unë i kam punësu 5 persona me aftësi të kufizuara” – deklaroi Idrizi në “Jeta në Komunë”.

Në të njëjtin raport është evidentuar edhe mungesa e Stacionit të Autobusëve.

“Kam thënë kështu, kam me insistu e marrë pronën që është adekuate për Stacion të Autobusëve dhe për këtë arsye unë kam pasë takim me ministren e Drejtësisë edhe kam bo kërkesë dhe jemi në proces të bartjes së asaj prone nga Ministria në pronë komunale, atëherë nuk e kam premtu”- deklaroi Idrizi.    

Komuna e Vushtrrisë shënoi zero pikë në realizimin e planit komunal për transport publik dhe pati performncë të dobët sa i përket hapësirave të gjelbra. 

Ferit Idrizi përballë gjetjeve dhe rekomandimeve të Auditorit 

Në “Jeta në Komunë”, pas tri viteve mandat në krye të Vushtrrisë, Ferit Idrizi u përball edhe me gjetjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditorit. Sipas raportit të auditorit të vitit 2023 dhe 2022, Vushrria ka  një listë të gjatë të shkeljeve. 

Auditori zbuloi se Vushtrria është komunë e paaftë t’i regjistrojë pronat në regjistrin e pasurisë, madje Auditori ka gjetur se vet objekti i komunës nuk është në regjistrin e pasurisë.

Auditori gjeti se Komuna e Vushtrrisë ka probleme në faturimin e borxheve duke evidentuar se kjo komunë nuk arriti t’i argumentojë 471 mijë euro borxh që bizneset ia kanë asaj. 

“Sa i përket borxheve, është një problem legjislativ, i kemi dy duart e lidhura, sepse ne nuk mund t’i inkasojmë borxhet me përmbarues se nuk i lejon legjislacioni domethënë t’i ka kufizu të gjthë mekanizmat e në anën tjetër tubohet borxhi”- u sqarua Idrizi. 

Parregullsi nga Auditori i evidentuan edhe te tenderët e Komunës së Vushtrrisë. Në tenderin për lumin Sitnica, Auditori gjeti se pllakat e mermerit nuk ishin shtruar, por që në vend të tyre ishin vendosur pllaka betoni. Kjo bëri që komuna të paguante 40 euro për 1 metër katror pllakë betoni.

Drejtori i Financave dhe menaxheri i këtij projekti, Nexhat Merovci, tha se kjo gjetje e Auditorit është e pavërtetë. 

“Ajo s’është e vërtetë, absolut nuk qëndron ajo. Në paramasa dhe parallogari janë të definuara se çka duhet me qenë mermer e çka beton”- u deklarua Merovci, duke thënë se i ka bërë të gjitha analizat për pllakat nga një laborator i akredituar. 

Auditori thotë se Komuna e Vushtrrisë ka shtrirë kanalizim, ka ndërtuar rrugë dhe e ka rregulluar shtatin e lumit pa pasur fare projekte ekzekutive. Këto projekte së bashku kapin vlerën e 2.3 milionë eurove.

Ndërkaq në renovimin e palestrës, Auditori evidentoi se pompat termike u instaluan me kapacitet të vogël e një pompë nuk u instalua fare. Auditori konstatoi se edhe monitorët në hyrje të qytetit u paguan pa u lëshuar fare në punë. 

Gjetjet e Auditorit edhe në vitin 2022 kishin evidentuar parregullsi serioze në Vushtrri. Në kontratën për rregullimin e shtratit të lumit Sitnica, doli se ishin paguar 13 mijë euro pa u kryer punët fare. 

Sipas Idrizit, arsyeja pse opinioni i Auditorit për Vushtrrinë ka dalur i kualifikuar është për shkak të parave që thotë se ua mori kontrata kolektive mes MASHTI-t dhe SBASHK-ut e cila sipas tij, ua mori 6 milionë euro brenda një periudhe 13 mujore.