Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi në vitin 2021 kur garonte për kryetar të Vushtrrisë kishte dhënë një mori premtimesh për këtë komunë të cilat do t’i realizonte disa brenda mandatit e disa në kohë edhe më të shkurt.
Njëri nga premtimet e Idrizit në vitin 2021 kishte qenë sigurimi i furnizimit me ujë për të gjithë banorët e Vushtrrisë brenda gjashtë muajve nga marrja e mandatit.
Krypometri ka gjetur se tri vite pas këtij premtimi, në Vushtrri ka vendbanime të cilat nuk furnizohen me ujë.
Hashim Miftari, banor i fshatit Dumnicë e Epërme tregon se në këtë fshat dhe dy fshatra të tjera (Dumnicë e ulët dhe e mesme) nuk ka furnizim me ujë.
Edhe qytetari, Ragip Bunjaku nga fshati Samadrexhë konfirmon se në këtë fshat nuk ka furnizim.
Në lidhje me këtë, Idrizi në #DebatPërnime pranon se premtimi nuk është realizuar brenda kohës që ai kishte premtuar por thotë se kanërritur kapacitetin në fabrikën e ujit.
“E kemi rritur kapacitetin e fabrikës së ujit në 24 orë, vendimi tjetër ka qenë lirimi nga pagesa nga qytetarët për kyçjen në ujësjellës si dhe tri herë ka dështu tenderi për ujësjellës. Qytetarët kanë të drejtë që kanë deklaru që nuk kanë ujë. Deri në viti ri krejt kanë me pas” – tha Idrizi.
Një premtim tjetër i kryetarit Idrizi kishte qenë fasadimi i banesave të bardha në Vushtrri si dhe ndërtimi i një fushe të tenisit aty.
Kryetari i Vushtrrisë thotë se deri në fund të mandatit do të përfundoj premtimin sa i përket fasadimit të banesave të bardha ndërsa për fushën e tenisit pas konsultimit me komunitetin ka ndërruar mendje.
“Ne i kemi nda mjetet për fasadimin e banesave të bardha dhe kemi kërkuar bashkëfinancim me MAPL, nuk na është përgjigjur. Tash kemi nis procedurat e tenderimit me subvencionim. Mendoj brenda mandatit me u kry. Janë iniciuar procedurat. Për fushën e tenisit, aty i kemi nda mjetet që pas konsultimit me komunitetit ata kanë kërku një park dhe jo fushë të tenisit” – shpjgohet Idrizi në DebatPërnime.
Idrizi në vitin 2021 përballë Jeta Xharrës kishte premtuar se do të kishte prioritet publikimin e listës së uzurparotrëve në Komunë e Vushtrrisë.
Krypometri ka gjetur se kjo listë nuk është e publikuar në ëebsite-n e Komunës së Vushtrrisë.
“Nuk e kam ditë kurrë që në Vushtrri mund të ketë aq shumë uzurpatorë. Lista do të publikohet këtu e kemi edhe kryetarin e komisioni që është formuar për këtë. Nuk e keni idenë vetëm në rrugën “Lumni Surdulli” që tash është duke u ndërtuar, sa uzurpatorët ishin dhe sa muret e oborreve do të prishen”- thotë Idrizi.
Kryetari i Vushtrrisë në kohën kur garonte për këtë pozitë kishte premtuar themelimin e një drejtorie për diasporë dhe integrime evropiane, premtim ky që krypometri e ka gjetur të realizuar.