RRUFE

Ferizaj, arrestohen dy të mitur, dyshohen se i vunë flakën një veture të shtrenjtë

Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të mitur, të cilët dyshohet se i kanë vënë flakën një veture në Ferizaj.

Ndërsa, Policia njofton se është në kërkim të një personi tjetër për shtytje të zjarrvënies dhe ka sekuestruar një biçikletë që dyshohet se u përdor për kryerjen e veprës.

Sipas Policisë, të arrestuarit M.B., 16-vjeç dhe A.Z., 17-vjeç, dyshohet se të maskuar, më 24.10.2024, i kanë vënë flakën një veture te qendra ‘Village Shopping & Fun’ në Ferizaj, dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Dëmet e shkaktuara në veturë sipas Policisë ishin rreth 20,000 euro.

“Pas një pune intenzive hetimore në terren, shikimit të kamerave të sigurisë , hetuesit rajonal kanë arritur të identifikojnë dy persona të dyshuar : M.B (M/K) i moshës 16 vjeçar dhe A.Z (M/K) i moshës 17 vjeçar, të cilët sot me datë 25.10.2024, rreth orës 15:40 janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj”- ka thënë Policia.

Të arrestuarit janë intervistuar nga hetuesit në prezencë të avokatit mbrojtës, përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale dhe prindërve të tyre.

Ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 24 orë për procedura të mëtejme hetimore.

Policia thotë se është në kërkim të një personi tjetër, i dyshuar për cytje në këmbim të parave të zjarrvënies ndaj veturës.


Postuar

nga

Etiketa: