RRUFE

Ferizaj, marsh me simbolikën e luftës së fituar kundër kancerit të gjirit

Një nënë e mban me dy duart fëmijën e saj teksa i jep gji. Por “Nëna” e pikturës së Sindi Ukshinit e ka të hequr gjirin e majtë pasi ishte diagnostikuar me kancer.

“Piktura jem paraqet një femër, e cila e ka kryer operimin e gjirit dhe në dorën e saj mban fëmijën, duke vazhduar jetën e saj në normalitet” – ka thënë Ukshini, nxënëse e shkollës së mesme të artit “Çesk Zadeja” në Ferizaj.

Vepra e saj dhe nëntë të tjerat e shoqeve artiste janë vendosur paraditen e së enjtes (31.10.2024) në sheshin “Adem Jashari” para shtatores së dëshmorit Rexhep Bislimi përballë Komunës së Ferizajt për t’i mbështetur gratë e prekura nga kanceri i gjirit. Edhe ato që ia kanë dalë ta fitojnë betejën, sikurse gruaja në pikturë që ka shenjat e plagës së qepur pas heqjes së gjirit së majtë.

Trëndafili në kokë dhe një lule në krahun me të cilin mban foshnjën në gji, janë shenja të dashurisë së të mbijetuarave për të çarë përpara në jetë pavarësisht sëmundjes.

Pikturat janë kundruar nga dhjetëra marshues, kryesisht personel shëndetësor dhe politikanë lokalë, që ishin pjesë e “Ecjes” së nisur nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF). Ky ishte i fundit prej aktiviteteve për “Tetorin Rozë”, gjatë të cilit janë organizuar edhe ligjërata dhe transmetim të video-rrëfimeve të dy grave të mbijetuara të kancerit të gjirit.

“Ecja”, organizuar nga Komuna e Ferizajt dhe QKMF-ja, ka pasur për synim demonstrimin publik të mbështetjes për gratë e prekura nga kanceri i gjirit, kanë thënë organizatorët, të cilët kanë folur para personelit mjekësor që mbante parullën me mbishkrimin “Zbulimi i hershëm – mbijetesë”.

Xhevdet Haxhidema, koordinator komunal i aktiviteteve të “Muajit Rozë”, beson se fushata dhe ngjarjet e ndryshme kanë rritur shkallën e vetëdijesimit në mesin e qytetarëve pa dallim gjinie për rëndësinë e masave preventive kundër kancerit të gjirit.

“Në bazë të kapaciteteve që i kemi si QKMF, ne i kemi paraparë shtatë deri në tetë mamografi brenda ditës dhe që realisht janë bërë të gjitha këto ekzaminime” – ka thënë Haxhidema, njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal.

Kemajl Emini, drejtor i Drejtorisë komunale të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë se fushatat kanë ndikuar që të rritet numri i grave të të gjitha moshave që po kryejnë kontrolle dhe skanime për parandalimin e përhapjes së kancerit të gjirit.

“Edhe thash se statistikat vetë po vlerësojnë se është ngritur vetëdija për një ekzaminim, po vetekzaminim për me u gjetë në faza sa më të hershme” – ka thënë Emini, duke shtuar gjithashtu se kjo është jetike për diagnostikim dhe mjekim, “por edhe për aspektin psikologjik edhe për pacientin, edhe për familjen”.

Ukshini, piktorja e re e “Çesk Zadejës”, ka thënë se të gjitha pikturat përçojnë mesazhe shprese për të mbijetuarat e kancerit të gjirit.

“Është shumë e rëndësishme, sepse, arti, vetë pikturat tona flasin dhe përmes atyre, mund të kuptojmë gjithçka” – ka thënë Ukshini para dhjetë pikturave në shesh. Aty ku infermiere e zyrtare të shëndetësisë lokale në fund i kanë lëshuar në qiell dhjetëra tullumbace rozë. Derisa tullumbace në qiell po ndaheshin pikë e pesë sa më lart që shkonin dhe poshtë pjesëmarrësit po duartrokisnin, Rexhep Jakaj, zyrtar i shëndetësisë lokale, thotë se “simbolika e balonave është hedhja e kancerit në erë. Humbja e tij”.

“Shkoftë e mos u ktheftë!” – thotë një tjetër zyrtare.


Postuar

nga