Përfaqësuesja e Kosovës në seancën e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz i ka reaguar ashpër ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq.
Ky e fundit e quajti Kosovën gjatë gjithë kohës si “Kosova dhe Metohija”. Ndërkaq, Gërvalla i reagoi duke i thënë se nuk ka vend në këtë botë që quhet ashtu siç po i referohet Gjuriqi.
“Nuk ka vend në botë, në këtë glob që quhet ‘Kosovë e Metohi’, është Kosovo, Kosova, Republika e Kosovës, por që do të ishte e njëjta gjë të fillojë ta quajë… apo me ndonjë emër tjetër, por nuk do ta bëj këtë”- tha Gërvalla.
Gërvalla iu drejtua duke i thënë se do të ishte e njëjta sikur ajo vetë do t’i drejtohej Serbisë si “Kralevina”.
“Po që do të ishte e njëjta gjë që tash sa herë e përmend unë Serbinë të fillojë ta quaj “Kralevina” apo ndonjë emër. Por nuk do ta bëj një gjë të tillë”- shtoi ajo.
Ndër të tjera, Gjuriq nisi fjalinë e tij duke thënë se “Po filloj duke ju falënderuar për një vëmendje të vazhdueshme për sa i përket krizave në Kosovë dhe Metohi”.
Në seancën e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, po shqyrtohet raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë.