Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla më 09.10.2024, i ka propozuar Qeverisë që t’ia ndajë 200 mijë euro për Bosnjë Hercegovinën pas përmbytjeve vdekjeprurëse.
“Kërkesë si MPJD për solidarizim me Bosnjën në një situatë që vërshimet kanë shkaktuar dëme shumë të mëdha, do të kërkoja solidazrimin me një shumë prej 200 mijë euro. Nëse nuk ka kundërshtim këtu, atëherë kryeministër do të dërgonim kërkesën zyrtare”- u shpreh ajo.
Kryeministri Albin Kurti tha për këtë duhet një mbledhje tjetër për t’u përgatitur vendimi.
Më 04.10.2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti u kanë shprehur ngushëllime familjeve të prekura në Bosnjë Hercegovinë për personat që humbën jetën si pasojë e përmbytjeve.
Përveç ngushëllimeve, presidentja Osmani e kryeministri Kurti kanë shprehur gatishmërinë e Kosovës për t’i ndihmuar popullit në Bosnje Hercegovinë.
“Zemrat tona janë me familjet në Bosnjë Herecegovinë të pikëlluara për humbjen e më të dashurve pas përmbytjeve shkatërruese. Populli i Kosovës qëndron krah për krah me popullin e Bosnje Hercegovinës gjatë këtyre kohërave të vështira dhe jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme” – ka shkruar presidentja Osmani në platformën X. më 04.10.2024.