Ish-ministrja e Integrimeve Europiane Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi, Fitim Mustafa dhe Ekrem Tahiri janë liruar nga akuzuat e Prokurorisë. Hetimet patën nisur pas hulumtimit të KALLXO.com “Paratë e taksapaguesve u përdorën për të lobuar për ndryshim të kufijve”.
Gjykata e Prishtinës më 14.10.2024 mori aktgjykim lirues për pretendimet e prokurorisë se mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, sipas prokurorisë kishin përfunduar duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e datës 06.10.2019.
Në shpallje të aktgjykimit nuk ishte e pranishme ish-ministrja Hoxha.
Vendimi për këtë rast u mor nga Vesel Ismaili – kryetar, dhe Lutfi Shala dhe Violeta Namani – anëtarë.
Sipas gjyqtarit akuzuarit janë liruar nga akuzat e prokurorisë, pasi sipas tij nuk është provuar se kanë kryer veprat penale për të cilat ju vihen në barrë.
Mbi 140 mijë euro të buxhetit të shtetit, të cilat ishin destinuar për informimin e drejtë të qytetarëve rreth liberalizimit të vizave, përfunduan duke promovuar fushatën elektorale të ish-ministres Dhurata Hoxha për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
Kështu përshkruhet në aktakuzën voluminoze të Prokurorisë Speciale përmes së cilës për afera korruptive po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe zyrtarët e tjerë të kësaj Ministrie, Fitim Mustafa dhe Gëzim Dushi.
Këto mjete kishin përfunduar në llogaritë e disa portaleve përmes kompanisë “PR Solutions”, e cila e kishte marrë kontratën “Informimi i publikut për nevojat e MIE-së”.
Hetimet në lidhje më këtë rast kishin filluar pas hulumtimit të KALLXO.com dhe shkresave informuese të Zyrës Ligjore të BIRN dhe Internews Kosova, të cilat kishin alarmuar Prokurorinë për kontratat lobuese të Ministrisë së Integrimeve Europiane dhe dyshimeve për keqpërdorimin e qindra mijëra eurove nga kjo Ministri.
Në aktakuzën e PSRK-së përshkruhet se kompania, e cila ishte më e lira dhe që i kishte përmbushur të gjitha kriteret, ishte larguar në mënyrë të kundërligjshme nga procesi i tenderimit. Për këtë arsye për keqpërdorim të detyrës po akuzohet Fitim Mustafa, i cili ishte shef i prokurimit në MIE.
Ai po akuzohet se është përfshirë në afera korruptive në momentin kur e ka shpallur fituese kompaninë “PR Solutions” dhe jo kompaninë e cila kishte ofertuar me çmimin më të lirë.
Sipas Prokurorisë, “N.Sh. 2B” ishte eliminuar nga gara në mënyrë të kundërligjshme edhe pse i kishte plotësuar të gjitha kriteret bazë të tenderit dhe ishte për 192 mijë euro më e lirë sesa kompania e cila në fund u shpall fituese.
Kontrata me kompaninë “PR Solutions” ishte nënshkruar nga ish-ministrja Dhurata Hoxha, e cila po akuzohet se i kishte shfrytëzuar mjetet e Ministrisë për promovimin e fushatës zgjedhore.
Hoxha po akuzohet se kontratën që kishte për qëllim informimin e qytetarëve për procesin e liberalizimit të vizave e kishte përdorur për publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që përmbanin të arriturat dhe vizionin e saj. Dëmi që Hoxha ia ka shkaktuar buxhetit të Kosovës përshkruhet të jetë mbi 140 mijë euro.
Ndërsa Gëzim Dushi akuzohet se kishte lejuar zbatimin e këtyre video-spoteve dhe banerëve ndonëse ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.
Në lidhje me zbatimin e kësaj kontrate po akuzohet edhe pronari i “PR Solutions”, Ekrem Tahiri, i cili përshkruhet se kishte bërë promovimin e fushatës zgjedhore të kandidates Dhurata Hoxha edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e ofruara ishin në kundërshtim me qëllimin e kontratës.
Ky ësthë rasti i dytë i ish-minstres në cilësinë e të akuzuarës. Dhurata Hoxha kishte edhe një lëndë penale pranë deparatamentit special të Gjykatës së Prishtinës më datë 28.04.2023 ishte shpallur e pafajshme nga Gjykata, Dhurata Hoxha, Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj, si dhe Nuhi Osmanit lidhur me veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Aktakuza ndaj tyre u ngrit pasi më 2020, KALLXO.com kishte shfaqur hulumtimin se si paratë e taksapaguesve ishin përdorur për të lobuar për ndryshim të kufijve.
Hulumtimi kishte zbardhur se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Europiane e Kosovës i pagoi 168,000.00 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.
Asokohe, kjo ministri drejtohej nga Dhurata Hoxha e PDK-së.