Në Gjykatën e Prizrenit më 03.10.2024 është mbajtur edhe një seancë në rastin e të pandehurit Mirjan Dautaj, shtetas i Shqipërisë, i akuzuar për veprën penale – sulm ndaj personit zyrtar, e cila pretendohet se ka ndodhur në vitin 2020 në Prizren.
Në seancën e sotme dëshmuan dy zyrtarë policorë, Erblin Kraja dhe Ramadan Rizanaj.
I pyetur nga prokurori Ramadan Koro nëse kishte parë ndonjë lëndim te dy personat (zyrtarë policorë) pasi kishte arritur në vendin e ngjarjes në ditën kritike, dëshmitari Rizanaj tha që nuk kishte vërejtur ndonjë lëndim.
Mbrojtësi i të akuzuarit Mirjan Dautaj, avokati Faik Miftari, i propozoi Gjykatës që të administrohet si provë edhe një CD.
Ndërsa, Gjykata mori vendim që të aprovohet propozimi i mbrojtjes.
I akuzuari Mirjan Dautaj në seancën e datë 02.07.2024 deklaroi se nuk e pranon fajësinë.
Kujtojmë se sipas aktakuzës së ngritur më 18.08.2020 nga prokurori Naim Gashi, i pandehuri Mirjan Dautaj, shtetas i Shqipërisë, akuzohet se më 03.08.2020, rreth orës 11:40, në Prizren, e sulmon personin zyrtar, i cili ishte në krye të detyrës zyrtare, në atë mënyrë që derisa zyrtarët policorë Sh.K. dhe O.S. ishin me veturën e tyre zyrtare të Njësisë K-9 vërejnë se një veturë me targa të Gjermanisë kishte bllokuar rrugën dhe kishte bërë kolonë në të dyja anët e rrugës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi zyrtarët policorë i bien borisë për t’i bërë shenjë që të largohet nga vendi, policët i lëshojnë dritat vezulluese të automjetit zyrtar. I pandehuri posa i vëren dritat vezulluese fillon të bërtasë dhe me shpejtësi largohet nga vendi i ngjarjes, e zyrtarët policorë i vihen në ndjekje dhe arrijnë ta ndalojnë veturën të cilën e drejtonte i pandehuri.
Sipas aktakuzës, kur policët i kërkojnë të pandehurit dokumentet, pretendohet se ai nuk i kishte përfillur urdhrat e tyre, nuk ua jep dokumentet, vazhdon me sharje dhe kanosje, duke thënë se unë jam nga Kukësi dhe “ju kall me çka ka” e më pas me vrull hap derën dhe e godet me bërryl dhe kokë në gjoks të dëmtuarin – zyrtarin policor Sh. K., të cilit i shkakton lëndime të lehta trupore.
Me këto veprime pretendohet se i akuzuari Mirjan Dautaj ka kryer veprën penale – sulm ndaj personit zyrtar.
(Shënim: Titulli i këtij artikulli është edituar. Koha e editimit: 04.10.2024, ora 09:38)