RRUFE

Google Maps heq “Parkun Ratko Mlladiq” të rremë nga varrezat e Srebrenicës

Një lokacion i rremë në Google Maps i quajtur “Parku Ratko Mlladiq”, i vendosur në mes të varrezave të Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, ku janë varrosur viktimat e gjenocidit, është hequr pas ankesave se kjo ishte një fyerje për të vdekurit.

Qendra Përkujtimore e Srebrenicës i tha BIRN se një vendndodhje e rreme e gjetur në Google Maps nga stafi i saj ndërsa kryente rezervime online tashmë është hequr.

Almasa Salihoviq, zëdhënëse për Qendrën Përkujtimore, tha se lokacioni i rremë ishte në mes të varrezave ku janë varrosur trupat e të vdekurve të Srebrenicës.

Ajo e përshkroi atë “një tjetër në një seri fyerjesh” ndaj viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit të boshnjakëve të korrikut 1995 nga forcat serbe të Bosnjës të udhëhequra nga Mlladiqi.

Ajo tha se kjo mund të jetë një përpjekje tjetër për të mohuar se ka ndodhur gjenocidi ose një “shaka praktike”.

Mlladiqi u dënua për gjenocid dhe krime të tjera të kohës së luftës nga Gjykata e Hagës dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Ligji boshnjak ndalon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Personi që vendosi “Parkun Ratko Mlladiq” që nuk ekziston, është penalisht përgjegjës, tha avokati Edvin Agiq.

Agiq tha se duke e bërë këtë, “autori i këtij akti po mohon dhe minimizon rrethanat në të cilat u vranë njerëzit në një shkallë masive, gjë që ofendon thellësisht viktimat dhe të mbijetuarit”.

Avokati Mirnes Ajanoviq tha se nëse prokuroria e shtetit merr një kallëzim, ajo është e detyruar të hetojë dhe të zbulojë se kush ishte përgjegjës. Ai shtoi se është e lehtë të ndiqen gjurmët digjitale, si adresat IP dhe llogaritë e përdoruesve, të cilat mund të shërbejnë si prova kryesore për identifikimin e autorit.

“Personi përgjegjës për shtimin e këtij vendi të rremë duhet të ndiqet penalisht sipas ligjit. Kjo situatë ngre gjithashtu një pikëpyetje të rëndësishme për përgjegjësinë e platformave digjitale si Google, e cila duhet të marrë një rol më aktiv në parandalimin dhe monitorimin më efektiv, në mënyrë që të parandalojë abuzime të tilla në të ardhmen”, thotë Ajanoviq.

Prokuroria e shtetit tha se ende nuk ka marrë një kallëzim për incidentin.

Salihoviçi tha se pasi etiketa Parku Ratko Mlladiq ishte e dukshme për një javë, Google e fshiu atë nga harta.

Gabriela Chiorean, menaxhere e komunikimit në Google, i tha BIRN se sistemet e tij të automatizuara dhe operatorët e trajnuar punojnë vazhdimisht për të monitoruar hartat për sjellje të dyshimta, duke përfshirë ndryshimet e gabuara në vendndodhje.

Chiorean shtoi se Google e ka bërë më të lehtë që përdoruesit të raportojnë vendndodhje të rremë dhe përmbajtje të papërshtatshme.

“Aftësimi i përdoruesve për të sugjeruar ndryshime në harta na ndihmon të kemi informacion më të plotë dhe më të përditësuar, por jemi të vetëdijshëm se ndonjëherë mund të sugjerohen ndryshime të pasakta ose të këqija”, tha ajo.

“Kur kjo të ndodhë, ne bëjmë gjithçka që mundemi për ta zgjidhur problemin sa më shpejt të jetë e mundur. Ne përdorim sisteme manuale dhe të automatizuara për të zbuluar spam dhe mashtrime, por nuk ndajmë detaje rreth proceseve tona, në mënyrë që të mos zbulojmë informacion për ata që kanë qëllime të këqija”, shtoi ajo.

Emir Alibasiq, ekspert gjyqësor në informacion dhe komunikim, tha se çdokush mund të kërkojë ndryshim të të dhënave nga Google, i cili do të pranohet nëse plotëson kriteret e përcaktuara nga algoritmi.

“Kur bëhet fjalë për vendosjen e vendndodhjeve të caktuara në hartë, në këtë rast, personi që ngarkon atë informacion duhet të ketë një llogari Google, të cilën çdokush mund ta regjistrojë, për fat të keq”, tha ai./ balkaninsight

 


Postuar

,

nga