Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia.
Në një përgjigje për KALLXO.com, kjo ambasadë ka thënë se vendi i merituar i Kosovës është në institucionet europiane dhe euroatlantike.
“Heqja e ndalesës për mallrat e gatshme të importuara nga Serbia është një hap në drejtimin e duhur drejt integrimit më të madh ekonomik rajonal, si dhe integrimit europian”- thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.
Kjo ambasadë thotë se i vlerëson përpjekjet dhe angazhimin afatgjatë të partnerëve ndërkombëtarë për të promovuar tregtinë e lirë dhe integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
“Qeveria e SHBA-së mbështet iniciativat që lehtësojnë qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, dhe që përmirësojnë sundimin e ligjit, duke përfshirë Procesin e Berlinit dhe CEFTA-n”- është thënë nga Ambasada amerikane.
Qeveria e SHBA-së, sipas kësaj ambasade, dëshiron të shohë një prosperitet të shtuar ekonomik në Kosovë.
“Reduktimi i barrierave në tregti përmirëson perspektivat për rritjen ekonomike”- thotë ambasada.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, gjatë ditës ka thënë se edhe pikat tjera kufitare me Serbinë, pas asaj që është hapur në Merdarë, do të hapen për të gjitha mallrat në momentin kur skanerët me rreze X do të bëhen funksional në to.
Pas zhbllokimit të mallrave në pikën kufitare në Merdare nga Qeveria e Kosovës, Gjermania ka vënë përsëri në ‘tryezë’ skanerët e teknologjisë së lartë për kontrollin e mallrave në kufi me Serbinë dhe sipas paralajmërimeve pritet të vijnë në Kosovë “sa më parë që është e mundshme”.
Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane në Kosovë, Christian Bottcher tha se Gjermania është e prirur të mbështesë Kosovën në përmbushjen e nevojave të saj të sigurisë duke ofruar skanerë siç i ofroi emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin kryeministrit Albin Kurti.
“Pjesë e kësaj [mbështetjeje] do të jenë edhe partnerë të tjerë. Skanerët duhet të sigurohen sa më shpejt që të jetë e mundur në përputhje me rregullat dhe rregulloret për prokurimin publik dhe në përputhje me nevojat në terren”- ka thënë Bottcher për KALLXO.com.
Skanerët, siç ka deklaruar ai, janë pjesë e një marrëveshjeje të mëhershme. Bottcher ka përkujtuar se fillimisht skanerët u ofruan nëse hiqet bllokimi i mallrave dhe meqenëse kryeministri Kurti më parë hodhi poshtë idenë e hapjes së kufirit për mallrat serbe më herët, ata ishin hequr nga “tryeza”.
“Tani është hapur rruga për të vazhduar sërish me skanerët”- tha ai.
Ndërsa në pyetjen se nëse me këtë veprim të Kurtit janë përmbushur kërkesat e Sarrazinit, ai tha se “kjo është në thelb ajo që është kërkuar nga Kosova- [pra] po”.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde tha se “tregtia e lirë jo vetëm që nxit ekonomitë lokale dhe rajonale, por gjithashtu hap dyert për pjesëmarrje në iniciativat rajonale dhe europiane”.
Kryeministri Kurti të hënën më 07.10.2024 tha se mallrat do të zhbllokohen edhe në pikat kufitare tjera me Serbinë kur të sigurohen skanerët nga aleatët ndërkombëtarë.
Kurti tha se po presin edhe nga SHBA dhe Bashkimi Europian që t’i sigurojnë Kosovës skanerë se sipas tij vetë i na kanë thënë se do të përpiqen t’ua sigurojnë.
“Në ndërkohë edhe vetë Dogana e Kosovës është duke blerë skanerë. Ne nuk po u themi vetëm ndërkombëtarëve na ndihmoni, por na ndihmoni se edhe ne vetë po shpenzojmë”- tha ai, duke shtuar se siguria e Kosovës është siguri edhe për ndërkombëtarët.
Kurit tha se e gjithë Qeveria janë marr me këtë punë.
“Nga unë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, këshilltari im Jeton Zulfaj kanë biseduar dhe negociuar me Bashkimin Europian, në veçanti me Gjermaninë”- tha ai.
“Nëse nuk sillni rezultate më të mira deri te samiti më 14 tetor, jam i shqetësuar se nuk do të arrijmë qëllimin tonë…”- kishte thënë Sarrazin më 29.08.2024.
Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së, UNMIK-ut.
Megjithatë Kurti tha se kanë pritje që edhe në takimin e CEFTA-s, e edhe në Samitin e Berlinit që do të mbahen gjatë këtyre ditëve, do të arrihen suksese si Kosovë.