Më 17.10.2024, Nexhat Behluli në “RTV Spektri” (Arkiva) ka publikuar një artikull ku flet për vendimin që e ka marrë Gjykata Supreme lidhur me rastin e rezervave shtetërore, rast për të cilin të dyshuar janë, Irfan Lipovica, Ridvan Muharremi dhe Hafiz Gara.
Ky postim shoqërohet me mbishkrimin “Gjykata Supreme e Kosovës paska hedhur landën në mungesë të provave për keqpërdorim në rezervat shtetërore!”
Pretendimi i tillë se lënda lidhur me rastin e rezervave shtetërore është hedhur poshtë nga Gjykata Supreme del të jetë i pasaktë pasi Gjykata Supreme ka marrë vendim në të cilin ka vendosur lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë lidhur me masën e paraburgimit për tre të dyshuarit.
I pakënaqur me heqjen e masës së paraburgimit nga Gjykata e Apelit ishte shprehur Prokurori Special i cili kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, dhe pikërisht ky vendim është nxjerrë për t’i dhënë përgjigje kërkesës së prokurorit Special.
“Refuzohet e pa bazuar kërkesa e prokurorit të shtetit për mbrojtje të ligjshmërisë, e ushtruar kundër vendimit të Gjykatës së Apelit”- thuhet në vendimin e Supremes të datës 10.10.2024.
Pra, vendimi të cilin e ka marrë Gjykata Supreme nuk ka të bëjë me mbylljen apo jo të lëndëve, por vendimi është marrë për të konstatuar nëse Gjykata e Apelit ka marrë vendimin e duhur kur ka vendosur që t’i lironte nga paraburgimi Irfan Lipovicën, Hafiz Garën dhe Ridvan Muharremin.
“Andaj në bazën e të gjithë këtyre që u theksuan më lartë, kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës konstaton se Gjykata e Shkallës së dytë ka paraqitur arsye të mjaftueshme në lidhje me ndërprerjen e paraburgimit, pasi që të njëjtat gjejnë mbështetje në shkresa të lëndës si dhe në dispozita përkatëse ligjore dhe kushtetuese, dhe në standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, që parashohin dhe garantojnë liritë e lëvizjes” – thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme që kishte trajtuar ankesat e palëve kundër vendimit lirues për paraburgimin e të dyshuarve.
Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Garan, të dyshuar në lidhje me keqpërdorimin e rezervave shtetërore, ishin liruar nga masa e paraburgimit më 31.08.2024 nga Gjykata e Apelit. Të njëjtit gjendeshin në paraburgim që nga 19 gushti i këtij viti kurse me vendimin e fundit të apelit të njëjtit janë liruar nga kjo masë.
Gjykata e Apeli kishte konstatuar se në arsyetimin e Themelores për caktimin e paraburgimit nuk ka pasur mbështetje të artikulueshme mes provave të paraqitura dhe veprimeve të të pandehurve.
Sipas vendimit të Apelit në vendimin për caktimin e paraburgimit, më shumë ka pasur shpjegim kronologji të rastit, sesa vlerësim dhe arsyetim mbi faktet që janë paraqitur në kërkesën për caktimin e paraburgimit.
Tutje sipas vendimit të Apelit, në caktimin e paraburgimit themelorja ka pranuar në tërësi kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit, duke mos u vlerësuar arsyeshmërinë e provave në drejtim të ekzistimit të dyshimit të bazuar.
Andaj sipas Kolegjit të Apelit në përbërje prej Afërdita Bytyçit, Kryetare e kolegjit, Kreshnik Radoniqi dhe Ferit Osmani, anëtarë, kishin vlerësuar se masa e paraburgimit nuk ka arritur nivelin e konsumimit të kushteve të paraburgimit.
Sipas vendimit të kolegjit në atë kohë, jo çdo kërkese për caktimin e paraburgimit duhet t’i jepet aprovim, jo pa iu nënshtruar vlersueshmërisë së provave dhe vlerësimin e pretendimeve të paraqitura nga ana e të pandehurve dhe mbrojtësve.
Për fund, Apeli kishte ardhur në përfundim se nuk është arritur që të krijohet bindja objektive në vlerësimin e secilës provë të paraqitur në mënyrë që të krijohet kuptimësia e plotë se dyshimi i bazuar në të vërtetë ekziston.
Si u arsyetua vendimi nga Gjyqtarja Suzana Çerkini për caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarit?
Paraprakisht për caktimin e masës së paraburgimit duhet të plotësohen tri kushte ligjore:
- Dyshimi i bazuar se personi i caktuar ka kryer vepër penale,
- Asgjësimi, fshehja apo ndryshimi i provave të veprave penale
- Kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet në të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ose ta përfundojë veprën penale.
Sa i përket pikës së parë nga provat që ishin paraqitur nga ana e Prokurorisë Speciale, në seancën dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” duke i tejkaluar autorizimet e tyre ligjore.
Ashtu që në pozitat menaxheriale që të dyshuarit i mbanin, kanë lejuar që në kundërshtim me legjislacionin për rezervat shtetërore, të anashkalohen procedurat e hapura të prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore për vitin 2022.
Kurse i dyshuari Ridvan Muharremi, në cilësinë e personave jo zyrtar, ju ka ndihmuar në kryerjen e këtij veprimi duke ju krijuar kushte, propozuar dhe negociuar kushtet për kontratën për furnizim me rezerva.
Sa i përket kushtit të dytë për caktimin e paraburgimit edhe këtu gjykata ka vlerësuar se janë pjekur kushtet ligjore për caktimin e masës së tillë.
Pasi Irfan Lipovicën e Hafiz Garën duke qenë se janë zyrtarë të lartë në MINT dhe mbajnë pozita menaxheriale, po të lihen në liri do mund të ndërmarrin veprime konkrete për ndryshimin dhe fshehjen e provave me qëllim të krijimit të një version të sajuar dhe të përshtatshëm për të pandehurit, përkatësisht të ndikojnë në dëshmitarët që janë dëgjuar në polici e ku kanë deklaruar se kanë qenë kundër procesit.
Kurse plotësimi i kushtit të dytë për caktimin e paraburgimit për Ridvan Muharremin, vjen si arsyetim se i njëjti meqenëse kishte rol kyç në negocimin e kushteve të kontratave për rezerva shtetërore, tregon qartë ndikimin e tij në MINT, që nënkupton që i njëjti lehtësisht mund të ndikojë në dëshmitarë që punojnë në këtë institucion.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, po të lihen në liri të dyshuarit ekziston mundësia në ndikim te njëri tjetri, duke marrë për bazë që Lipovica e Gara janë kolegë pune me vite. Kurse Muharremi është bashkëpunëtorë i besuar i tyre deri në masën që të negociojnë kontratë për rezerva shtetërore.
Kurse sa i përket kushtit të tretë ligjor për peshën e veprës penale, gjykata ka vlerësuar se duke marrë për bazë shumën e dëmit që buxhetit të shtetit i është shkaktuar që sipas prokurorisë del të jetë në vlerë prej 601 mijë euro, është tregues mjaftë i qartë për të dëshmuar se rrezikshmëria shoqërore e veprave penale për të cilat dyshohen t`i kenë kryer tre të pandehurit është e natyrës së rëndë.
Rrethanë kjo e cila i karakterizon tre të pandehurit.
Gjykata nuk e mbështeti pretendimin e prokurorit të prokurorisë Speciale, Valdet Gashi, se ka rrezik të arratisjes nga të pandehurit në rast se nuk caktohet masa e paraburgimit, pasi që nuk ka asnjë arsye për të besuar një pretendim të tillë, pasi personat e dyshuar janë shtetas të Republikës së Kosovës, kurse i pandehuri i tretë ka edhe biznes të tij, që të tre janë familjarë dhe asnjëherë nuk kanë treguar tentativë të vetme për t`u arratisur ndonëse kanë qenë në dijeni për veprimet hetimore të ndërmarra nga policia.