RRUFE

Ish-drejtori i Kardiologjisë jep arsyet e dorëheqjes, thotë se mbështetja hierarkike s’ishte në nivelin e duhur

Lulzim Kamberi ka reaguar pas dorëheqjes së tij nga pozita e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë, duke thënë se u tërhoq në fund të mandatit, tash që “Klinika po lundron në ujëra më të qeta”, për t’u përkushtuar në punë profesionale.

Ndër të tjera, Kamberi ka thënë se mbështetja dhe koordinimi i veprimeve nga strukturat hierarkike nuk ka qenë në nivelin e duhur disa herë. Për këtë, ai nuk ka përmendur emra, por ka shtuar “me përjashtime”.

Dorëheqja e Kamberit erdhi pas rreth 5 muajsh prejse Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë kundër tij dhe kardiologut tjetër, Edmond Haliti për cenim të të drejtave në marrëdhënie të punës.

“Unë kam qëndruar dhe rezistuar ndaj të gjitha përpjekjeve (jo të pakta), organizimeve, mendësive, protestave, peticioneve, të motivuara dhe të incentivuara nga arsye të ndryshme, e që në fund do të përfundonin në pengim serioz të avancimit të Klinikës së Kardiologjisë” – ka thënë ish-drejtori, i cili ishte i padëshiruar nga një pjesë e kardiologëve.

Këtë qëndrim, që ai e quajti stoik, thotë se e ka ndierë “obligim dhe borxh ndaj gjeneratave të cilat kanë sakrifikuar gjithçka për ne si dhe ndaj gjeneratave të ardhshme”.

Përgjatë më shumë se tri vjetësh të mandatit të tij, ai tha se është përballur me shumë veprime institucionale por edhe joinstitucionale, e të cilat thotë se duhen ndërruar. Aty hyjnë: funksionaliteti jo i duhur ligjor, neglizhenca, manipulimet, kapjet e interpretimet e shtrembëruara.

Kamberi ka listuar edhe arritjet e Klinikës, disa prej të cilave thotë se as nuk ka menduar se do të mund të arriheshin deri në këtë nivel.

Ai ka përmendur themelimin e repartit të gjysmëintenzivës, themelimin e elektrofiziologjisë, fillimin e ofrimit të shërbimit të mbylljes së defektit interatrial nën mbikëqyrje të ekspertit nga jashtë, mbështetjen e kardiologjisë invazive në Prizren e të tjera.

“Viti 2023 ishte vit i rekordeve për Klinikën e Kardiologjisë. Numri i koronarografive, numri i stentimeve, procedurat komplekse, ekokardiografitë transtorakale, ekokardiografitë transezofageale, numri i  paraturave të implantueshme elektrostimuluese intrakardiake, numri i vizitave në ambulancat specialistike, numri i të hospitalizuarëve e shumë të tjera ishin rekord krahasuar me vitet tjera” – ka shkruar Kamberi.

Për çka akuzohet Lulzim Kamberi?

Lulzim Kamberi dhe kolegu i tij, Edmond Haliti, i cili është shef i shërbimit të Elektrostimulimit dhe Elektrofiziologjisë në këtë Klinikë, akuzohen nga Prokuroria për cenim të të drejtave në marrëdhënie të punës.

Në aktakuzën e datës 31.05.2024 thuhet se Kamberi dhe Haliti në bashkëpunim dhe me vetëdije bënë veprime diskriminuese ndaj kardiologut Imri Jashari.

Sipas aktakuzës, pasi që Jashari ngriti një çështje në lidhje me një situatë eventuale të konfliktit të interesit, të pandehurit ia kufizuan të dëmtuarit të drejtën që të ushtrojë detyrën zyrtare.

Tutje në aktakuzë thuhet se Jashari kishte kontratë pune me përshkrim të detyrave, që të hyjë në sallë për implementimin e devicave.

Pavarësisht aktakuzës, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) nuk kishte marrë ndonjë masë ndaj tyre.

Përpjekjet për shkarkimin e tij

Drejtori i Kardiologjisë ishte i padëshiruar nga disa kolegë të tij në këtë Klinikë, të cilët e shihnin atë si të padenjë për të udhëhequr Klinikën.

Këtë pakënaqësi, disa prej tyre e patën shprehur përmes një proteste më 29.09.2023 duke kërkuar shkarkimin e tij. Protesta erdhi pasi që 18 kardiologë kishin nënshkruar një kërkesë për shkarkimin e Kamberit më 11.07.2023, të cilën e kishin dërguar në adresë të drejtorit të SHSKUK-së, Elvir Azizi.

Ata kanë drejtuar gishtin te drejtori Kamberi për paaftësi menaxheriale, diskriminim në baza gjinore, ikje nga përgjegjësia profesionale, përkrahje të shkaktarit të dhunës në Klinikë e rol përçarës.

Kamberi ka mohuar akuzat në vazhdimësi duke thënë se kërkesa për shkarkim është nga disa mjekë nga reparti i Kardiologjisë Invazive, “të cilët duan t’i ruajnë privilegjet e tyre”.

Ata po ashtu kanë kërkuar shkarkimin e shefit të Njësisë Koronare, Artan Ahmeti, pasi sipas tyre i njëjti para se të përzgjidhej në këtë pozitë ka ushtruar dhunë fizike ndaj kolegut.

Ahmeti akuzohet nga Prokuroria e Prishtinës se i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kolegut të tij, kardiologut Fisnik Veliu.

Drejtori Lulzim Kamberi në një reagim kishte thënë se kërkesa e këtij grupi kardiologësh për ta “suspenduar dhunuesin dhe menaxhmentin që mbron dhunuesin”, është kërkesë mbi ligjin sepse, sipas tij, organet ligjore kanë thënë fjalën e tyre.

Bordi i SHSKUK-së pati diskutuar kërkesën për shkarkimin e Kamberit në mbledhjen e mbajtur më 12.07.2023 bashkë me drejtorin Azizi. Ata patën vendosur që të formohej një grup vlerësues për të vërtetuar nëse pretendimet qëndrojnë, sepse peticioni nuk mund të merret si bazë për të ndërmarrë veprime kundër një menaxhmenti të një klinike.


Postuar

nga