Jimmy Carter feston të martën (01.10.2024) ditëlindjen e tij të 100-të, duke u bërë presidenti i amerikan që jeton një shekull, shkruan BBC.
Carter, demokrat që kishte shërbyer si president në Shtëpinë e Bardhë gjatë viteve 1977-81, ka kaluar 19 muajt e fundit në një shtëpi të kujdesit për të moshuarit në shtetin e tij të lindjes, Georgia.
Por ish-fermeri i kikirikëve, i cili së pari iu përvol politikës në vitet gjashtëdhjetë si senator shteti, “përfshihet emocionalisht dhe ende ndan përvoja dhe qeshet, dhe i do” njerëzit, ka thënë nipi i tij, Jason, në shtator.
Dhe shekullori ende ka ambicie politike: “Po mundohem t’ia dalë të votoj për Kamala Harrisin” në zgjedhjet e nëntorit, ka thënë laureati i Nobelit për Paqe dhe humanisti, ka bërë të ditur nipi i tij.
Për ta nderuar për këtë ditëlindje shekullore, vullnetarët e “Habitat with Humanity” – shoqata bamirëse e strehimit me të cilën Carteri kishte punuar rreth 40 vjet – po ndërtojnë 30 shtëpi në Minessota gjatë javës.
Do të ketë aktivitete edhe në Plains, qyteti i lindjes së ish-guvernatorit të Georgias, për të festuar ditëlindjen e Carterit. Do të ketë edhe parada aeroplanësh ushtarakë dhe 100 qytetarë të ri do të kenë ceremoni natyralizimi për nder të tij.
Ky aktivitet mbahet pas një koncerti yjesh të mbajtur në Atlanta, Georgia në fillim të shtatorit për të festuar ditëlindjen e ish-presidentit dhe për të mbledhur fonde për “The Carter Center”.
“Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, plot muzikë të mirë dhe nderime të përzemërta, dhe ishte historike pasi ishte festa e ditëlindjes së 100-të të një presidenti të gjallë amerikan”, kishte thënë atëherë Carter.
Koncerti, ku ishin mbledhur më shumë se 1.2 milionë dollarë amerikanë dhe ku kishte edhe mesazhe të incizuara të presidentëve të tjerë, do të transmetohet në transmetuesin publik të Georgias të martën mbrëma – sipas kohës lokale amerikane. Ka vepra të ndryshme të interpretohen dhe mijëra pjesëmarrës si shikues.
Ish-presidenti do ta shikojë koncertin të martën, ka bërë të ditur familja e tij.
Carter, i cili nuk ishte në gjendje që të merrte pjesë personalisht në koncert, kishte bërë një paraqitjeje të rrallë publike në nëntor 2023 kur mori pjesë në një shërbesë përkujtimore për gruan e tij, Rosalynn, e cila vdiq në moshën 96-vjeçare në fillim të atij muaji.
Martesa e tyre 77-vjeçare mbetet më e gjata e ndonjë çifti të martuar për herë të parë.
Prejse Carteri nisi të merrte trajtim të veçantë shëndetësor në Plains në Georgia në shkurt 2023, disa të afërm vazhdimisht kishin thënë se është vetëm çështje ditësh për vdekjen e tij.
“Është një dhuratë”, ka thënë Josh Carter, një tjetër nip i tij, në një intervistë të muajve të fundit për “New York Times”. “Është një dhuratë që nuk e dija se do ta kishim”.
Të tjerët kanë thënë se tregimi i Carterit ka ngritur vetëdijen për përfitimet e shtëpive të kujdesit për të moshuarit. “Ne të gjithë po lutemi për Jimmy Carterin”, ka thënë Barbara Pearce, shefe ekzekutive e “Connecticut Hospice”, në një intervistë për partnerin e BBC-së në SHBA, CBS News.
“Ai ka bërë më shumë për ne se ne do të mund të bënim ndonjëherë për veten, duke vënë në pah se është një zgjidhje e arsyeshme për të bërë”, ka thënë ajo. “Ai u ka dhënë të gjithë të drejtë për të shqyrtuar kujdesin në shtëpinë e pleqve si një mundësi e arsyeshme që nuk shkurton jetën e tyre, por shton rehatinë dhe përmbushjen e tyre”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com