Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka falënderuar Kosovën për zhbllokimin pikës kufitare në Merdarë për kalimin e mallrave nga Serbia.
“Falënderoj Kosovën që, para këtij vendimi, ka hapur sërish një pikë kufitare për mallrat serbe. Kjo është fryma e Procesit të Berlinit: të promovojmë bashkimin e një rajoni që ka më shumë gjëra të përbashkëta sesa dallime”- tha Scholz në konferencë për media pas përfundimit të Samitit të Berlinit më 14.10.2024.
Ai tha se Gjermania dhe i dërguari special i Qeverisë federale për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kanë punuar për këtë hap për më shumë se një vit.
“Kjo është fryma e Procesit të Berlinit: të promovojmë bashkimin e një rajoni që ka më shumë gjëra të përbashkëta sesa dallime”- tha ai për vendimin e autoriteteve të Kosovës.
Sarrazin vazhdimisht kishte bërë presion ndaj Kosovës që të zhbllokohen mallrat nga Serbia si formë e bashkëpunimit rajonal ashtu siç kërkon Procesi i Berlinit.
Sidoqoftë, skenari ndryshoi pasi që Kosova zhbllokoi mallrat serbe në pikën kufitare në Merdarë.
Megjithatë, Scholz tha se dialogu Kosovë- Serbi nuk po ecën kënaqshëm.
Kjo hapi rrugën që të merret vendimi që Kosova mos të përfaqësohet më nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë (CEFTA), por nga zyrtarët e saj shtetërorë.
“Është e qartë: Vetëm së bashku këto shtete mund të anëtarësohen në Bashkimin Europian. Prandaj, marrëdhëniet rajonale dhe fqinjësore të mira që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë theksuar sot janë shumë të rëndësishme”- tha ai.
Scholz tha se si Gjermani kanë nënvizuar angazhimin e tyre drejt pajtimit dhe zgjidhjes së konflikteve me bazë në partneritet.
Qëllimi i Procesit të Berlinit është që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përafrohen me shtetet e BE-së në mënyrë që të sigurojnë vendin në Bashkimin Europian.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Para kësaj nisme, presidenti i atëhershëm i Këshillit Europian, Jean-Claude Juncker, kishte shpallur ‘pauzë’ në zgjerimin e BE-së.
Më pas, përmes Procesit të Berlinit ishte qëllimi që Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina duke rritur bashkëpunimin mes vete të bëjnë vend në institucionet e BE-së.
Marrëveshja për heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin kishte hyrë në fuqi në vitin 2023, që ishte një nga marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit.
Me kalimin e viteve, Procesi i Berlinit u zgjerua dhe prej atëherë mbahen samite të përvitshme. Përjashtim bëri viti 2021 që për shkak të pandemisë, Samiti u mbajt në një formë të adaptuar në mënyrë virtuale, por pa takime midis liderëve të shteteve.
Procesi i Berlinit tanimë ka dhjetë vende partnere: Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë, Italinë, Poloninë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Bërthama e Procesit të Berlinit është “Agjenda e Lidhshmërisë”, që ka të bëjë me rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.