RRUFE

Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare në UP i quan “johumane” rekomandimet e Këshillit të Etikës në lidhje me Enver Hasanin

Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës është mbledhur më 30.09.2024 dhe i ka shkruar një parashtresë rektorit të ri të UP-së, Arben Hajrullahu dhe Senatit të UP-së, në lidhje me vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së ndaj profesorit të Fakultetit Juridik, Enver Hasani.

Këshilli i Etikës i UP-së i ka rekomanduar Senatit të UP-së që ta miratojë vendimin e tyre të datës 25.09.2024, për t’i ndërmarr disa masa ndaj profesorit Hasani, si: ulje të gradës akademike, revokim të mirënjohjeve e privilegjeve si ish-rektor, mohim të pjesëmarrjes në komisione profesionale për 3 vjet, si dhe disa masa të tjera.

Këto masa janë rekomanduar ndaj Hasanit për shkak të pretendimeve se ai gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024 nuk kishte mbajtur ligjërata; ka marrë thirrje akademike në mënyrë të kundërligjshme duke mos respektuar kohëzgjatjen e thirrjeve paraprake sipas Statutit të UP-së dhe pretendohet se e ka dëmtuar vazhdimisht imazhin e Fakultetit Juridik dhe UP-së duke dhënë deklarata të ndryshme elektronike dhe audiovizuele.

Parashtresa e Katedrës të së Drejtës Ndërkombëtare të UP-së u dha në të njëjtën ditë pasi KALLXO.com e ka pyetur ish-rektorin e UP-së, Qerim Qerimi për një mesazh që profesori Hasani pretendon se ia kishte shkruar në një grup në Viber të Katedrës, më 20.04.2023, e me të cilin kishte konsideruar se ka marrë leje nga ish-rektori për të munguar në Fakultet në vitin akademik 2023/2024.

Ish-rektori Qerimi është anëtar në Katedrën e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërsa e ka përfunduar mandatin e rektorit të UP-së më 30.09.2024.

Në parashtresën që i kanë shkruar rektorit Hajrullahu, Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare ka shprehur protestën, kundërshtimin dhe shqetësimin e thellë për vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së, të datës 25.09.2024.

Ata i kanë quajtur rekomandimet e Këshillit të Etikës ndaj Hasanit si “johumane” e “të pabazuara” si dhe kanë shprehur qëndrimin e tyre se Senati i UP-së duhet t’i refuzojë ato.

“Është qëndrimi i kësaj Katedre se rekomandimet e Këshillit të Etikës duhen refuzuar nga Senati i Universitetit si rekomandime juridikisht të pabazuara, jo propocionale dhe thellësisht johumane. Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare dëshiron të qartësojë për Rektorin, Senatin e Universitetit të Prishtinës, për studentët dhe për publikun e gjerë, se prof.dr. Enver Hasani nuk ka shpërfillur apo ‘mospërmbushur qëllimshëm’ detyrimet e tij të mësimdhënies” – thuhet në parashtresën e Katedrës, të datës 30.09.2024.

Nga Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare e kanë konfirmuar se profesori Hasani i kishte lajmëruar më 20.04.2023 në një grup në Viber të Katedrës, për gjendjen shëndetësore të tij dhe se duheshin t’i mbulonin lëndët e tij në Fakultet, sa i përket vitit akademik 2023/2024.

“Lajmi i rëndë për gjendjen serioze të anëtarit më senior të Katedrës ka qenë tronditës për të gjithë dhe natyrshëm, ka mobilizuar të gjithë për të ndihmuar në këtë situatë” – kanë thënë nga Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare.

Sipas Katedrës të së Drejtës Ndërkombëtare, Këshilli i Etikës i UP-së nuk ka marrë për bazë faktin se për këtë mungesë të profesorit Hasani kishte pasur lejen e rektorit të atëhershëm të UP-së, Qerim Qerimi.

Mesazhi i ish-rektorit Qerimi, më 20.04.2023, në grupin në Viber, sipas Hasanit, ishte:“Uroj që analizat të provojnë se çfarëdo që keni është kalimtare dhe jo-serioze. Asnjë nevojë për të paraqitur dokumentacion për sado që mungesa mund të jetë e nevojshme.”

“Në diskutimin e përbashkët elektronik të Katedrës, të bërë më 20.04.2023, rektori i atëhershëm, përveç që kishte shprehur keqardhjen dhe mbështetjen për prof. Hasanin, ka thënë (shkruar) se nuk është e nevojshme që të ndiqen formalitetet tjera me dokumentim të situatës dhe kërkimit të lejeve, duke e konsideruar të mjaftueshëm juridikisht këtë komunikim elektronik të Katedrës” – kanë shtuar nga Katedra.

Pasi janë bazuar në lejen e ish-rektorit Qerimi që pretendohet se ia ka dhënë Hasanit, nga Katedra thonë se i kanë zëvendësuar ligjëratat e profesorit Hasani në Fakultet dhe sipas tyre, nuk kanë pasur as indikacionin më të vogël për ndonjë pakënaqësi të menaxhmentit në lidhje me zëvendësimin.

Ata e kanë kundërshtuar edhe konstatimin e Këshillit të Etikës të UP-së se menaxhmenti i Fakultetit Juridik nuk ka qenë i informuar për këtë situatë.

“Katedra rithekson se mbulimi i orëve të prof. Hasanit asnjëherë nuk është mbajtur fshehurazi nga menaxhmenti e as nuk ka mund të mbahet i fshehur nga menaxhmenti. Kjo meqë natyra e detyrimeve është e tillë duke qenë se ligjeratat janë publike dhe dihet lehtësisht se si mbahen ato” – kanë potencuar nga Katedra.

Më tej, Katedra e së Drejtës Ndërkombëtar e UP-së e konsideron shqetësuese se si Këshilli i Etikës arrinë në konstatimin se menaxhmenti nuk ka ditur për mungesën e profesorit Hasani dhe zëvendësimin e ligjëratave të tij, por as shkarazi nuk diskuton përgjegjësinë juridike të menaxhmentit për mirëmbajtjen e procesit mësimor.

Si përfundim, Katedra shprehet se nuk janë përmbushur kriteret ligjore për t’u zbatuar masat e rekomanduara nga Këshilli i Etikës ndaj Hasanit.

Duke u thirrur në nenin 6, paragrafin 1, pikën 13, të Regullores për masat disiplinore ndaj personelit akademik në UP, Katedra thekson se në lidhje me mospërmbushje të detyrimeve ajo mospërmbushje duhet të jetë bërë qëllimshëm.

Në nenin 6 të Regullores për masat disiplinore ndaj personelit akademik në UP janë përcaktuar shkeljet e rënda apo shkeljet disiplinore.

“Të gjitha elementet e cekura më sipër duke u nisur nga natyra e sëmundjes dhe trajtimit, paparashikueshmërisë se kohëzgjatjes së tyre, leja dhe dijenia e menaxhmentit në lidhje me mungesat, e bëjnë krejtësisht të qartë se një mospërmbushje e qëllimshme as nuk ka ndodhur e as nuk ka mundur të ndodhë” – kanë theksuar nga Katedra.

Më tej, Katedra vlerëson se shqiptimi i masave disiplinore, atyre që janë rekomanduar nga Këshilli i Etikës i UP-së, shqiptohet për shkeljet e rënda të Kodit të Etikës, vetëm pasi të jenë konsumuar masa e procedura të tjera paraprake juridike.

KALLXO.com e ka pyetur Rektoratin e UP-së për qëndrimin e Katedrës të së Drejtës Ndërkombëtare ndaj rekomandimeve të Këshillit të Etikës të UP-së për Hasanin dhe nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Këshilli i Etikës i UP-së i përbërë nga: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica, që kanë vendosur në rastin e Hasanit, ka përfunduar mandatin më 30.09.2024 dhe pritet që të caktohen anëtarët e rinj.

Deklarimin e plotë të profesorit Enver Hasani për KALLXO.com mund ta lexoni në këtë LINK.