Kosovës i duhet ta përmisojë mjedisin legjislativ duke nisur nga rritja e transparencës për pronësinë e mediave, Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), e deri te respektimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo e fundit theksohet shkaku i “vështirësive të mediave serbe të Kosovës për qasje në informata”.
Një gjë të tillë e thotë Raporti i Progresit për Kosovën, i publikuar më 30.10.2024, i cili iu dorëzua edhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Në kapitullin e përcaktuar për mjedisin legjislativ, Raporti i Progresit ka dhënë vërejtje më së shumti për rregullimin mediatik, me theks të veçantë për Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, dhe jo vetëm.
“Legjislacioni është përgjithësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare, por kërkon përmirësim, për të siguruar transparencën e pronësisë së medias”- shkruan në Raport.
Ndërkaq, për Ligjin për KPM-në, thuhet se edhe pse është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në korrik dhe kontribuon në përmirësimin e rregullimit të mediave dhe performancës së KPM-së, megjithatë amendamentet e Kuvendit dështuan të pasqyronin shumicën e rekomandimeve të BE-së dhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Projektligjin e Komisionit të Pavarur për Media me 59 vota për. Ndërsa Zyra e BE-së në Kosovë i kishte bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.
Shqetësim tjetër që kanë shpërfaqur për KPM-në, janë pavarësia, kompetencat dhe financimin i KPM-së dhe mbi mungesën e qartësisë dhe proporcionalitetit të ligjit.
Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja ishte shprehur e pakënaqur se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.
Në anën tjetër, sipas Raportit të Progresit, Ligji për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe Ligji për mbrojtja e burimeve të gazetarëve janë ende pezull.
Edhe pse qasja në informacionin publik është e garantuar me legjislacion, Agjencia për Informim dhe Privatësi përmirësoi performancën e saj, por në praktikë, gazetarët ende përballen me vonesa ose mohime të rregullta kur kërkojnë nga institucionet publike akses në dokumente, vihet në shprehje në këtë raport.
“Mediat në gjuhën serbe vazhdojnë të përballen me sfida në qasje informata për shkak se institucionet publike nuk respektojnë kërkesat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve”- shkruan në fund të kësaj pjese.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në bashkëpunim me “Global Media Registry” ka publikuar më 13.12.2024, faqen e internetit të Monitorimit më të madh të Pronësisë së Mediave në Kosovë.
Bazuar në një metodologji gjenerike, “Monitori i Pronësisë së Medias” (MOM) është zhvilluar si një ushtrim krijimi harte në mënyrë që të krijohet një databazë e disponueshme publikisht dhe e përditësuar vazhdimisht që rendit pronarët dhe mediat më të rëndësishme në një vend.
MOM-i krijon transparencë mbi kush e ka nën pronësi median, çfarë interesash të lidhura kanë pronarët, në çfarë mase ekzistojnë varësitë dhe për rrjedhojë, kush ka realisht ndikim potencial mbi opinionin publik.
Në anën tjetër, KPM kishte nxjerrë Rregulloren për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve nga KPM më 26.12.2023.
Në fazën e dëgjimit publik për këtë Rregulloreje, BIRN Kosova ka dhënë komente të cilat janë adresuar në tërësi nga Komisioni, e që kanë të bëjnë kryekëput me pronësinë e mediave dhe transparencën e tyre.
Në mesin e propozimeve ka qenë edhe obligimi për të licencuarit nëse pronari është një kompani tjetër duhet të shpalosin të dhëna për atë kompani për gjithë strukturën e pronësisë deri në pronarin e fundit.
Kjo çështje është inkorporuar në nenin 8, ku flitet për “Kërkesat lidhur me transparencën e të licencuarve”.
Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është zotuar se ekzekutivi kosovar do t’i zbatojë rekomandimet nga Raporti i Progresit i Komisionit Europian, që u publikua më 30.10.2024, pavarësisht “masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës”.