Ka mbërritur në Kosovë komandanti i ri i Misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Kështu ka bërë të ditur KFOR përmes një njoftimi më 04.10.2024.
Sipas njoftimit gjeneralmajor Barduani do të marrë drejtimin e KFOR-it nga data 11.10.2024.
“Komandanti i ri i Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani (nga Italia) ka arritur sot në Prishtinë (04.10.2023). Ai do të marrë drejtimin e misionit në një ceremoni të ndërrimit të komandës të planifikuar më 11.10.2024, në Shtabin e KFOR, në kampin “Film City”, në Prishtinë”” – thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sipas njoftimit, Barduani u prit nga ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
KFOR njofton se gjeneralmajor Barduani do të jetë komandanti i 29-të i KFOR dhe do të pasojë komandantin turk të deritanishëm , gjeneralmajor Ozkan Ulutash.
Por, Barduani nuk është komandanti i vetëm italian që ka drejtuar KFOR-in.
“Gjeneralmajor Barduani do të jetë gjenerali i 14-të Italian që komandon misionin e KFOR-it. Ai ka pasur një karrierë të gjatë dhe të shquar si brenda dhe jashtë vendit. Pozita e tij e fundit ishte në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes në Itali, zotëri Guido Crosetto, ku shërbeu si shef i Politikës së mbrojtjes” – kanë njoftuar nga KFOR.
Ndërkaq, gjeneralmajori turk Özkan Ulutas ka marrë komandën e KFOR-it më 10.10.2023. Ai ka marrë komandën e misionit për një mandat njëvjeçar, si komandant i 28-të i misionit të KFOR-it në Kosovë.